Me largimin e Shqipërisë kjo nismë e humbi karakterin rajonal. Pjesë e saj tash mbetën vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut, gjë që e bën “Ballkanin e Hapur” më shumë mekanizëm bilateral sesa rajonal. Në fund sërish ngadhënjeu Procesi i Berlinit, ai vizion origjinal për afrimin e rajonit drejt BE-së. Për t’u dukur më pak i huaj apo i imponuar nga Brukseli, në muajt e ardhshëm samiti i këtij procesi do të mbahet në Tiranë, për herë të parë jashtë BE-së.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
“Ballkani i Hapur” nuk zgjati shumë. U “mbyll” përpara se të japë frutat e hapjes europiane. Nisi me shumë entuziazëm në tetor të vitit 2019, kur tre vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, në Novi Sad paraqitën vizionin e tyre për europianizimin e rajonit problematik nën logon e “Mini-Shengen”. Me këtë projekt tre shtetet e Ballkanit Perëndimor synonin krijimin e një lloj “BE-je të vogël” në Europën Juglindore, një zonë ku njerëzit, shërbimet, mallrat dhe kapitali mund të lëvizin lirshëm. Zbatimi i nismës, i njohur edhe si “Shengeni Ballkanik”, ishte planifikuar të fillojë në vitin 2021. Pikërisht, në korrik të vitit 2021, në Shkup, nisma e Mini-Shengenit ballkanik ishte pagëzuar si “Open Ballkan”. Më pas u realizuan disa takime në nivel kryeministrash dhe u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi. Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi nuk pranuan të bëhen pjesë e nismës, edhe pse merrnin pjesë në cilësinë e vëzhguesit. Kosova kishte qëndrim të prerë – bojkot total të nismës.
Plotësimi i vakuumit europian
“Ballkani i Hapur” erdhi si reagim i rajonit ndaj mbylljes së BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj. As reformat e vendeve të rajonit, e as kompromiset e dhimbshme që bënë për hir të integrimit europian, nuk sollën afrimin e pritshëm me BE-në. Maqedonia e Veriut, në vitin 2018, e ndryshoi emrin për të nisur negociatat, pasi kishte kohë që ishte bllokuar nga Greqia fqinje, anëtare e vjetër e BE-së. Por, shpërblimi mungoi. Në vend të vazhdimit të procesit të zgjerimit, BE-ja u shndërrua në agorë debati lidhur me të ardhmen e saj. Presidenti i Francës, Emannuel Macron, insistonte që të ketë “thellim para zgjerimit”, kurse presidenti i Këshillit të BE-së, Jean-Claude Juncker, e thoshte troç se nuk ka zgjerim të BE-së në dekadën e ardhshme.
Liderët e vendeve të armiqësuara të Ballkanit Perëndimor kishin dy opsione: t’i kthehen historisë dhe armiqësive të moçme dhe kështu t’i riciklojnë konfliktet dhe shkatërrimin ose të tentojnë të europianizojnë rajonin pa ndihmën e Brukselit. Në Novi Sad zgjodhën opsionin e dytë.
Edi Rama, Aleksandar Vuçiqi dhe Zoran Zaevi e kishin të qartë se nga viti 2013 Bashkimi Europian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri. Procesi i zgjerimit madje shënoi një kthim prapa: në vitin 2016 Unionin e braktisi Britania e Madhe. Një mbyllje gati dhjetëvjeçare e dyerve të Europës ka shkaktuar frustrime në Ballkan. Bllokada e Francës, me pretekst ndryshimin e metodologjisë, që Tirana dhe Shkupi të nisin negociatat për anëtarësim, u solli shumë kokëdhimbje Ramës dhe Zaevit. Të dy kishin kaluar nëpër procese të rënda reformash për të marrë datën e merituar.
Kjo është vonesa më e madhe e zgjerimit të BE-së që nga 1957-ta. Në këtë vit, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu vunë themelet e Unionit. U desh të kalojnë 16 vite që ky union në 1973 të zgjerohet me Britaninë e Madhe, Danimarkën dhe Irlandën. Kështu, BE-ja nga 6 u rrit në 9 anëtarë. Dinamika e mëpasshme e zgjerimit ka qenë më e shpejtë, duke bërë që sot BE-ja të numërojë 27 anëtarë. Vendi i fundit që u anëtarësua ishte Kroacia në vitin 2013.
Serbia dhe Mali i Zi, që nga 2012, i kanë nisur negociatat, por shumë pak kanë përparuar në këto dhjetë vjet. Mali i Zi fillimisht lëvizi më shpejt drejt integrimit në BE: më 2006 shpalli pavarësinë, më 2010 mori statusin e vendit kandidat, më 2011 Komisioni Europian i rekomandoi nisjen e negociatave dhe më 2012 u realizua mbledhja e parë ndërqeveritare Bruksel-Podgoricë. Por, integrimi nuk ka lëvizur me tempin e pritur që nga akti i nisjes së negociatave.
