Ata që jetojnë në iluzione dhe presin Natën e Kadrit për të realizuar dëshirat dhe ëndrrat e tyre, duke menduar se ajo do t’u sjellë begati, ndërkohë që janë në një gjumë të thellë dhe duhet të zgjohen prej tij.
Nata e Kadrit nuk është për dëshirat boshe. Kush punon për të mirën, do të shpërblehet me të mirë, dhe kush bën keq, do të marrë atë që i takon.
Në natën e 27-të të Ramazanit, dëgjohet shumë zhurmë dhe vaj në xhamitë e myslimanëve, dhe të gjithë përgatisin listat e lutjeve dhe kërkesave të tyre, duke menduar se ajo është një natë për realizimin e dëshirave pa punë dhe përpjekje.
Ndërkohë, ata luten kundër armiqve, jobesimtarëve dhe mëkatarëve, por ata (armiqtë) vetëm sa bëhen më të fortë dhe më të qëndrueshëm në vendet e tyre, sepse qendrat e tyre të kërkimeve shkencore nuk ndalen kurrë dhe investojnë shuma të mëdha për të sjellë mirëqenie për popujt e tyre. Ndërsa popujt tanë dalin nga një krizë dhe bien në një tjetër.
Pra, ku është Nata e Kadrit?
Nata e Kadrit është ajo në të cilën zbriti Kurani, siç thuhet qartë në ajetet hyjnore. Ishte nata në të cilën Allahu ndryshoi fatin e këtij ummeti.
Kush e kupton si një natë dëshirash pa përpjekje, është puna e tij. Kush e kupton si një natë për kërkime në disa net, është puna e tij, dhe nuk e mohojmë.
Por, ajo që kuptojmë nga konteksti i përgjithshëm është se ajo natë ka kaluar. Kurani tashmë ka zbritur për të ndryshuar fatin e botës dhe për të lidhur tokën me qiellin deri në Ditën e Gjykimit.
Ai shpjegon marrëdhëniet midis Zotit Një dhe robërve të Tij, përmirëson cilësitë e njerëzve, i ngre ata në shkallë më të larta të moralit dhe i mëson të bashkëjetojnë dhe të njihen mes tyre, duke përmbushur kushtet e adhurimit të Zotit të vetëm.
Njihe Zotin tënd, ec në rrugën tënde dhe ndrysho fatin tënd për më mirë.
Ajo që zbriti në Natën e Kadrit është tani në duart e tua – udhëzohu me të.
——
Dr. Hasan al-Turabi
Nga: Hoxhë Vladimir Kera