Shkruan: Driton Morina
Po e filloj këtë reagim timin me një fjalë të urtë popullore, ngase fjalët popullore tek ne gjithmonë kanë qenë peshoja më e mirë për të ditë vlerën e çdokujt dhe çdo sendi.
Se këndejmi, edhe pse i lodhur nga puna madje mjaftë i pakohë, gjersa po sodisja saktësinë dhe përpikërinë e trenave në Stacionin Qendror të Munihut, gjeta rastin që gjatë udhëtimit ta hap pak Facebook, si shumica e shqiptarëve.
Por nuk munda të mos kyçëm që ta shpreh indinjatën time të thellë në lidhje me keqpërdorimin jo vetëm të kohës si koncept por edhe të termit kohë dhe rrethana kohore. Kjo për faktin se shqiptarët me shumicë janë ‘badihavxhi’ dhe nuk bëjnë asgjë më shumë sesa të marrin njerëzit nëpër gojë, përderisa vetë vetëm i kruajnë birat e hundëve.
Për fat të keq, viktimë e këtyre hundkruarjeve kësaj radhe po bëhet një njeri akademik, studiues, hulumtues, autor dhe specialist i rrallë, prej të paktëve sosh që ka vendi ynë në lëmin e fesë, pra Dr. Shefqet Krasniqi. Ky studiues po mundohet t’i bëjë të verbëritë që të shohin, kurse ata në vend se ta falënderojnë po e akuzojnë se ti nuk po e kupton sa mirë që jemi ne në errësirën tonë. Andaj është ndryshim botësh dhe botëkuptimesh, mu për këtë Krasniqi, sikur dikur Teslla e Ainshtajn, po akuzohet për interpretime jashtë kohe.
Me sa duket ata që kanë tepër kohë, e që koha jo vetëm që nuk u vlen as pesë pare por edhe nuk u ecën, ata si këmbim merren me të tjerët se kush çka tha dhe çfarë bëri. Prijësit tanë, të cilëve jo vetëm që u janë krimbur idetë por me sa duket edhe kolltukët duke ndenjur kot në to, po konsiderojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e vendit tonë të dështuar e të korruptuar në të gjitha anët. E vetmja gjë që ka mbetur pa u zgjidhur aktualisht është çështja se si duhet të interpretohet Kurani në rrethana kohe, brenda kohe dhe jashtë kohe. Kur i dëgjon këto terma të mbushet mendja se ke të bësh me jashtëtokësorë, ndërsa kur shikon thelbin e problemit gjen se ata që na flasin se si interpretohen gjërat në rrethana kohore dhe gjuhë të përshtatshme komunikimi, nuk ia kanë haber as Kuranit, as interpretimit në rrethana kohe e as gjuhës së komunikimit masiv.
Pa me tregoni ju lutëm sa të kujdesshëm, e mos të flasim se sa njohës të mirë, në deklarata dhe gjuhë komunikimi, por edhe në rrethana kohe, janë si ata që po keqpërdorin kolltukët e BIK po ashtu edhe ata që po keqpërdorin kolltukët e Prokurorisë. ‘Harrni për gëzof thotë populli’.
Ndaj, jo vetëm që është për keqardhje por edhe për gërdi kur dëgjon se si njerëz më gjysmë kualifikim apo edhe pa të fare, të fshehur pas nënshkrimeve pa identitet, bashkëpunojnë në mes vete duke u mbështetur në forcën e miqësisë klanore dhe strukturës nepotiste, e marrin guxim ta ‘përmirësojnë’ një akademik shkencash, në fushën e tij të ngushtë, duke e akuzuar për jashtëtokësor. Pra se po interpreton fenë jashtë kohe! Ama vetëm një fe, për të tjerat nuk ka dert se ato janë të garantuara për shprehje të lirë!
Sipas një mentaliteti të këtillë, që i ka dalë moti boja, qoftë fetar apo shtetëror, udhëheqësit politikë që u ka kaluar mandati apo edhe disa që akoma janë në pushtet, në shtetet e fuqishme, duhet të gjithë të burgosen. Kjo ngase ata kanë themeluar, mbështetur financiarisht, kontrolluar dhe armatosur grupe dhe organizata të ndryshme terroriste jo vetëm për të fituar para të majme, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, por edhe për të rrëzuar regjime të ndryshme diktatoriale dhe jodemokratike, që në fakt nuk e bënë kurrë.
A ka ndokush që guxon të merret me dështimet politike të qeverive të ndryshme botërore, përfshirë edhe qeveritarë tanë, të cilat kanë themeluar dhe përkrahur grupe, të cilat edhe pse keqpërdorin dhe shëmtojnë islamin, ato, megjithatë, janë organizata dhe lëvizje politike, të themeluara për qëllime politike, të shpallura si terroriste për qëllime politike, etj, etj. A ka ndokush! Natyrisht se kjo nuk ndodh, sepse aty ‘gjigja-buba’, pra thënë ‘facebookiançe’ ‘forca e bënë fuqinë’.
Ndërsa një akademiku të gjorë, pa asnjë faj, i lidhen e i përdridhen sikur të kishte bërë namin, vetëm pas kanë pak forcë pushteti në dorë. Për fat të keq institucionet e Kosovës po e luajnë rolin e vesë që po tenton ta mësojë pulën. Veja mbetet ve sado që rritet edhe nëse bëhen të dyja bashkë, prapë dy ve bëjnë, jo më tepër. Kështu ndodhë kur institucionet i kapë anarkia dhe në vend se ta luajnë rolin e tyre ato keqpërdorin atë, dhe pastaj në sy të popullit vlejnë sa dy ve pëllumbi.
Gjersa po sodisja dritat e Munihut mu kujtua ta ngushëlloj Dr. Krasniqin që të mos brengoset, ngase as të verbëritë por as ziliqarët kurrë nuk kanë arritur ta ndezin asnjë dritë. Çka është më e rëndësishmja, ata nuk kanë arritur dhe as që do të arrijnë ndonjëherë ta fikun asnjë dritë. Ndaj vazhdo ndriço zemrat dhe mendjet e njerëzve me dituri, i nderuar Dr. Shefqet, madje edhe nëse shikohet si e gabueshme, sepse një dituri e gabueshme ka shumë shanse për përmirësim, kurse ajo që nuk ka shans të përmirësohet është padituria, sepse ajo mbetet përgjithmonë padituri.