Bosnja e Hercegovina është më prapa se Mali i Zi në procesin e integrimeve. Ky vend, që shpesh vlerësohet si shtet jofunksional, qysh në vitin 2016 ka aplikuar për statusin kandidat, por dritë jeshile mori më 15 dhjetor të vitit 2022. Tani ka një varg detyrash para se të marrë rekomandimin e parë për hapje të negociatave.
Maqedonia e Veriut e nënshkroi e para Marrëveshjen e Stabilizim-Associimit në vitin 2001 dhe e fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2005, kur Serbia dhe Mali i Zi ende ishin një federatë. Në vitin 2009 mori rekomandimin e parë të Komisionit Europian për fillimin e negociatave. Megjithatë, negociatat u pamundësuan për shkak të vetos nga Greqia për emrin, nga Franca për Metodologjinë e re dhe, së fundmi, nga Bullgaria.
Shqipëria e ka fituar statusin kandidat nëntë vjet pas Maqedonisë së Veriut – më 2014. Rekomandimin e parë nga Komisioni Europian për hapje të negociatave e ka marrë në vitin 2018. Që atëherë, edhe Shqipëria ka qenë në pritje të nisjes së negociatave, fillimisht për shkak të bllokadës franceze, e më pastaj të asaj bullgare. Vonesa e Shqipërisë ishte si rezultat i të qenit në një pako me Maqedoninë e Veriut.
Kosova, njëjtë si Bosnja e Hercegovina, është më larg në procesin integrues. Kosova, në vitin 2016, arrin Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, kurse në vitin 2012 nis bisedimet për liberalizim të vizave. Përparimi i vetëm ka qenë vendimi i Komisionit Europian në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave. Por, ky vendim nuk është miratuar nga Parlamenti Europian as në fund të vitit 2022. Për vite me radhë Kosova ngeli si geto në mes të Ballkanit, si vend i vetëm, qytetarët e të cilit nuk kishin të drejtë të udhëtonin pa viza në Europë. Në prill të këtij viti Brukseli mori vendim që lëvizja pa viza për kosovarët të bëhet realitet nga janari i vitit 2024.
Rikthimi i Procesit të Berlinit
Pra, “Ballkani i Hapur” ishte revolti i rajonit ndaj BE-së. Emërimi i parë i saj si “Mini-Shengen” ishte porosi për Brukselin se Ballkani po krijon Europën e vet – një rajon të shteteve të barabarta, pa kufi dhe në paqe ndërmjet tyre. Ishte një kopje e procesit të themelimit të BE-së. Edhe historia e rajonit ishte thuajse e ngjashme me atë të Europës. Themelet e Bashkimit Europian u hodhën vetëm 7 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Deri në këtë pikë Europa ishte mbytur në gjakun e derdhur në luftërat e vazhdueshme, të nxitura nga armiqësitë dhe garat për dominim në kontinentin e vjetër. Rreth 60 milionë njerëz vdiqën vetëm në Luftën e Dytë Botërore, shumica e tyre europianë. Por, BE-ja sot i ka shndërruar vendet nga konkurrentë në aleatë, nga armiq në partnerë, nga tregje të vogla ka bërë një treg të madh dhe të fuqishëm ekonomik me mbi 500 milionë banorë. Ishte një kohë kur europianët i thanë “mjaft” urrejtjes dhe luftës. Këtë tentoi ta bëjë edhe Rama, Vuçiqi dhe Zaevi. Ata e projektuan veten si Robert Schuman-i, Konrad Adenauer-i dhe Winston Churchill-i, të cilët mes viteve 1945 dhe 1950 bënë përpjekjen vendimtare për të hyrë në një epokë të re paqeje pas luftërave të përgjakshme midis vendeve të tyre.
Për tre vite radhazi “Ballkani i Hapur” e plotësoi boshllëkun e krijuar nga mungesa e Procesit të Berlinit. Kur në nëntor të vitit 2022 kancelari i ri gjerman Olaf Scholz ringjalli këtë proces të nisur në vitin 2014 nga pararendësja e tij, Angela Merkel, u hap dilema mbi fatin e “Ballkanit të Hapur”. Të dyja nismat janë të ngjashme dhe kanë mangësitë e përparësitë e tyre. Megjithatë, synojnë të njëjtin qëllim: europianizimin e Ballkanit të trazuar.
Pikërisht në nëntor kancelari Scholzi i tuboi sërish në Berlin gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor për të nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme për lëvizjen e lirë në rajon. Njëkohësisht Scholzi dha porosi të fuqishme inkurajuese për Ballkanin.
Të njëjtin vizion me Scholzin e kishte edhe Angela Merkeli. Në samitin paraprak në Berlin, derisa ishte kancelare, ajo kishte theksuar se ky proces viteve të fundit ka pasur dritë-hije dhe se kishte edhe shumë punë për t’u bërë.
