Nëse Muhamedi alejhi selam, nuk do të ishte i Dërguar, njerëzorja e tij do të ishte në nivelin e të Dërguarve..
Muhamedi alejhi selam me pjekurinë dhe ngritjen e tij njerëzore, i tejkaloi të gjitha pengesat e vetvetes, ambientit ku jetoj, madje kapërceu kufijtë e të gjitha kohërave dhe vendeve.
Kjo madhështi e tij në radhë të parë buron nga njerëzorja që kishte, pastaj, mënyra se si ai e formoi veten, ndërgjegjen dhe mendjen e tij, gjithnjë nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e Zotit të Madhërishëm.
E vërteta është se “Muhamedi njeri” ishte personi më i shkëlqyer që pati ndonjëherë bota, e kur kjo u takua me “Muhamedin profet”, atëherë madhështia e tij i tejkalon të gjithë kufijtë e lavdërimit.
Kur flasim për personalitetin unik të Muhamedit alejhi selam, duhet një gjë ta kemi parasysh: nuk është unik një njeri veç pse mund të ketë diçka që të tjerët nuk e kanë, nga natyrshmëria, njohuria, puna apo çfarëdo qoftë tjetër! Njeriun e bënë unik funksionimi, ekuilibrimi dhe mënyra e aplikimit të vlerave në jetën e përditshme, duke krijuar kësisoj qasje përfekte për gjërat apo fenomenet, duke e ruajtur gjithmonë legjitimitetin e këtyre veprimeve që pastaj do të jenë model për gjithë të tjerët.
Pse kemi nevojë ndonjëherë të vendosim njerëzoren përballë pejgamberisë?
Në mënyrë që të paralajmërojmë për karakteristikat e pastërta njerëzore që Muhamedi alejhi selam ndan me njerëzit e tjerë, edhe pse dihet botërisht që kishte epërsi ndaj tyre.
Duke qenë se ishte kështu, na lumturon pa masë dhe na bënë të magjepsemi derisa e kujtojmë se ishte njëri nga ne, nga lloji i ynë. Kjo sigurisht na jep besim në vetët tona dhe na bënë të respektojmë vazhdimisht njerëzoren tonë, e cila në këtë rast arriti të avancojë deri në një shkallë kaq të lartë të edukatës.
Gjëja më e rëndësishme që e karakterizon biografinë e të Dërguarit të All-llahut, është fakti se ai ishte njeri i nderuar dhe i zgjedhur të pranojë shpalljen e Zotit, kjo duke mos e larguar atë nga natyra njerëzore (përveç takimit me botën melekore të shpalljes), duke mos e përzierë atë me mite të ndryshme të jetës, si dhe duke mos i shtuar atij asnjë element të hyjnisë, sadopak qoftë.
T’i zgjedhim disa shembuj nga jeta e tij e ndritshme, ku shfaqet qartazi se si funksionoi feja dhe njerëzorja në personalitetin dhe jetën e tij, në mënyrë krejtësisht të natyrshme.
🔴 – Njeriu që arriti nivelin e komunikimit me mbretërit e botës në atë kohë, duke kërkuar prej tyre të heqnin dorë nga arroganca dhe t’i lënë popujt e lirë të besojnë në Zotin Një, po ky njeri e dëgjoi me ngrohtësi dhe kënaqësi një beduin të zbathur, kur me marrëzi dhe pa kurrfarë edukate iu drejtua Muhamedit a.s.: O Muhamed, ndajë me drejtësi, se kjo nuk është pasuri e jote, as e babait tënd.
🔴 – Kur falej u printe muslimanëve në namaz, dihej sa dhe si e përjetonte lidhjen me Zotin e Madhërishem, derisa qëndronte në këmbë duke recituar sure të gjata nga Kur’ani Fisnik, nuk shkonte gjatë, po ky njeri, dëgjonte vajin e një foshnje në xhami, që me vajin e saj thërriste nënën e vet.E shkurtonte menjëherë namazin dhe pas tij thoshte, hyra me qëllim të zgjasë namazin, por kur dëgjova vajin, ndjeva dhimbje për atë foshnje dhe nënën e saj dhe e shkurtova.
🔴 – Në ditën e çlirimit para tij qëndronin të përulur, gjithë ata që zhvilluan luftë dhe urrejtje vite me radhë, ata që maskaruan trupat e familjes së tij, me një brutalitet të paparë. Atë ditë atyre u tha: shkoni, ju jeni të lirë, sot nuk ka hakmarrje.
🔴 – Në udhëtimet e tij të shpeshta me shokë, kur ju duhej pushimi për gatim dhe secili merrte ndonjë detyre, ai thoshte: unë do i mbledhi drunjët dhe do e ndezi zjarrin.
🔴 – Në fjalimin e tij, thuajse të fundit, derisa po fliste për Zotin e Gjithësisë, dhe po iu kujtonte besimtarëve vlerat e larta islame, nuk harroi të shpaloste diçka nga trupi i tij i bekuar duke thënë: nëse dikujt i kam hyrë në hak, ja ku e keni trupin tim, ju lutem merrni hakun tuaj.
Khalid Muhamed Khalid në librin e tij “Njerëzoret e Muhamedit”, numëron pesë vlerat themelore mbi të cilat Zoti e edukoi Muhamedin alejhi selam 40 vjet si Muhamed, e 23 vjet si Lajmëtar a.s.:
🔴 Mëshira ishte qenësia tij.
🔴 Drejtësia ishte ligji i tij.
🔴 Dashuria ishte natyra e tij.
🔴 Lartësimi i vlerave ishte misioni i tij.
🔴 Zgjidhja e problemeve të njerëzve ishte formë e adhurimit të tij.
Nëse i vështroni me kujdes ngjarjet e viteve të fundit në zonat myslimane, sidomos ato që kanë të bëjnë me dhunën, gjithë ato skenat antinjerëzore të ndërlidhura shpesh me petkun fetar, të orkestruar në atë mënyrë sikur të ishin filma holliwudian, kanë një emërues të përbashket: përpjekjen për ta ndarë fetarinë nga njerëzorja, e për rrjedhojë të kësaj, për t’i paraqitur njerëzit fetarë pa asnjë vlerë minimale njerëzore, thënë me ndryshe, përpjekje maksimale për t’i provokuar në mënyrën më ekstreme ndjenjat e besimtarëve, dhe pastaj ekzagjerimi i këtyre veprimet reaksive jo të matura, për t‘i nxjerr sa ma keq ata.
Në kuadër të kësaj janë provokimet e karikaturave që nuk kursyen as Muhamedin alejhi selam.
Nga Halil Avdulli