Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe KB Rahoveci nënshkruan sot marrëveshjen për organizmin e “Final 8” të Kupës së Kosovës.
Marrëveshjen e nënshkruan menaxheri i përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci dhe drejtori sportiv i KB Rahovecit, Adrian Sharku, raporton KosovaPress.
Kjo do të jetë hera e tretë që KB Rahoveci merr përgjegjësinë për organizimin e kësaj gare, ndërsa drejtori sportiv i klubit, Sharku i ftoi të gjitha klubet dhe basketbolldashësit që të vijnë në Rahovec për të shijuar një festë basketbolli.
Po ashtu, Sharku prezantoi edhe logon e “Final 8” të Kupës së Kosovës, për të cilën tha se mban ngjyrat verdhë dhe kaltër, për shkak të Pavarësisë së Kosovës.
“Si çdo herë qysh jemi mundu më së miri me organizu Kupën, po besoj që edhe kësaj here kemi me ia dal mbanë bashkë me Federatën në bashkëpunim të kohëpaskohshëm me ta… (01:50) Logo i përmban ngjyrat kryesore, pra pasi që është Pavarësia e Kosovës. Ngjyrat bazike janë ngjyra e kaltër dhe ngjyra e verdhë. Me moton ‘n’Rahovec e kem konakun’ që do të thotë se Rahoveci njihet si vend mikpritës dhe në këto data i fton të gjitha klubet dhe të gjithë basketbolldashësit të vijnë në Rahovec, të shijojnë një festë basketbolli, dhe shpresoj që të kalojmë si qysh kemi kaluar gjithmonë, pa incidente dhe me një organizim më të mirë se herave tjera”, tha Sharku.
Ndërkaq, rreth organizimit të kësaj gare foli edhe menaxheri i përfaqësueseve të Kosovës në basketboll, Adriatik Rraci, i cili ndër të tjera bëri të ditur që nuk do të lejohen tifozët në grupe të organizuara.
“Jo. Në mbledhjen e mbajtur të Bordit me datën 23 është ritheksuar edhe një herë se nuk do të ketë grupe të organizuar, mirëpo askujt nuk do t’i privohet e drejta për të marrë pjesë, dhe për të shikuar ndeshjet, gjithmonë duke pasur parasysh se disa incidente që kanë ndodhur më herët, kësaj radhe do të lejohen vetëm tifozët në mënyrë jo të organizuar, mirëpo të gjithë do ta kenë të drejtën që të vijnë të përkrahin skuadrat e tyre”, tha Rraci.
Po ashtu, Rraci tregoi se ka pasur edhe propozime nga klube të tjera për organizim të “Final 8”, por që oferta nga KB Rahoveci ishte më e mira.
“Ka pasur edhe klube të tjera, mirëpo klubi i basketbollit Rahoveci ka qenë një ndër klubet që kanë insistuar më së shumti dhe oferta e tyre ka qenë më e mire. Për këtë shkak, edhe për shkak të asaj se dy organizime të mëparshme që i kanë pasur, do të thotë kanë dëshmuar që kanë kapacitet dhe kanë mundësi të organizojnë spektakël ashtu siç i ka hije një ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës”, tha Rraci.
Përveç marrëveshjes së nënshkruar mes KB Rahovecit dhe FBK-së, janë përcaktuar edhe çiftet dhe orari i ndeshjeve të “Final 8” të Kupës së Kosovës.
“Final 8” fillon të mërkurën, respektivisht më datën 15 të këtij muaji, ku atë ditë zhvillohen tri ndeshje, ku po aq ndeshje do të zhvillohen edhe të enjten, ndërsa për Pavarësinë e Kosovës zhvillohet ndeshja finale e Ligës së Parë, gjysmëfinalja e Grupit A dhe D si dhe gjysmëfinalja e Grupit B dhe C.
Finalet do të zhvillohen me datën 19, ku nga ora 14:00 zhvillohet finalja e parë e Kupës së Kosovës për femrat, ndërsa me fillim nga ora 17:00 do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës.
Më poshtë e gjeni shortin e plotë dhe orarin e ndeshjeve të “Final 8” të Kupës së Kosovës.
E mërkure (15.02.2023)
14:00 Bora – Istogu (Liga e Parë e meshkujve)
17:00 Trepça – Vëllaznimi (Grupi D)
20:00 Peja – Rahoveci (Grupi A)
E enjte (16.02.2023)
14:00 NEW Basket – Vushtrria (Liga e Parë e meshkujve)
17:00 Sigal Prishtina – Bashkimi (Grupi B)
20:00 Golden Eagle Ylli – Ponte Prizreni (Grupi C)
E premte (17.02.2023)
14:00 Ndeshja finale – Liga e Parë
17:00 Gjysmëfinalja e parë – Grupi A dhe D
20:00 Gjysmëfinalja e dytë – Grupi B dhe C
E diel (19.02.2023)
14:00 Finalja e Kupës së Kosovës për femrat
17:00 Finalja e Kupës së Kosovës