Largimi i Merkelit kishte ngjallur dilema dhe shqetësime te të gjithë autoritetet në Ballkan, të cilët e kanë të qartë se pa një asistim europian rajoni nuk mund të europianizohet. Por, Sholzi duket se i ka mënjanuar të gjitha dyshimet lidhur me përkushtimin e Gjermanisë ndaj përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Pafuqia e Ballkanit për europianizim pa tutorë
Edhe pse BE-ja kishte ngrirë procesin e zgjerimit, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” nuk u prit me entuziazëm në Bruksel. Lënia mënjanë e Procesit të Berlinit dhe zëvendësimi me “Ballkanin e Hapur” ishte një alarm për zvogëlimin e ndikimit europian në një rajon që i përket kontinentit të Europës. Jorastësisht Merkeli e nisi Procesin e Berlinit më 28 gusht 2014, kur shënohej 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ish kancelarja gjermane në këtë datë vendosi ta hapë një kapitull të ri shprese për vendet e Ballkanit Perëndimor, rajon i cili ishte edhe pikënisje e luftës botërore. Ishte kohë po ashtu e vështirë në rrafshin gjeopolitik: Rusia e kishte aneksuar Krimenë, ISIS-i vazhdonte të marrë territore të Irakut dhe Sirisë nën kontroll, kurse kriza e refugjatëve rrezikonte të krijojë përçarje në Bashkimin Europian. Ky proces solli rezultate konkrete, por që atëherë asnjë shtet i ri nuk u anëtarësua në Bashkimin Europian.
Refuzimi që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e “Ballkanit të Hapur” e bëri iniciativën të dobët dhe jogjithëpërfshirëse. Mungesa e institucioneve dhe fondeve përkatëse rajonale pamundësonin zbatimin e marrëveshjeve për bashkëpunim në sfera konkrete dhe me këtë bënin që nisma të mos i japë rezultatet e pritura. Kolonat e gjata të mjeteve motorike për kalimin e gjashtë kufijve të rajonit, që numëron sa gjysma e banorëve të Rumanisë, e shfaqnin Ballkanin e Hapur vetëm si shfaqje propagandistike të liderëve për përdorim të brendshëm. Megjithatë, u arrit diçka që po zhbëhet me zbehjen e kësaj nisme: një afrim real midis popujve dhe një gatishmëri po ashtu reale për të bërë paqen.
Me largimin e Shqipërisë, kjo nismë e humbi karakterin rajonal. Pjesë e saj tash mbetën vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut, gjë që e bën “Ballkanin e Hapur” më shumë mekanizëm bilateral sesa rajonal. Në fund, sërish ngadhënjeu Procesi i Berlinit, ai vizion origjinal për afrimin e rajonit drejt BE-së. Për t’u dukur më pak i huaj apo i imponuar nga Brukseli, në muajt e ardhshëm samiti i këtij procesi do të mbahet në Tiranë, për herë të parë jashtë BE-së. Njëjtë siç u organizua në dhjetor të vitit të kaluar Samiti BE-Ballkani Perëndimor, po ashtu në Tiranë. Aspekti pragmatik ka bërë që Rama ta lë vetëm Vuçiqin dhe kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski. Duket se Tirana do të jetë qendër e Procesit të Berlinit, ndërkohë që deri më tani këtë rol e luante Beogradi. Sa do të sjellë përfitime për Shqipërinë ky ndryshim i papritur i kursit, kjo mbetet të shihet.
Sidoqoftë, Samiti i parë i Procesit të Berlinit me Scholzin si kancelar duket se i riktheu shpresat. Gjermania dërgoi edhe një herë porosi se është për zgjerim të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Procesi i Berlinit është vetëm mekanizëm që mund të përshpejtojë zgjerimin. Tre marrëveshjet e nënshkruara nga gjatë liderët ballkanikë do të mundësojnë një lëvizshmëri të madhe të njerëzve. Do të njihen diplomat e arsimit të lartë, të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve. Të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve ballkanike do të udhëtojnë në gjithë rajonin vetëm me letërnjoftime. Hapi i ardhshëm pritet të jetë ulja e tarifave të roamingut midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Nëse ideja e Procesit të Berlinit u plasua si përgjigje ndaj rreziqeve të kontekstit gjeopolitik të vitit 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë, tani ky proces bëhet urgjencë gjeopolitike. Ndikimi i saj malinj në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë, duket edhe më shqetësues. Me favorizimin e Tiranës si kryeqendër e proceseve eurointegruese, Brukseli i çon porosi Vuçiqit që t’i shkëpusë lidhjet me Rusinë dhe të rreshtohet pas politikës së jashtme të përbashkët të BE-së. /revistashenja