Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja ka bërë me dije se kundërshtuesit kryesorë të versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi janë deputetët e pozitës.
Në një intervistë për gazetën ‘Epoka e re’, Muja ka treguar se ai dhe shumë kolegë të tij nga pozita do të votojnë kundër versionit aktual të demarkacionit.
Ai ka thënë se kjo formë e demarkacionit me Malin e Zi po kundërshtohet edhe nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar.
Muja ka vlerësuar se caktimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë në mënyrë të gabueshme.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të mos ngutet në këtë çështje.
Sipas deputetit Muja, qytetarët e Kosovës nuk i besojnë Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit me Malin e Zi.
“Nëpërmjet kësaj interviste dua t’u them presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, se ky demarkacion është gabim”, ka thënë Muja.