Ballina Artikuj Kurban Bajrami më shumë se një festë

Kurban Bajrami më shumë se një festë

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)

Përmbajtjet thelbësore të Kurban Bajramit –

Hyrje

All-llahu ekber, All-llahu ekber…
Lebejjkell-llahumme lebbejk…

Po të përgjigjemi o Zot, po të përgjigjemi, duke të lavdëruar dhe falënderuar në këtë ditë të madhe të Kurban – Bajramit. Po të përgjigjemi o Zot sikurse të jenë përgjigjur bijtë e Ademit, bijtë e Ibrahimit dhe ummeti i Muhammedit (s). Të përgjigjemi, të falënderojmë, të lavdërojmë dhe të lutemi ta dëgjosh thirrjen tonë.
Sot jemi në ditën e Bajramit, Kurban Bajramit, jemi në momentet më madhështore, të cilat i përjetojnë pjesëtarët e islamit. Sot jemi në momentet e para të Bajramit, festës më të madhe të muslimanëve. Kemi ardhur sot të falim namazin e Bajramit dhe me këtë akt të tregojmë se jemi prej atyre të cilët e kanë pranuar All-llahun për Zot, Islamin për fe, Muhammedin për Pejgamber dhe udhëheqës, Kur’anin për Libër, Qabenë për Kible, besimtarët për vëllezër dhe Bajramin si festën e tyre më të madhe.
Kjo është një ditë që na përkujton njerëz të mëdhenj dhe ngjarje të paharruara që e përcaktuan historinë e njerëzimit. Ademi, Nuhi, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhammedi (a. s.) janë figura që na përkujtojnë fatin e gjinisë njerëzore. Xhebelu-l-Rahmeh, Arefati, Mekami Ibrahim, Sinaji, Kudsi, Mekkeja dhe Medineja, Qabeja e madhnueshme, janë vendet e ngjarjeve që tregojnë rrugën deri te ekzistenca e njeriut nën udhëzimin dhe mëshirën e Zotit (xh. sh.)
Të nderuar vëllezër, na erdhi Bajrami i Kurbanit – dita e falënderimit dhe e gëzimit. Falënderimin ia kemi borxh Krijuesit, i cili na jep jetë e gjallëri dhe na jep fuqi që të jetojmë me besim e shpresë. Gëzimin e ndjejmë nën mëshirën e All-llahut që shprehet në dritën e ditës së sotme dhe në bashkimin e mendimeve tona. Të vërtetën ia kemi borxh vetes, drejtësinë ia kemi borxh të tjerëve, ndërsa paqen e bashkëjetesën ia kemi borxh xhematit tonë, popullit tonë.
Të kremtuarit e këtyre ditëve na përkujtojnë ditët e lavdishme të se kaluarës se ndritshme islame dhe nxisin besimtarët muslimanë në angazhime më të vendosura, për detyra më të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një ardhmërie më të mirë e më të lumtur.
Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtjet themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame. Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët.

