Vizitat familjare shpesh bëhen në shtëpinë e gjyshit dhe gjyshes, sepse aty është vatra ku bashkohen fëmijët dhe nipërit për të ndarë momente të veçanta. Herë pas here, shtëpia e gjyshes shndërrohet në një vend tërheqës, ku fëmijët dhe nipërit mezi presin me padurim ditën e takimit. Por ka edhe raste kur ajo humbet magjinë e saj dhe kthehet në një vend që fëmijët e shmangin, duke gjetur justifikime për të mos shkuar. Pyetja që lind është: çfarë e bën shtëpinë e gjyshes një vend mikpritës dhe çfarë e kthen atë në një vend të huaj që dëshiron të shmangesh prej saj?
Shtëpia e gjyshes bëhet tërheqëse kur ajo ofron dashuri, ngrohtësi dhe kujdes për të mëdhenjtë dhe të vegjëlit, duke e bërë shtëpinë një vend të rehatshëm ku të gjithë ndihen të mirëpritur. Roli i gjyshes është që të krijojë një mjedis të ngrohtë dhe të respektueshëm për të gjithë, të menaxhojë konfliktet dhe të ndihmojë në bashkimin e familjes, veçanërisht kur ka mosmarrëveshje midis fëmijëve ose nipërve dhe mbesave. Kur të gjithë ndihen të respektuar dhe të mirëpritur, ata e shohin atë shtëpi si të tyren dhe jo si një vend të huaj.
Shtëpia e gjyshes është tërheqëse kur ka gëzim, humor dhe buzëqeshje, qoftë përmes tregimeve interesante, festave familjare për raste si suksesi në shkollë, ardhja e një foshnjeje të re në familje, apo kthimi i një anëtari nga udhëtimi, etj Shpesh, nipërit dhe mbesat e kujtojnë shtëpinë e gjyshes për ushqimet e shumëllojshme dhe lojërat e ndryshme.
Shtëpia e gjyshes shndërrohet në një vend të huaj kur aty ka shumë tallje, mungesë respekti, kritika të vazhdueshme ndaj fëmijëve ose nipërve dhe mbesave, nervozizëm dhe zhurmë nga të rriturit dhe të vegjëlit. Nëse nipërit ndalohen të luajnë ose nuk u jepet liri, ata fillojnë ta urrejnë atë vend. Gjithashtu, favorizimi i hapur midis nipërve apo mbesave krijon urrejtje midis tyre, duke çuar në përçarje midis prindërve të tyre. Një atmosferë e ngarkuar me konflikte familjare e bën shtëpinë një vend të huaj.
Shtëpia e gjyshes mund të formojë breza të shkëlqyer përmes sjelljes së saj me fëmijët, nipërit dhe mbesat. Në historinë e Profetit (a. s), ne lexojmë se Fatime bintu Esed, nëna e Aliut (r.a) dhe gjyshja e Hasanit dhe Huseinit, luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e Profetit (a.s) pas vdekjes së nënës së tij. Ajo e ka pasë konsideruar Profetin (a.s) njëlloj si fëmijët e vet. Gjithashtu, Safije bintu Abdul-Mutalib, halla e Profetit (a.s.), edukoi breza të shquar në shtëpinë e saj, përfshirë këtu Zubejr ibn Auamin (r.a), një nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet. Dhe ndonjëherë, mund të ndodhë që një gjyshe nuk është domosdoshmërisht gjyshja jote biologjike, por ajo rrit dhe edukon breza të mëdhenj, siç është rasti i shtëpisë së Aishes (r.a.), bashkëshortes së Profetit (a.s), e cila ishte një mësuese dhe edukatore shumë e mirë për shumë sahabë dhe tabi’inë.
Shtëpitë e gjysheve, në të kaluarën dhe të tashmen, janë si shkolla ku fëmijët, nipërit dhe mbesat mësojnë suksesin dhe përkushtimin që nuk e mësojnë në shkolla. Gjyshet mund të jenë të ndryshme: një gjyshe jep udhëzime, një tjetër është e dashur dhe ofron dashuri për të gjithë, një tjetër është e hareshme duke krijuar një atmosferë të këndshme, një tjetër është e rreptë duke vendos rregulla e disiplinë të hekurt, një tjetër është moderne dhe përdor teknologjinë për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen, e një tjetër…
Shtëpia e gjyshes duhet të jetë një vend ku të mëdhenjtë dhe të vegjëlit mblidhen, ajo është një strehë e sigurtë dhe një mjedis dashurie dhe mësimi. Njoh një gjysh që çdo Ramazan organizon një program për fëmijët, nipërit dhe mbesat në Mekë, ashtu sikur njoh një gjyshe që çdo verë organizon një udhëtim me familjen për të forcuar lidhjet familjare. Nëse gjyshja ose gjyshi nuk mund të luajnë këtë rol për shkak të shëndetit ose moshës, përgjegjësia bie mbi motrën e madhe ose bashkëpunimin midis vëllezërve dhe motrave për të ruajtur vlerat e shtëpisë së gjyshes.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi