Hyrja triumfaliste e kryengritësve shqiptarë në Shkup më 12 gusht 1912 dhe tërheqja e tyre e shpejtë, ishte një gabim i madh historik, strategjik dhe politik. Mosnjohja e autonomisë së shqiptarëve dhe rikthimi në pozicionet e mëparshme, i krijoi hapësirë dhe mundësi të re idesë së vjetër serbe për hakmarrje brutale ndaj shqiptarëve, shumica e të cilëve i takonin besimit islam. Prandaj, 523 vjet nga humbja e Betejës së Kosovës (në Fushë Kosovë, jo larg Kumanovës), bëri që serbët të shfryjnë gjithë egërsinë e tyre të fshehur disashekullore…
Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Në këtë vjeshtë u bënë plot 111 vjet nga fillimi i Luftës së Parë Ballkanike, kur ndodhi njëra prej masakrave më të tmerrshme të serbëve kundër shqiptarëve, në emër të luftës “së shenjtë” kundër Perandorisë Osmane. Ndodhi një shfryrje mizore e mllefit shtazarak kundër një komuniteti të lashtë europian, i cili botës i kishte dhënë perandorë, papë e vezirë.
Mijëra të vrarë e të gjymtuar, të ngulur në hunj, të hedhur rrugëve e puseve ishte tabloja trishtuese, e cila u pasqyrua dhe u dokumentua në shumë kronika të kohës nga dëshmitarë okular. Krimet e ushtrisë serbe, që kishin filluar në fushën e Kumanovës, ishin shtrirë deri në brigjet e Adriatikut, me qëllim të pushtimi të tokave shqiptare pas largimit të osmanëve nga Ballkani.
Beteja e Kumanovës (1912)
Beteja e Kumanovës, e cila u zhvillua më 23 dhe 24 tetor të vitit 1912 në mes të forcave ushtarake serbe dhe atyre osmane (turke-shqiptare) ishte jo vetëm se prologu i luftërave ballkanike, por edhe i rikthimit të Serbisë në këto territore që nga Beteja e humbur e Kosovës e vitit 1389. Aty Perandoria Osmane e pësoi goditjen përfundimtare nga aleanca e krishterë ballkanike, e kryesuar nga serbët, ku bënin pjesë edhe malazezët, bullgarët dhe grekët.
Siç është e njohur, në këtë betejë humbën jetën rreth 10.000 luftëtarë nën komandën e ushtrisë osmane, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë, kryesisht të trevës së Karadakut (Gjilan, Preshevë, Kumanovë, Shkup), të cilët ishin të vetëdijshëm se çfarë i priste nga pushtuesi i ri. Pas hyrjes së forcave serbe në Kumanovë, më tej Shkupin e pushtuan gati se pa luftë, për të vazhduar drejt tokave të Kosovës dhe Shqipërisë së sotme, me synimin e kamotshëm për dalje në detin Adriatik. Reporterët e huaj kanë njoftuar asokohe për afër 3.000 shqiptarët të vrarë e të masakruar në format më makabre në mes Shkupit e Kumanovës.
Në të vërtetë, Serbia ishte përgatitur gjatë kohë për këtë betejë, madje në mënyrë shumë dinake kishte yshtur dhe ndihmuar me armë edhe kryengritësit shqiptarë të viteve 1910, 1911 e 1912 në Vilajetin e Kosovës. Kjo taktikë serbe kishte funksionuar, meqë kishte ndikuar në dobësimin e dukshëm të Perandorisë Osmane në Ballkan, e cila tashmë kishte të hapura edhe disa fronte tjera.
Hyrja triumfaliste e kryengritësve shqiptarë në Shkup më 12 gusht 1912 (Çlirimi i Shkupit) dhe tërheqja e tyre e shpejt pas thirrjes së fuqive të mëdha, ishte një gabim i madh historik, strategjik dhe politik, i cili i kushtoi shumë kombit shqiptar. Mosnjohja e autonomisë së shqiptarëve dhe rikthimi në pozicionet e mëparshme, i krijoi hapësirë dhe mundësi të re idesë së vjetër serbe për hakmarrje brutale ndaj shqiptarëve, shumica e të cilëve i takonin besimit islam. Prandaj, 523 vjet nga humbja e Betejës së Kosovës (në Fushë Kosovë, jo larg Kumanovës), bëri që serbët ta shfryjnë gjithë egërsinë e tyre të fshehur disashekullore kundër osmanëve.
Po si u mashtruan shqiptarët që në mënyrë të pavetëdijshme të jenë vegël e serbëve në këto kohëra dramatike të fillimshekullit XX?!