Vetaktualizimi i njeriut përmes arsimimit

Gjatë historisë, profesioni më i rëndësishëm i njeriut – krijesës më të përkryer të Zotit, ka qenë arsimimi. Kjo për arsye se përparimi shoqëror, lëvizjet përpara në të gjitha rrafshët, zhvillimi ekonomik dhe kultura e popujve ka qenë e mundur të përcillen vetëm përmes arsimimit nga gjenerata në gjeneratë. Zhvillimi njerëzor dhe nxënia e diturisë, sjellja dhe zhvillimi i aftësive, janë të mundur vetëm me anë të arsimimit. Ata që janë arsimuar kanë arritur majën e piramidës sociale duke fituar statuse të reja, e bashkë me to edhe ndonjë titull. Përveç kësaj, arsimimi profesional do të përmirësojë kualitetin dhe do të sigurojë rezultate më të mira, e kjo do të ishte me rëndësi të madhe. Për këtë arsye zhvillimi i dijes dhe i aftësive është parë si një degë e „industrisë“. Ai person që me anë të arsimimit i siguron vetes një status të caktuar, ka rastin të bëhet i barabartë me të tjerët.“
Prioritet i myslimanëve në Evropë dhe Perëndim është të themelojnë institucione të diturisë së shenjtë dhe të përkrahin studentët, kërkuesit e diturisë, të cilët kanë vendosur ta kalojnë jetën e tyre në shërbim të kësaj feje. Ne duhet ta bëjmë çdo xhami institucion të gjallë, me studentë dhe mësues duke këmbyer njohjet për fenë dhe duke u kujdesur për gjeneratën e ardhshme në Evropë dhe Perëndim.
Prandaj porosia e parë e këtij bajrami për të gjithë besimtarët musliman është të kërkuarit e diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes dhe i trurit të tyre për të prodhuar dituri potenciale, e cila më pastaj do të ishte në gjendje të transformohej në dituri aktive dhe kreative. Feja Islame, edhe në burimet e saja fetare por edhe në traditën historike, shumë qartë e ka theksuar faktin që faktori intelektual është mbartës i afirmimit të njeriut në çdo aspekt të jetës së tij. Jo vetëm kaq, por edhe fuqia e fesë në Islam matet me arsyen. Pejgamberi ynë, Muhammedi (a.s.) thoshte:
“Feja e një njeriu është arsyeja e tij, ai që nuk ka arsye nuk ka fe.”
Kur’ani dhe Muhammedi (a. s.) lavdërojnë çdo punë fizike e mendore që i sjell dobi individit, familjes bashkësisë, shtetit, njerëzimit. Janë disa citate të cilat e bëjnë të qartë obligimin e muslimanëve për punë fizike e mendore (për shkencë, filozofi, tregti, zanate, bujqësi etj.)
“Thuaj, o Muhammed, a mund të jenë njësoj ata që dinë me ata që nuk dinë.” (Kur’ani)
“Allahun e kanë frikë nga robërit e Tij vetëm shkencëtarët.” (Kur’ani)
“Shkencëtarët janë trashëgimtarët e profetëve të Zotit.” (Muhammedi a.s.)
“Në ditën e gjykimit do të matet ngjyra e lapsit të dijetarit me gjakun e dëshmorit – shehidit.” (Muhammedi a. s.)
Konstatimi që “Shkenca dhe të mësuarit është farz – detyrim për të gjithë pjesëtarët e Islamit” (Ibni Maxhe), vë në dukje vlerën e madhe të thirrjes Islame për këtë, aktivitetin më human dhe më të rëndësishëm të të gjithë njerëzve. Kërkimi i diturisë, mësimi dhe studimi është aktiviteti më i pëlqyeshëm i cili nuk duhet të pushojë deri në fund të jetës. Thirrja për arsimimin e gruas është thirrja e parë në histori që me dituri duhet të armatoset njësoj si mashkulli dhe femra. Ky që një hap deri te barazia e plotë midis mashkullit dhe femrës.
Lidhur me çështjen në fjalë dhe situatën që po kalojnë shqiptarët duhet vënë në dukje gjithashtu edhe rolin e intelektualëve me vullnet dhe qëllime të mira. Ata janë shpresa më e madhe e njerëzimit. Sikurse është thënë, dijetarët – intelektualët janë kripa e kësaj bote, në qoftë se prishet kripa, do të prishet bota. Ata janë zemra e kombit ! Nga intelektualët kërkohet të flasin më shumë, duhet të dëgjohet zëri i tyre, mendimi dhe qëndrimi i tyre, sepse kjo është në dobi të të gjithë njerëzve. Në qoftë se ata heshtin, hesht njerëzimi ose flasin ato që nuk janë kompetent. Shenjë e shkatërrimit të kësaj bote është kur flet injoranti ndërsa hesht i mençuri. Mendimet e intelektualit nuk duhet të jenë të programuara me interesat e individëve apo grupeve madje as me interesat personale. Ata duhet të flasin për hir të së vërtetës dhe drejtësisë, për hir të atdheut, kombit dhe ata duhet të jenë inkurajuesit dhe luftëtarë të këtyre idealeve. Kështu u shpreh Pejgamberi (a. s.) duke thënë që :
“Kontributi më i madh që i bëhet të vërtetës është kur njeriut të padrejtë ia thua të vërtetën në fytyrë.” Po ashtu Muhammedi a.s. tha: “Pasardhësit e mi do të përparojnë dhe me ta do të jetë ndihma e Allahut gjithnjë derisa mbartësit e pushtetit nuk u nënshtrohen (nuk dëgjojnë fjalën) bartësve të diturisë (intelektualëve).”
Të kuptuarit drejtë të domethënies së dispozitave dhe institucioneve Islame në mënyrë të domosdoshme kërkon arsimim. A është e mundur, vallë, që një njeri i paditur të kuptojë domethënien e lartë të dispozitave Islame, me të cilat admirohen edhe shkencëtarët më të mëdhenj. Islami është fe e jetës, i cili gjithmonë zhvillohet, shkon përpara duke e ndërruar stilin dhe formën e vet. Çdo musliman e muslimane në përgjithësi dhe të rinjtë e të rejat në veçanti u duhet patjetër të pranojnë e përvetësojnë shkrim – leximin, arsimimin dhe shkencën, si mjete të domosdoshme për afirmimin më fisnik dhe progresin jetësor në gjirin e fesë së tyre të lartë.

