Njëra prej angazhimeve tona, krahas namazit dhe agjërimit gjatë muajit Ramazan, është leximi i Kuranit. Secili besimtar musliman që di të lexojë Kuranin në gjuhën arabe e bën të paktën një hatme përgjatë muajit të bekuar, duke lexuar çdo ditë nga 20 faqe të librit.
Por cilat janë format e leximit-këndimit të Kuranit?
Leximi i kënduar TERTIL, që e njohim më shumë, klasifikohet në tre lloje kryesore, dhe secili lloj ka nëntipe:
TAHKIK: Është leximi i Kuranit në mënyrë të matur, pa nxitim dhe duke i dhënë çdo shkronje artikulimin dhe zgjatimet e duhura, si leximi i El-Husarit dhe El-Minshawiut.
TEDVIR: Është lexim me shpejtësi mesatare dhe rrjedhshëm, duke respektuar rregullat e Texhvidit. Ai renditet midis TERTILIT dhe EL-HADR.
EL-HADR: Është përshpejtimi i leximit në mënyrë që të shtohen veprat e mira, duke lexuar shumë dhe duke respektuar rregullat e Texhvidit.
Një pyetje që gjithmonë e bëjmë kur gjendemi në Ramazan:
A llogaritet hatme nëse e dëgjoj Kuranin nga një lexues i caktuar, nga sureja El-Fatiha deri te En-Nas?
Përgjigja:
A dinte i Dërguari a.s. shkrim dhe lexim? JO, nuk dinte.
Po si i zbriti Kurani atëherë?
Kurani i zbriti me dëgjim; atij ia lexonte me zërin e tij Xhibrili a.s., meleku i ngarkuar me shpallje, dhe Muhamedi a.s. e përsëriste derisa e mësoi të gjithë Kuranin.
Pra, llogaritet hatme e plotë e dëgjimit, nëse e përcjellim të plotë Kuranin nga sureja e parë deri te sureja e fundit.
E sugjeroj këtë metodë për ata persona që nuk e njohin leximin e Kuranit në gjuhën arabe. Po ashtu, kjo mund të praktikohet në rastet kur në disa xhami bëhet hatme gjatë namazit të teravive dhe xhemati e dëgjon të gjithë Kuranin deri në teravinë e fundit.
Sot ka mjaftueshëm aplikacione që e lehtësojnë një hatme të tillë, ndaj ua rekomandoj të gjithëve që ta aplikojnë këtë formë të hatmes së Kuranit. Kështu, do të zhvillojnë aftësitë e dëgjimit dhe do të afrohen edhe më shumë me librin e ALLAHUT.
DËGJONI KURANIN DHE DO TA SHIJONI MREKULLINË!
Hoxhë Ekrem Ahmeti