Kur tregohen dhëmbët!

Mersel Bilalli

Në ndeshje me identitetet greke e humbi emrin e saj dhe krenarinë që pretendonte. Në ndeshje me bullgarët e humbi historinë e kontestuar me arsye. Në ndeshje me shqiptarët po e humb dominimin institucional, të cilin si duket as Tito nuk ua sprovonte për interesa madhore. Kjo, në esencë, mund t’i ndodhte vetëm një kombi që s’di çka lyp as nga vetvetja. Nuk mund të hetosh te të tjerët atë që nuk e ke në vetvete. Në fakt, shumë veprime u përngjajnë orëve që tregojnë një kohë, por djegin një tjetër.

Mersel BILALLI, Gostivar

Me të drejtë, shumë shkencëtarë europianë janë të mendimit se përktasia etnike maqedonase paraqet një shoqëri sa komplekse, po aq edhe të kompleksuar në raporte asimetrike me kombet fqinjë. Këso kompleksesh e kanë përcjellë këtë bashkësi ndër shekuj dhe ende vazhdojnë ta përcjellin në dëm të vetvetes. Shumë njerëz janë si orët: tregojnë një kohë dhe shënojnë një tjetër. Nuk është e rastit që ky shtet 30 vjetët e fundit në kushte pavarësie i humbi të gjitha shanset për të dalë në rrugë të drejtë. Humbi masë të madhe të mirëqenies sociale, por edhe segmente themelore të natyrës identitare. Në ndeshje me identitetet greke e humbi emrin e saj dhe krenarinë që pretendonte. Në ndeshje me bullgarët e humbi historinë e kontestuar me arsye. Në ndeshje me shqiptarët po e humb dominimin institucional, të cilin si duket as Tito nuk ua sprovonte për interesa madhore. Kjo, në esencë, mund t’i ndodhte vetëm një kombi që s’di çka lyp as nga vetvetja. Nuk mund të hetosh te të tjerët atë që nuk e ke në vetvete. Në fakt, shumë veprime u përngjajnë orëve që tregojnë një kohë, por djegin një tjetër.

Këtë amulli identiteti historianët e definojnë si njëfarë gërshetimi të disa komplekseve historike kundruall identiteteve përreth, shpesh të kundërshtuara në brendi dhe mes vete, madje herë-herë të pëcjella edhe me gjakosje. Shumë ngjarrje të kaluara, por edhe të tanishme, realitetet identitare maqedonase i definojnë si një labilitet i shfrenuar etnik e social, që shpesh rrejshëm bën gjoja se pajtohet me njëfarë forme konformiteti, zakonisht të më të fortit, që në momente dhe rrethana tjera të favorshme për veten, të njëjtëve t’u krijojë armiqësi të përbetuar. Kjo tani një kohë po u ngjan më bullgarët, me serbët, me grekët dhe e faturuar në vazhdimësi ndër shqiptarët.

Ky kompleksivitet etnik e social i tyre ka ndikuar që ky komb maqedonas në mënyrë permanente të konfrontohet me kombet fqinjë, qoftë në aspekte të identiteteve, të kishave, të historive, të dominimit, duke synuar që me logjikën e një liliputi megaloman të përvetësojë histori dhe identitete të huaja me famë, që me asnjë argument serioz shkencor nuk mund të dëshmohen. Kjo ka bërë që ky komb i vogël e tepër megaloman të trajtohet si komb i kompleksuar nga shumë studiues rajonalë e botërorë, që tezat e tyre lidhur me ngjarrjet historike në rajon i kanë ndërtuar në bazë të kritereve standarde shkencore.

Një pjesë jo aq e vogël maqedonasve etnikë pretendojnë se janë kontinuitet i maqedonasve antikë dhe Aleksandrit të Madh, të cilët kanë dominuar në këto treva para më shumë se gjashtë shekuj, para se në këto troje të vendoseshin sllavët e ardhur përtej Karpateve.

“Aleksandida” është një roman që i është kushtuar mbretit të maqedonasve antikë – Aleksandrit të Madh, nga autori Pseude Kalisten. Romani në fjalë u ka shërbyer disa autorëve të tjerë plagijatorë që të bëjnë konstrukte lidhshmërie mes maqedonasve antikë dhe këtyre të tanishmëve, që identitetin e vet të vërtetë e kanë ndërtuar jo më pak se 19 shekuj më vonë. Në fakt, në shekullin e 19-të “Aleksandida” kishte një rëndësi të veçantë në zhvillimin e mendimit rilindas maqedonas, sepse nuk bënte dallime midis maqedonasve të sotëm dhe atyre antikë. Ata e shihnin veten si pasardhës dhe trashëgimtarë të maqedonasve të lashtë dhe të Aleksandrit të Madh!