Haxhi – vendi i rigjetjes dhe riaktualizimit personal

Haxhi është ibadet në të cilin njeriu e njeh vendin e vet në botën universale – në Arefat, aty ku njeriu i parë e njohu vendin e vet në Tokë. Kjo është rruga e tokësore e njeriut, i cili në dëshminë personale të besimit (fesë) e gjen kuptimin universal të jetës dhe në porosinë Hyjnore të Kur’anit e gjen shpresën në shpëtimin personal.
Prandaj, porosia e dytë e Kurban Bajramit është Haxhi dhe ne përsëri jemi në ditët e tij. Përsëri jemi dëshmitarë të mbajtjes së manifestimit numerikisht më të madh njerëzor që e mban mend historia. Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës, me mund e sakrifica të mëdha, u nisën në udhëtimin më të gjatë dhe më të dashur, udhëtimi i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun. Haxhi i këtij viti është takimi i 1433-të i muslimanëve nga gjithë bota.
Më se 14 shekuj muslimanët nga të gjitha anët e botës i përgjigjën thirrjes së Allahut dhe me nxitim nisën me mjetet më të përshtatshme drejt Qabesë të cilët i ngjajnë rrjedhës së një deti në të cilin nga të gjitha anët derdhën lumenjtë të vegjël e të mëdhenj.
Haxhi, sikurse e thamë, është manifestimi i unitetit, harmonisë dhe vëllazërisë së vërtetë Islame. Sipas dispozitave fetare të gjithë haxhinjtë gjatë kohës së bërjes së haxhit, kanë të njëjtën uniformë (ihramin) dhe që të gjithë pavarësisht nga profesioni, pozita e klasa, kanë të drejta të barabarta për të hyrë në faltoren e Zotit në Qabe. Titujt e nderit dhe të famës së kësaj bote aty nuk merren parasysh, jo më t’u jepet prioritet, para dyerve të mëshirës se Zotit të gjithë janë të barabartë. Aty në mënyrë të veçantë manifestohen fjalët kur’anore: “Besimtarët janë vëllezër”. Ndoshta vetëm në këtë vend dhe vetëm në këtë rast mund të shohim si ofiqarët e lartë musliman të vendeve të ndryshme futen në bashkësi me të tjerët. Këtu na jepet shembulli më i mirë se si njerëz me ngjyrë, gjak dhe gjuhë të ndryshme mund të jenë vëllezër kur në mjedisin e tyre i japin pak më shumë vend njerzishmërisë dhe të menduarit. Këtu mund të shihet mirë se si muslimanët Gjermanë, Amerikanë, Rusë, Kinezë, Japonezë, Turq, Boshnjakë, Shqiptarë etj. në mënyrë vëllazërore i shtrëngojnë dorën njëri – tjetrit dhe me lot në sy përqafohen. Ata bëjnë kështu sepse gjenden në vendin ku egoizmi dhe interesat materiale të kësaj bote nuk kanë ndikim, ku flet ndërgjegjja e pastër, zemra e pastër dhe morali i pastër, ku vëllazëria dhe paqja nuk lidhën me fjalë dhe kushte, por me ndjenjën e sinqertë të zemrës së kalitur me shkencën e pastër Islame.
Këtu njeriu ka rastin më të mirë që të njihet me popujt e tjerë dhe me kushtet e tyre, ndërsa nëpërmjet njohjeve të tilla reciproke duhet të vijë deri te solidariteti i ndërsjellë për të cilin populli gjithmonë ka nevojë të domosdoshme. Allahu (xh. sh.) në Kur’an thotë:
“O njerëz. Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë të ndarë në popuj e fise që të njiheni mes vete.. Më i miri tek Allahu është ai i cili bën vepra të mira.” (Huxhurat, 13)
Fjalimi i fundit i Muhammedit (a. s.) në Haxhin lamtumirës është një mesazh i mirë edhe për popullin shqiptarë dhe për gjendjen nëpër të cilin ai po kalon.
