Përderisa nipat, mbesat e kryetarëve të partive politike, miqtë dhe kolegët e tyre do ta drejtojnë arsimin dhe “do të edukojnë” masën, gjendja nuk do të ndryshojë. Përderisa nga politika dhe klanet do të kemi të zgjedhur rektorë, drejtorë dhe pedagogë, kaosi në arsim nuk do të gjejë rrugën e duhur të zgjidhjes. Madje, disa zyrtarë janë të gëzuar me përfundimet e PISA-s, pasi shumica e atyre që do të diplomohen në të ardhmen ka mundësi të promovohen në poste të rëndësishme, që ua ka siguruar paraprakisht partia.
Selim IBRAIMI, Uashington
Programi i OECD-së për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), në përditshmërinë tonë, është dëgjuar viteve të fundit. Maqedonia e Veriut (MV) dhe shtetet e tjera nuk kanë pasur vlerësime ndërkombëtare me dekada. Arsimi i të gjitha niveleve, si zakonisht, nuk ka ndonjë reputacion ndërkombëtar. Rangohen shumë poshtë dhe me dobësi të shumta. Por, ajo që është bërë shqetësuese për të gjithë janë raportet e huaja që lidhen me kapacitetet e nxënësve që janë objektivat kryesore të PISA-s. Në raportin e fundit shihet se MV nuk ecën mirë në fushën e edukimit. Faktorët e kësaj katastrofe janë të njohura. Politikat arsimore dhe politikat e partive politike, bashkë me nivelin e ulët të zhvillimit shoqëror, e kanë sjellë këtë gjendje që nuk mund të përmirësohet me vite. Sot, kur çdo gjë është e pariparueshme në të gjitha nivelet e arsimit, për habi kanë filluar të reagojnë aktorët ose shkatërruesit e arsimit. Ironia e tyre nuk ka fund. Politikanë, përgjegjës të sektorëve, ministra etj., e dinë shumë mirë se shkaktari kryesor janë pikërisht ata. Rrjedhimisht, edhe shëndetësia dhe fushat e tjera me rëndësi për njeriun janë në një situatë katastrofale për arsye të politizimit të arsimit, qoftë mbi baza partiake dhe etnike. Mirë është që të dalin aktorët haptazi e të tregojnë se kush qëndron pas këtij procesi që nuk dihet se ku do të përfundojë. Dikur tetëvjeçarja, shkolla e mesme dhe universiteti kishin një rëndësi të veçantë. Marrja e një diplome ose certifikate kërkonte një angazhim të jashtëzakonshëm nga nxënësi ose studenti. Po aty një punë të lodhshme bënte arsimtari dhe profesori. Pas vitit 2000 ose, më saktë, aty kah viti 2005, shumë gjëra në MV ndryshuan. Ndryshimet për të keq i shohim me vite, pasi fëmijët dhe të afërmit e politikanëve dhe të klasës së lartë të lidhur me politikën dhe sistemin sot janë në pozita të edukatorit ose janë ata që vendosin për arsimin, jetën dhe vdekjen. Atëherë çfarë mund të pritet nga gjendja aktuale?! Asgjë më shumë nga një arsim i të gjitha niveleve që është helmuar nga politika e që menaxhohet nga individë me diploma që janë mbështetës aktualë dhe të ardhshëm të partive në pushtet. Njëkohësisht do të kemi rritje të numrit të individëve me diploma universitare e të pa aftë për ta ushtruar veprimtarinë arsimore. Kuptohet, shumica janë me notë mesatare të lartë që askush nuk mund t’u konkurrojë.