Në mesin e shekullit të 19-të, mbështetësi më i madh i pretendimit për vazhdimësinë e maqedonizmit ndër shumë shekuj ishte rilindësi Jordan Haxhi Konstantinov – Xhinot. Një shkencëtar dhe gjeograf i njohur bullgar Vasil K’nçov thotë se Xhinot predikonte nëpër qytete ku jetonte popullata maqedonase se prejardhja e tyre ishte nga maqedonasit antikë! Në vitin 1845, hieromonku Atanas Makedonec e botoi një vepër letrare të quajtur “Tregim për Aleksandrin e Madh”, të cilin e kishte shkruar në gjuhën popullore maqedonase, por në alfabetin grek, ku thuhet se prejardhja e Maqedonasve të tanishëm kishte pas qenë pastër nga maqedonasit antikë! Një humor ndër historiografinë europiane.

Aspekti i dytë në karakteristikat e ngatërruara kulturore të këtij kombi është konformizmi identitetial me më të fortit në momente të ndryshme historike, si oportunitet ekzistencial, që në faza të ndryshme shprehej si afërsi me bullgarët ose me serbet, madje edhe me grekët. Por, fare pak ose aspak me shqiptarët.

“Armiqtë” e maqedonasve!

Kompleksiviteti identitar i popullatës aktuale në këte territor, që tani emërtohet si Maqedonia e Veriut, ka vazhduar edhe ndër dekada të mëvonshe dhe ende s’ka mbaruar, edhe pse tanimë në qarqet moderne të studimit të historisë gjithë kjo duket sa komike, po aq tragjike! Tragjedia e mendjes megalomane të trupit liliputian ka bërë që ky shtet, për dekada, të mbetet në margjina, jo vetëm të Europës, por edhe të Ballkanit. Kjo ka bërë që ky shtet, që ende vazhdon të mbetet peng i shumë të pavërtetave historike, jo vetëm t’i lëshojë momentet kruciale për ardhmërine e vet, por edhe të vazhdojë të veproj si një i dehur që mendon se është më i mençuri e më i pasuri, i cili as që e kupton dëmin që ua bën të tjerëve dhe vetvetes, edhe pasi t’i ketë kaluar dehja. Nga rangimi i dyti mes 16 shteteve të Europës Lindore, pra pas Sllovenisë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, ai tani ka mbetur i fundit në rajon, akoma pa vizion se kah duhet të ecë. Më e keqja është se në rrugën e tij vetëvrasëse ky shtet i tërheq edhe shqiptarët, të cilët e zbrazin vetveten me faj ose pa faj të tyre. Madje, në këso amullie kanë bastarduar edhe vlerat elementare dhe ekzistenciale shoqërore.

Sondimet e mendimit publik tregojnë se Shqipëria dhe Kosova janë armiq më të mëdhenj të Maqedonisë së Veriut, kurse afërsia më e madhe e saj mbetet me Serbinë dhe Rusinë. Kështu kanë vlerësuar qytetarët maqedonas përfshirë në një anketim të “Eurometar”, të realizuar nga Qendra për Strategji Europiane “Eurothink” në Shkup.

Duke u përgjigjur në pyetjen se “Cili shtet mund të jetë ‘armiku më i madh i Maqedonisë’?”, diku rreth 6 për qind e qytetarë vlerësojnë se ajo është Shqipëria, që paraqet një rritje në krahasim me vitin 2020, kurse rreth 4 për qind vlerësojnë se armiku më i madh është Kosova, që po ashtu paraqet rritje në krahasim me vitin 2020. Nivele më të ulta se kualifikimi “armik”, siç janë “kundërshtarë”, “jo të preferuar” – arrijnë në nivelet e afro 65-përqindëshit, që në njëfarë mënyre nuk i preferojnë shqiptarët. Në këtë sondazh, edhe SHBA-ja konsiderohet si një ndër armiqtë e mëdhej të Maqedonisë së Veriut. Vetëm 0.3 për qind e tyre armik më të madh e konsiderojnë Serbinë dhe Rusinë.

Përndryshe, pas kontestit më të ri me Bullgarinë, si “armik” më i madh i Maqedonisë së Veriut bindshëm prin Bullgaria, me 51.5 për qind, që megjithatë paraqet rënie të madhe krahasuar me vitin 2020 kur kjo ka qenë afër 78 për qind. Në krahasim me vitin e kaluar është rritur dukshëm edhe numri i qytetarëve që si armik kryesor të vendit e konsiderojnë Bashkimin Europian (në vitin 2022 ishte rreth 1 për qind, kurse në 2023 rreth 3 për qind). Në nivel relativisht të lartë ende është numri i qytetarëve që si armik kryesor e perceptojnë Greqinë.

Në pyetjen e “mikut më të mirë” bindshëm prin Serbia, të cilën si të tillë e konsiderojnë rreth 25 për qind e të anketuarëve, kurse Shqipërinë vetëm 4.4 për qind, ndërsa Kosovën vetëm 0.4 për qind simbolik.