Duke festuar Bajramin ne i konfirmojmë dhe i përtërimë këto porosi dhe qëllime të larta, duke sakrifikuar çdo gjë, për të mirën, paqen, harmoninë dhe mirëqenien ndërnjerzore. Meqë flasim si muslimanë atëherë duhet të nisemi nga vetja, duhet të dimë cilat janë themelet paqes sonë, si e përjetojmë atë dhe si arrijmë deri te përbërja shpirtërore e paqes në vete. Përndryshe paqe të vërtetë nuk do të ketë përderisa paqja nuk ngadhënjen qenien njerëzore, përderisa nuk bëhet dimensioni shpirtëror i njeriut. E kjo do të arrihet kur të jetojmë plotësisht sipas dispozitave të Zotit (xh. sh.). Nëse nuk e përfillim fjalën e Zotit (xh. sh.), nëse krahas ligjeve njerëzore nuk përfillim edhe ligjet hyjnore dhe normat e përcaktuara në to, do të jemi të detyruar t’i përjetojmë sanksionet e ligjit natyror si ndëshkim dhe goditje paralajmëruese për moszbatimin e ligjit të parë. Këtë e shpjegon qartë Muhammedi a.s. duke thënë: “Pesë për pesë. Kur një popull nuk e kryen obligimin ndaj Zotit, Ai do t’ju dërgoj armikun për sundimtar. Në qoftë se gjykojnë ndryshe nga ajo që ka urdhëruar Zoti, do t’ju shfaqet varfëria. Kur të përhapet në popull imoraliteti e prostitucioni, pritni shtimin e sëmundjeve e të vdekjeve. Nëse heqin në peshë (mashtrojnë në peshë), nuk do të ketë bereqet në të mbjella dhe do të jetë vit i lig. Dhe kur të pengojnë dhënien e zekatit, do t’i zënë thatësia.”
Çështja e paqes dhe e pajtimit të njerëzve është çështje e shpirtit njerëzor. Paqja e vërtetë ekziston në shpirtrat e njerëzve o nuk ekziston fare. Marrëdhëniet reciproke në mes njerëzve janë pasqyrë dhe reflektim i cilësive shpirtërore e morale. Ajo që zihet dhe vlon në shpirtin e njeriut patjetër do të shfaqët në veprat dhe raportet ndërnjerëzore. Atje ku ka paqe në shpirt atje është e vendosur, ndërsa atje ku nuk ka paqe në shpirt atje duhet mbrojtur. Nuk duhet filozofi e madhe për të treguar sa e keqe është një luftë. Vetëm një përfytyrim i një lufte të mundshme është i mjaftueshëm për ata që kanë mend të kuptojnë sa fisnik është ai zë i cili ngrihet në mbrojtje të paqes dhe marrëdhënieve të mira ndërmjet popujve, feve dhe racave të ndryshme.
Antagonizmat që lindin në mes besimtarëve të feve të ndryshme tregojnë për mosnjohjen e fesë. Ata të cilët kanë raporte të tilla antagoniste, nuk e kanë kuptuar esencën e fesë, shpalljen e urdhëresave e porosive dhe ligjeve të Zotit të cilat kanë zbritur sipas etapave në pajtim me zhvillimin shpirtëror e intelektual te njerëzit.
Edhe e ardhmja e shqiptarëve, kudo që janë dhe çfarëdo besimi i takojnë, do të jetë e lumtur, në qoftë se pjesëtarët e fesë Islame, Katolike e Ortodokse do të përqafojnë e të përvetësojnë secili fenë e vetë me dije e vepër dhe të respektojnë fenë e tjetrit me sjellje të mirë. Si vëllezër nga gjuha, por edhe si besimtarë musliman e të krishterë duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se realiteti dhe fati jo vetëm i yni, por i gjithë botës, që nga fillimi e deri në mbarim të saj është larmi besimesh dhe diversitet kulturash. Ky është vullneti i Zotit dhe cili musliman apo i krishterë do ta merrte guximin të ngrihej kundër vullnetit të Zotit. Njeriu është vepër madhore e Zotit, shkatërrim për atë që cenon nderin dhe dinjitetin e veprës së Tij. Shqiptarët nuk do të kenë përçarje fetare përderisa të besojnë se fetë te Shqiptarë janë pasuri e jo fatkeqësi dhe se Zoti i vetëm është për të gjithë i njëjtë.
Ardhmëria, jo vetëm e Shqiptarëve, por e gjithë njerëzimit është në maksimën : “Beso Zotin dhe bën vepra të mira”.