Retorika serbe e gënjeshtrës dhe mashtrimit
Vetëm një javë para marshimit të 126.000 trupave vrastare serbe në drejtim të Kumanovës, Mbreti i Serbisë, Pjetri I, kishte lëshuar një fletërrufe, ku në mënyrë cinike kërkonte “mbështetjen” edhe të shqiptarëve: “Në emër të Zotit, unë e kam urdhëruar ushtrinë time për t’u bashkuar në luftën e shenjtë për të çliruar vëllezërit tanë dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Në Serbinë e vjetër, ushtria ime do të bashkohet jo vetëm me serbët e krishterë, por edhe me ata myslimanë, të cilët janë po aq të dashur për ne. Përveç tyre, edhe me shqiptarët myslimanë e të krishterë, me të cilët populli ynë ka ndarë gëzime e trishtime për trembëdhjetë shekuj tashmë. Te të gjithë këta do të sjellim liri, vëllazëri dhe barazi!”.
Shqiptarët e këtyre trevave, të vetëdijshëm për dinakërinë kriminale të shtetit serb, me të gjitha mjetet që i kishin dolën në mbrojtje të nderit të familjes dhe vatanit. Periudha që pasoi ishte shumë më e zymtë për shqiptarët, të cilët u shtypën forcërisht në të gjitha mënyrat dhe, si rezultat i presionit sistematik, qindra mijëra u larguan drejt Turqisë.
Është interesant të ndiqet linja e retorikës shtetërore serbe, e cila publikisht kamuflohej në mënyrë tinëzare, kurse në esencë ishte politikë e pamëshirshme antishqiptare, e cila edhe në periudhat e mëvonshme vazhdimisht praktikonte metoda që synonin zhbërjen e elementit shqiptar-mysliman nga trojet e tyre stërgjyshore.
Kjo retorikë e politikës serbe erdhi në shprehje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur gjoja filloi të instalohej një klasë e re politike jugosllave, e cila nuk ishte si e vjetra. Të gjitha thirrjet komuniste partizane bëheshin për luftë të përbashkët kundër pushtuesit fashist, ndërsa pas luftës do të njihej e drejta universale e vetëvendosjes për të gjithë popujt e lirë. Në Konferencën e Bujanit (1943/44), madje, u votua një rezolutë e përbashkët, ku theksohej se pas mbarimit të luftës popullit shqiptar të Kosovës i njihet e drejta e realizimit të dëshirës për bashkim me Shqipërinë. Por, veç sa përfundoi lufta (1945), ky zotim u harrua dhe u inskenua një “Kuvend i Prizrenit”, kur u sabotua dhe u shkel me të dyja këmbët vullneti shqiptar me vendimin arbitrar që “Kosova e Metohija t’i bashkohen Serbisë”. Në rrethana të tilla, u vulos fati i mjerë i shqiptarëve të ndarë në disa republika jugosllave, duke vuajtur një politikë diskriminuese edhe për pesë dekada të tjera.
Kapitullimi i Serbisë në Kumanovë (1999)
Historia shpeshherë përsëritet në forma dhe rrethana të ndryshme, të cilat ndonjëherë mund të shihen edhe si të rastësishme. Gjatë viteve 1998/99, Kosova u përfshi në luftën e armatosur për çlirim nga Serbia pushtuese. Retorika politike serbe e Millosheviqit ende po e manipulonte opinionin vendor e ndërkombëtar për të drejtat e mëdha nacionale që i kishin shqiptarët në Kosovë dhe për gjendjen e rëndë të serbëve në të! Megjithatë, bota perëndimore u bind për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë për ta mbrojtur popullsinë civile shqiptare nga krimet e ushtrisë serbe, e cila po mbështetej hapur edhe nga Rusia. Si rezultat i ndërhyrjes 78-ditore ushtarake të forcave të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi, kjo e fundit u detyrua ta nënshkruajë kapitullimin më 9 qershor të vitit 1999. Dhe, ku?! Pikërisht në Kumanovë!
Trashëguesja e Perandorisë Osmane – Turqia, tanimë si pjesë e rëndësishme e forcave aleate të NATO-s, kishte dhënë një kontribut të madh në neutralizimin e forcës ushtarake serbe. Shumë pilotë e ushtarë në radhët e forcave turke, goditjet e të cilëve janë dokumentuar si më të sakta në gjithë operacionin ushtarak, ishin me origjinë shqiptare. Ishte një lloj kthimi i përgjigjes ndaj Serbisë për atë që kishte bërë një shekull më herët në Kumanovë! /revistashenja