Ballina Lajmet Kosovë ​Kur do të votojë diaspora, KQZ tregon afatet

​Kur do të votojë diaspora, KQZ tregon afatet

Mbi 100 mijë votuesit e regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, do të mund të mund të votojnë më herët se qytetarët që votojnë brenda vendit më 9 shkurt 2025.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, varësisht se cilën mënyrë të votimit ka përzgjedhur votuesi jashtë Kosovës, është caktuar edhe periudha e votimit.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme u ka dhënë tri mundësi shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për të përzgjedhur se si duan të votojnë vendit.

Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një intervistë për KosovaPress, ka shpjeguar afatet e votimit për tri mënyrat e përcaktuara me ligj.

Duke folur për votimin në përfaqësi diplomatike, Elezi ka thënë se kjo mënyrë votimi organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës.

“Votimi në përfaqësi diplomatike për shtetasit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, tha Elezi.

Për mënyrën e dytë të votimit përmes postës për votuesit që janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së, Elezi ka thënë se fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.

“Periudha e votimit për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota nga kjo mënyrë votimi, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”, shpjegoi Elezi.

Për mënyrën e tretë dhe të fundit, e cila sipas KQZ-së, është mënyra që ka më së shumti votues të regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, do të fillojë më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025.

“Edhe periudha për votim për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, fillon më 9 janar dhe përfundon më 8 shkurt 2025. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota nga kjo mënyrë votimi, pranohen nga ekipet që dërgon KQZ-ja, vetëm ato që kanë arritur në kutinë postare, më së voni deri në orën e mbylljes së vendvotimeve në përfaqësinë diplomatike”, shpjegoi Elezi.

Sipas KQZ-së, është detyrim ligjor që secilin votues i cili regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.

Këtë informacion, KQZ ua ka transmetuar individualisht çdo shtetasi që ka aplikuar dhe është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.

Exit mobile version