Besimi dhe sakrifica – karakteristikë e Kurban Bajramit

Kurbani është rruga njerëzore e afrimit të njeriut nga Krijuesi, sikurse është edhe namazi kurban i secilit njeri të devotshëm, d. th. çdo njeri i devotshëm dëshiron që përmes namazit t’i afrohet Zotit të tij. Sepse ai që është i afërt me Zotin, është i afërt edhe me njeriun, i cili ka nevojë për dashuri dhe ndihmë njerëzore.
Të nderuar vëllezër sot, pra, është dita e sakrificës. Ajo është karakteristikë e këtij Bajrami. Pa sakrifica nuk ka ngritje dhe progres. Ibrahimi (a. s.) ishte i gatshëm të flijojë edhe djalin e vet për hir të All-llahut (xh. sh.) sikurse për idealin më madhështor. Vetëm në emër të idealëve të larta, vetëm në emër të All-lahut, mund të bëhen sakrifica të mëdha për të mirën e të tjerëve, për të mirën e popullit, për të mirën e atdheut dhe të njerëzimit në përgjithësi.
Duke i festuar ditët e madhërishme të Bajramit ne përkujtojmë sakrificat e mëdha që janë bërë gjatë historisë për realizimin e atyre qëllimeve e synimeve sublime të jetës njerëzore. Për parimin e bashkëjetesës, për atë që të realizohet atmosfera e lirisë dhe e dashurisë, shumë popuj të botës kanë dhënë sakrifica të mëdha. Pa sakrifica nuk mund të ketë as vepra të mëdha. Njerëzit do të bëhen të shquar dhe të pavdekshëm vetëm nëse janë të gatshëm të sakrifikojnë, ndërsa popujt bëhen të mëdhenj dhe të fuqishëm vetëm nëse stolisën me virtyte e ndjenja sakrifikuese për të mirën e përgjithshme për të mirën e kombit, të atdheut, të njerëzimit.
Ditët e gëzuara të këtij bajrami na përkujtojnë Ibrahimin, Ismailin a.s. dhe gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar çdo gjë për hir të Zotit dhe veprës së mirë.
Vendosmëria e Ibrahimit të bëje sakrificë dhe gatishmëria e Ismailit të bëhet sakrificë, ka qenë sprovë shumë e madhe dhe e pa precedent në histori. I gatshëm të flijoj djalin, lindja e të cilit ka qenë fryt i lutjes dhe i shpresës modeste në pleqëri, gëzim i pritur gjithë jetën. Dhuratë e Zotit që duhej kthyer Zotit. Ta bësh kurban atë, mendja njerëzore do të thoshte ta presësh palmën e gjelbër që shkretëtirës së vdekur i premton shpresë në zgjatjen e jetës, ndërsa për mendjen profetike do të thotë të vërtetuarit e nënshtrueshmërisë ndaj përcaktimit të Zotit.
Kjo është ngritja e njeriut deri tek dashuria më e lartë, dashuria që shkrin çdo dashuri tjetër, deri te vullneti i çeliktë i cili eviton çdo gjë që rrezikon dorëzimin e plotë ndaj Zotit. Ai na jep çdo të mirë, e ne në shenjë mirënjohjeje falim namaz dhe presim kurban. Ai që nuk na do, do të mbetet i pa përkujtuar, ndërsa përkujtimi i ynë është Ibrahimi për brezat e ardhshëm.
