Kundër Demarkacionit, s’u interesojnë vizat

Opozita kosovare është e vendosur që të mos lëshojë pe për Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, pavarësisht se pa këtë të fundit definitivisht nuk do të fillojë negocimi i heqjes së vizave për Kosovën.

Komisioni për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian të hënën ka miratuar raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Kosovën, por nuk e ka dhënë mandatin për negocim të heqjes së vizave për vendin pa ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës insiston që këtë marrëveshje do ta rikthejë në Kuvend, ndonëse në seancën e 1 shtatorit nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të listës “Srpska”, me ç’rast u detyrua ta heqë demarkacionin nga rendi i ditës, shkruan “Zëri”.

“Gjithsesi se Demarkacioni do të kthehet në Kuvend jo vetëm pse kjo është një nga kushtet për liberalizimin e vizave, por edhe pse kjo çështje është e ndërlidhur jetësisht me shtetndërtimin si proces, me normalizimin e raporteve tona me fqinjët, si edhe me integrimet evropiane”, ka thënë për “Zërin” zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.

Duke mos përmendur një datë të caktuar Abudllahu ka shtuar se kjo hapësirë tani do të shfrytëzohet për të qartësuar këtë marrëveshje edhe më tepër për opinionin. Por, edhe për t’i dhënë kohë partive opozitare që të reflektojnë në qëndrimet e tyre.

“Periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend do ta shfrytëzojmë pos tjerash edhe për të vazhduar tutje me sqarime e interpretime të drejta. Kjo do të bëhet për t’u dhënë mundësi të gjithë subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejt, gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka deklaruar Abdullahu.