Partia dhe arsimi
Kur testimi PISA nxori në një radhitje poshtëruese MV, shtetet e rajonit dhe pothuajse të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, përveç reagimeve në rrjetet sociale, asnjë zyrtar nga organet e arsimit dhe as nga politika aktuale nuk u deklaruan qartë. Zëri i tyre kishte të bënte me justifikime të paqëndrueshme. E vërteta është më ndryshe dhe këtë e dimë të gjithë. Nuk mund të pritej më shumë nga nxënësit e mjerë, pasi pedagogët e partisë janë shumë të dobët në krahasim me pedagogët e dikurshëm të kohës socialiste. Situata është alarmante e për t’u habitur se si ka mundësi një pedagog i mbështetur nga partia dhe i punësuar po nga dega partiake nuk mund të nxjerrë kuadro të paktën mesatare për t’i shërbyer më mirë partisë politike dhe liderit. Tash disa kritikë të testit të PISA-s thonë se ky testim nuk e pasqyron të vërtetën e arsimit. Mirëpo, çështja është pak më ndryshe, sepse testimi ashtu siç përshkruhet në ketë sistem apo në PISA ka të bëjë shumë qartë me “orientimin e politikave arsimore”. Atëherë kur jemi këtu shumë mirë e kemi të njohur se çfarë orientimi kanë pasur dhe kanë politikat sipërfaqësore arsimore në MV. Nga rezultatet e PISA-s shihet se performanca e nxënësve ka qenë e dobët dhe po aty mungojnë me vite rezultatet e shkollave e organeve përgjegjëse. Në konceptin inovativ dhe të kompetencës, nxënësit ose studentit i mungojnë aftësitë në drejtime kyçe për të analizuar dhe pasur qëndrim kritik për të identifikuar dhe interpretuar problemet. Me pak përjashtime, motivimi i tyre është i ultë për mungesë të aplikimit të strategjive pedagogjike. Testimi ka nxjerrë një varg problemesh të tjera, mirëpo në MV e sidomos në arsimin shqiptar politika ditore është një ndër shkaktarët kryesorë të gjendjes. Kur jemi tek arsimi shqiptar në MV, gjendja e shkollave është e mjerueshme, kemi mungesë të kushteve elementare, mungesë të librave, të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe dhe një varg çështjesh të hapura. Pavarësisht shqetësimeve, politika e njëjtë arsimore vazhdon po me të njëjtit zyrtarë qendrorë dhe lokalë të partive politike, duke mbështetur kuadro të dobëta arsimore. Rruga e vetme mbetet që, para hyrjes në BE, Brukseli të insistojë në reforma serioze në arsim. Pasi askush nuk mund t’i kontrollojë partitë dhe grupet e tyre të interesit, arsimi, shëndetësia dhe shumë fusha tjera do të mbeten në gjendjen ekzistuese.
Rënia e cilësisë
Nga një anë tjetër, zyrtarët aktualë po thonë se po bëjnë shumë për një arsim bashkëkohorë dhe të një cilësie të lartë. Lavdërimet e tyre i gjejmë në debatet televizive dhe në fushatat zgjedhore. Propaganda zakonisht bëhet në kohë të caktuar në përshtatje të agjendës së ministrave, drejtorëve të shkollave, rektorëve dhe, natyrisht, liderëve. Rastet bëhen edhe më të rënda kur shohim se në të gjitha nivelet e arsimit kemi mësues dhe profesorë pa thirrje të duhura akademike. Individë me pushtet në universitete dhe në nivele më të ulëta arsimore të lidhur me partitë vazhdojnë ta bëjnë ta detyrueshme këtë vazhdim të së keqes në arsim. Përfundimet e rezultatit të PISA-s i vërejmë kudo. Përderisa nipat, mbesat e kryetarëve të partive politike, miqtë dhe kolegët e tyre do ta drejtojnë arsimin dhe “do të edukojnë” masën, gjendja nuk do të ndryshojë. Përderisa nga politika dhe klanet do të kemi të zgjedhur rektorë, drejtorë dhe pedagogë, kaosi në arsim nuk do të gjejë rrugën e duhur të zgjidhjes. Madje, disa zyrtarë janë të gëzuar me përfundimet e PISA-s, pasi shumica e atyre që do të diplomohen në të ardhmen ka mundësi të promovohen në poste të rëndësishme, që ua ka siguruar paraprakisht partia dhe familja. Rrofshin të diturit e partisë me përjashtime! Zgjidhja duhet kërkuar në kuadro serioze dhe profesionale jashtë listës partiake të mbështetur mirë financiarisht dhe me burime të tjera për një të ardhme më të qëndrueshme arsimore në konkurrencë me botën e zhvilluar. /revistashenja