Nga sa u tha më lartë, mund të konkludojmë që sakrifica është ajo rruga kryesore, e cila çon te mëshira e Zotit, pse jo edhe te miqësia e Zotit, ashtu si e fitoi Ibrahimi (a. s.) dhe u bë Halilullah (Mik i Allahut).
Çdo musliman e ka për detyrë të ndjekë këtë rrugë, rrugën e atyre prijësve shpirtërorë të cilët i ndihmuan popujt e tyre sa herë që ata e sillnin vetën buzë greminës. Rrugën e profetit të Zotit Muhammedit (a. s.) i cili thoshte se drejtimi i popujve është amaneti dhe përgjegjësia më e madhe në këtë botë dhe se popujt kanë ata prijës që i meritojnë.
Trashëgimtari i parë i Muhammedit (a. s.) Ebu Bekri (r. a.) duke pasur para sysh këtë, ju drejtua populli dhe i tha: “Më vendosët si udhëheqës tuajin, por kjo nuk do të thotë se unë jam më i miri prej jush. Në qoftë se do të punoj mirë, më ndihmoni, nëse gaboj më korrigjoni. Jini të bindur ndaj meje derisa unë i bindëm Zotit dhe Profetit të Tij. Në qoftë se unë heq dorë nga ajo bindshmëri, më braktisni edhe ju mua”.
Një halif tjetër Malik Ibn Mervan i nxitur nga halifet e mëparshëm, tha: “Njerëzit më të mirë janë ata të cilën falin kur kanë mundësi të dënojnë, të cilët janë modestë kur janë në pozita të larta, dhe kur janë në piramidën e pushtetit sillën me drejtësinë më të madhe.“
Duke iu afruar fundit të përkujtojmë edhe njëherë se kurbani është rruga njerëzore e afrimit të njeriut nga Krijuesi, sikurse është edhe namazi kurban i secilit njeri të devotshëm, d. th. çdo njeri i devotshëm dëshiron që përmes namazit t’i afrohet Zotit të tij. Sepse ai që është i afërt me Zotin, është i afërt edhe me njeriun, i cili ka nevojë për dashuri dhe ndihmë njerëzore.
Prandaj dëshiro për vëllanë tënd atë çfarë i dëshiron vetvetes!
Ji përkrahës i vëllait tënd, se edhe ai do të jetë përkrahës i yti!
Vepra më e dashur për Zotin është që njeriu ta gëzojë vëllanë e vet!
Virtyti më i mirë i Bajramit është që t’i përtërish lidhjet e shkëputura më farefisin dhe miqtë, që t’i dhurosh atij që të ka hidhëruar, që t’ia falësh atij që të ka bërë padrejtësi!
Kurban –Bajrami, pra, është gëzim i individit, familjes dhe i ummetit universal të muslimanëve. Porosia themelore e Bajramit është që njeriu t’ i afrohet All-llahut (xh. sh.) përmes ibadetit të kurbanit, i cili ka për qëllim ndihmën e njeriut. D.m.th., feja (besimi) në thelb është afrim i njerëzve në dashuri dhe bamirësi. Prandaj, edhe në këtë Bajram, gjëja më e rëndësishme është që të jemi së bashku, që t’ia falim njeri tjetrit, që t’i ndihmojmë njëri tjetrit, në mënyrë të veçantë atyre të cilët në mesin tanë janë të moshuar, të paaftë dhe të sëmurë. Le të mbretërojë midis nesh besimi dhe le të mbretërojë në të gjithë botën paqja dhe mirësia.