Pas Serbisë, si vende më mike konsiderohet SHBA-ja me 10.4 për qind, Gjermania me 8 për qind dhe Turqia me 7.3 për qind. Përndryshe kjo anketë voluminoze përmban edhe të dhëna tjera të shumta, siç janë të dhënat që tregojnë se shqiptarët edhe mëtej në përqindje të madhe (82 për qind) e shohin anëtarësimin në BE si zgjidhje më të mirë për vendin, për dallim prej maqedonasve ku dukshëm është rritur numri i atyre që vlerësojnë se RMV-ja duhet të zhvillojë model të saj për zhvillim.

Maqedonia në “dioptrinë” shqiptare!

Për dallim nga perceptimi grek, bullgar e serb, që esencialisht bazohen në perceptim gati homogjen ndaj maqedonasve, shqiptarët kanë dallime të mëdha në perceptim, që pa dilemë rrjedhin nda rrethanat divergjente historike dhe politike.

Është bërë standard që një kosovari të zakonshëm maqedonasit i duken si një komb egoist, nacionalist, antishqiptar dhe kjo, natyrisht, e ul dukshëm besueshmëri ndaj pjesëtarëve të këtij kombi. Në sytë e një shqiptari nga Kosova, maqedonasit duken tejet të vrazhdë, ofendues, injorues, nënçmues dhe jobesnikë. Këtu vështirë se mund të ketë ndonjë përmirësim të shpejtë dhe do duhet shumë kohë dhe komunikim të ndërsjellë, që perceptimi aktual të mund të përmirësohet. Ndër maqedonasit dominon perceptimi se konflikti i viti 2001 ishte i organizuar nga qarqe kosovare dhe frika vazhdon të jetë prezente ende.

Por, dallim esencial ka në perceptimin e shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët në masë të caktuar akoma nuk bëjnë dallimin mes pjestarëve të nacionalitetit maqedonas dhe atij shqiptar në Maqedoni. Madje, duke u nisur nga përkatësia shtetërore (e shtetësisë), ata vazhdojnë që shqiptarët e këtij vendi t’i trajtojnë si “maqedonas”, pa fije ndjenje në dallimet esenciale mes tyre dhe kontradiktat shekullore mes tyre. Në veçanti, në memorinë kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë është e memoruar ekspedita famëkeqe serbe gjatë Luftës së Parë Botërore (e cila ka qenë e mirëpritur nga shumë maqedonas vendas), kur pa asnjë faj janë masakruar shumë familje shqiptare.

Po ashtu, gjatë periudhës së hershme komuniste, ku faktor tejet me peshë vendimmarrës ka qenë Aleksandar Rankoviqi, shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni i janë nënshtruar torturës dhe presioneve permanente për largim për në Turqi. Kjo fushatë pushon pas shkarkimit të tij nga të gjitha postet në fund të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar.

Viteve të fundit, kemi sërisht një thellim të mosbesimit, e cila si duket është pjellë e mosfunksionimit të institucioneve të shtetit, e që në qarqe të caktuara perceptohet si “humbje e shtetit maqedonas”. Këtë, sikur me papërgjegjësi, e ndihmuan edhe disa pushtetarë shqiptarë, që lëvdoheshin me funksionet që mbanin, madje duke çuar mesazhe absurde se shqiptarët e pushtetit janë ata që në fakt menaxhojnë me “shtetin maqedonas”. Pra, në pjesën e mendimit publik maqedonas filloi të mbjellet bindja se, me ndihmën e faktorit të jashtëm, shqiptarët po e bëjnë shtetin e tretë të vetin në Ballkan, duke i shndërruar maqedonasit në qytetarë të dorës së dytë!

Pa dilemë se shqiptarët në qeverinë e fundit dukej se kishin një rol më të madh, por gjithë kjo në esencë ishte dhe ende është një bindje e rrejshme dhe skajshmërisht artificiale. Sepse, pa dashur ta mohojmë peshën e funksioneve që ushtronin shqiptarët në qeverinë që akoma ekziston, institucione kryesore të shtetit janë disa tjera – Agjencia për Siguri Nacionale, Drejtoria e Zonave të Lira Ekonomike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Drejtoria e Doganave dhe, së fundi, Drejtoria e të Ardhurve Publike. Në taborin tjetër me peshë mbetet vetëm Ministria e Finansave, kurse resorët e tjerë të ministrive janë vetëm veprim standard punësh.

Kështu filluan mesazhet e shigjetat nga pjesa maqedonase se dikush tjetër u bëhet patron në shtëpinë e tyre dhe kjo krijoi shumë frustrime, me të cilat do të ndeshemi së shpejti. Kjo do vazhdojë të harxhojë energji shtesë, gjersa shqiptarët tmerrshëm i boshatisin mjediset e tyre. Realiteti kuptohet vështirë, se gabimi më i madh bëhet kur në vend të mirëkuptimit tregohen dhëmbët. /revistashenja