Kurban Bajrami më shumë se një festë

Bajrami i Kurbanit nuk është një feste e zakonshme fetare, ai, bile nuk është as festë, ai është thjeshtë Bajrami i Bekuar (Mubarek). Ka mbështetje fetare, por edhe domethënie tradicionale në kulturën e të gjithë muslimanëve, pra edhe të shqiptarëve. Të theksuarit e aspekteve të tij kulturo-historike, psikologjike folklorike (popullore) i jep karakter specifik shoqëror dhe krijon një ambient dhe atmosferë të veçantë, të cilën e ndjejnë besimtarët, dhe të cilën duhet studiuar dhe hulumtuar. Përveç se Bajrami është simbol i gëzimit, ai është edhe simbol i besnikërisë praktike ndaj islamit të shprehur përmes sakrificës dhe flijimit në rrugën e Zotit, të shprehur përmes ngadhënjimit të egoizmit dhe vetiakizmit, fitorës mbi shejtanin në rrugën e ngritjes shpirtërore drejt mëshirës së All-llahut (xh. sh.). Vetëm përmes sakrificës dhe flijimit mund të ruajmë bërthamën fetare Kur’anore, e cila si muslimanë na përcakton dhe pozicionon në botë e edhe këtu në Evropë dhe Perëndim. Identitetin e Shqiptarit, muslimanit në Perëndim, përveç besimit në All-llahun (xh. sh.) dhe pasimit të pejgamberit Muhammedit (a. s.) e përcakton edhe ndjenja e solidaritetit me besimtarët tjerë.
„Kush nuk kujdeset (nuk tregon interes) për msulimanët, ai nuk u përket atyre“, thotë Muhammedi (a. s.) duke na i caktuar rrethet e atij solidariteti. Pozicionimi ynë i këtillë nuk mund të jetë në mënyrën e getoizimit dhe izolimit, sepse identiteti fetar i muslimanëve në botën perëndimore mbështet në vlerat universale, të cilat provohen në ekzistencën e tyre këtu, dhe tani.
Së këtejmi rrjedh rëndësia e madhe e Kurba-Bajramit, i cili është jo vetëm një obligim fetar, por shumë më tepër – një komponent thelbësor i kulturës sonë të përgjithshme dhe një tregues i fortë i identitetit tonë.
Prandaj, shqiptarët duhet të mësohen në të ardhmen të organizojnë forma të ndryshme të avancuara sikurse janë akademitë me rastin e ditëve të shënuara të Bajrameve, në këtë rast Kurban –Bajramit. Akademitë e tilla ofrojnë mundësinë e përmbajtjeve dhe formave të reja kualitative, të cilat i kontribuojnë ruajtjes së vlerave dhe porosive të vjetra dhe promovimit të vlerave të reja kulturore, shkencore, artistike – universale të Bajramit të Bekuar. Ato nuk nënkuptojnë të mësuarit e ri të islamit, veç se janë forma të reja, të modernizuara të prezantimit të tij. Ato janë dëshmi që askujt nuk mund t‘i merret identiteti i tij e që më parë të mos shkëputet nga e kaluara e tij, kultura dhe tradita e tij. E kur të ndodh kjo, atëherë është lehtë personi i tillë të mashtrohet dhe të sundohet. Për këtë arsye janë ditët e Bajramit të bekuar, ditët e Kurbanit dhe përmbajtjet e Qendrave kulturore islame, që të përkujtojnë, paralajmërojnë dhe trimërojnë.

Në ditët e Kurban – bajramit me kthimin e njerëzve nga xhamia në shtëpi, fillojnë menjëherë përgatitjet për therjen e Kurbanit. Pasi të mbarojnë me therjen e kurbanit, mishi i tij ndahet në tre pjesë të barabarta. Një pjesë u jepet të varfërve, pjesa tjetër u jepet fqinjëve, farefisit dhe miqve, ndërsa një pjesë i mbetet kryefamiljarit dhe anëtarëve të tij. Fëmijët shpërndajnë mishin e kurbanit me qëllim që të gjithë ata të cilëve u ndahet kurbani të kenë mundësi me kohë të përgatisin sillën e Bajramit. Të vizituarit e farefisit gjatë kohës së Bajramit ka një qëllim dhe domethënie unike. Besimtarët gjatë kohës së Bajramit janë të lumtur dhe të gëzuar, e gëzimin gjithmonë është më mirë ta ndash me të afërmit. Përveç kësaj, Bajramet janë koha ideale që disa mospajtime që ekzistojnë përbrenda familjes të zbuten, e ata, të cilët eventualisht janë të hidhëruar me njëri tjetrin, të pajtohen. E gjithë kjo është e rrënjosur thellë në fenë tonë – dini Islamin, i cili kërkon nga besimtarët që të jetojnë në harmoni, në mirëkuptim dhe dashuri vëllazërore. Më në fund ditët e Bajramit janë ditë gëzimi, hareje dhe lumturie. Fytyrat e besimtarëve shkëlqejnë nga gëzimi, kënaqësia dhe lumturia në ditë e Bajramit. Pejgamberi (s) gjatë Bajramit lejonte disa forma të argëtimit dhe dëfrimit me këngë dhe lojëra të ndryshme, të cilat ishin në pajtueshmëri me dispozita dhe parimet e sheriatit islam.
Ditët e bajramit janë ditë të këndimit të tekbirëve me të cilët e falënderojmë All-llahun (xh. sh.) për begatitë të cilat na ka dhuruar dhe na i ofron vazhdimisht gjatë jetës sonë të kësaj bote. Të gjitha traditat e shqiptarëve musliman që kanë të bëjnë me bajramin janë thellë të rrënjosura në traditën islame dhe sunnetin e Pejgamberit të nderuar (a. s.). Bajramet, edhe pse janë festa fetare islame, ato tashmë janë shndërruar në festa gjithë popullore, të cilat kanë marr edhe epitetin e festave kombëtare, shqiptare.

Përmbyllja

Në fund duhet të konstatojmë që bajramet duhet të na frymëzojnë për fitore të reja dhe të jenë momente të pushimit të shpirtit dhe trupit, të cilët do t’ na forcojnë për realizimin ideve dhe projekteve të reja, e jo të jenë raste të argëtimeve të padobishme. Bajrami nuk duhet reduktuar në një manifestim të thjeshtë të kënaqësisë pa kurrfarë kuptimi dhe domethënie. Ato duhet të jenë ditë të ripërtëritjes së fuqisë e jo ditë të rritjes së dobësisë nga poshtërimi dhe ditë të manifestimit të parimeve dhe moralit e jo ditë të madhërimit të epshit, pasionit dhe kënaqësive materiale.
Këto janë ditë kur duhet të ndjehet fuqia dhe aftësia e ndryshimit të gjendjes, e jo fuqia e ndërrimit të rrobave. Këto janë ditë në të cilat i dërgohet mesazh ummetit si të vendoset dhe të përhapet fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Ky është një rast që ky popull, ky ummet të tregojë trashëgiminë e tij pozitive, të dëshmojë se mundet të shkojë në hap me kohën dhe t’i binde të tjerët që nuk është bashkësi e dobët.
Për shkak të këtyre mesazheve dhe domethënieve të fuqishme në islam është vendosur dita e bekuar e Bajramit si një trashëgimi dhe shenjë e kohës në mënyrë që secila gjeneratë të mund t’i dhuronte gjeneratës së ardhshme gjurmët dhe shenjat e kohës së vet si dëshmi e një zelli dhe vetëmohimi të vazhdueshëm hierohistorik të ummetit, i cili mendjen e tij kolektive do ta vërtetonte duke u shërbyer interesave të tij vitale.
Dhe krejt në fund duke e përfunduar këtë shkrim, u dëshiroj nga zemra të gjithë muslimanëve dhe muslimaneve, gra e burra, atyre të cilët sot bëjnë tavaf rreth Qabesë dhe atyre të cilët janë në shtëpi rreth kurbaneve, e gëzofshi Bajramin, duke iu lutur All-llahut të dashur për shëndetin e tyre dhe suksese në jetë dhe punë. Në mënyrë të veçantë ua uroj Bajramin të përndjekurve, të persekutuarëve, të sëmurëve dhe të paaftëve duke iu lutur Krijuesit të Lartësuar që t’ju vijë në ndihmë!
Me dëshira të veçanta Bajramin ua uroj edhe vëllezërve tanë shqiptarë ku do që janë në Diasporë dhe të gjithë muslimanëve në botë:
E gëzofshi Bajramin e bekuar!

Literatura:
1. Ibrahim Hoxhiq, “Mbi të kuptuarit intelektual dhe primitiv të fesë”, Sarajevë, 1971).
2. Mr. Muhidin Ahmeti, Përmbledhje ligjëratash fetare, Shkodër, 1996.
3. Bilal Hasanoviq,“Izbor hutbi i vazova”, Sarajevë, 1990
4. Mustafa Fetic, Kazivanja sa minebra, Novi Pazar, 2006
5. Halil Mehtic, Vazovi, Zenica, 2004
6. Ilmihal – Der Gelebte Islam, Frankfurt, pa vit botimi.
7. N. Mual’lim, 2/ 2000)
8. www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001_2007 >
9. www.brodarevo.net/
10. www.scribd.com
11. www.muslime-in-niederkassel.de/
12. www.igmg.de/
13. www.moforaja.com/thread
14. www.ikc-berlin.de

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a) – Nga arkiva

Exit mobile version