Ballina Artikuj Kultivimi i dashurisë ndaj Pejgamberit s.a.v.s

Kultivimi i dashurisë ndaj Pejgamberit s.a.v.s

Mr. Abdullah Klinaku

Dashuria ndaj Pejgamberit s.a.v.s. është obligim. Ajo duhet të jetë një dashuri shumë e madhe, më e madhja pas dashurisë ndaj Allahut s.t. Për të arritur dashurinë ndaj Pejgamberit s.a.v.s., ashtu siç e arritën shokët e tij s.a.v.s. dhe myslimanët e sinqertë, duhen ndjekur rrugë dhe metoda që na shpien tek ajo dashuri. Mënyrat se si ta kultivojmë dashurinë ndaj Pejgamberit s.a.v.s., janë:
1. Të vepruarit sipas Synetit të tij s.a.v.s.
2. Njohja e sires (jetës) së Pejgamberit s.a.v.s.
3. Salavatet e shumta dërguar Pejgamberit s.a.v.s.

Të vepruarit sipas Synetit të Pejgamberit s.a.v.s.

Jemi të obliguar, me urdhër të Allahut s.t., që të pasojmë Pejgamberin s.a.v.s.. Kthimi i kurrizit ndaj Synetit të tij dhe mohimi i Synetit të tij, është kufër dhe të përjashton nga Islami.
Thotë Allahu s.t. në Kuran: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, ashtu që të mëshiroheni”. (Ali-Imran, 132)
“O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, parashtrojeni atë tek Allahu (libri i tij) dhe tek i Dërguari i Tij, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”. (Nisa, 59)
“Kush i bindet të Dërguarit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, ne
nuk të kemi dërguar ty rojë kundër tyre”. (Nisa, 80)
“Le të ruhen ata që e kundërshtojnë t’i zërë ndonjë telash ose do t’i zërë dënim i dhembshëm”. (Nur, 63)
“Ç’t’ju japë i Dërguari, merreni, e ç’t’ju ndalojë, përmbahuni (prej tyre). (Hashr, 7)
“Ju kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut, në Botën e ardhshme dhe e përmend shumë Allahun”. (El-Ahzab, 21).
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ju kam lënë dy gjëra, kush u përmbahet atyre, nuk devijon, e ato janë: Libri i Allahut dhe Syneti im.
Ndikimi i zbatimit të Synetit të Pejgamberit në jetën e myslimanit, është shumë i madh dhe, në të njëjtën kohë, edhe i fuqishëm në ngritjen e dashurisë ndaj Pejgamberit s.a.v.s. Myslimani, i cili kapet sinqerisht për Synetin e Pej- gamberit s.a.v.s., mishërohet me të, lidh- et me të. Personaliteti i tij është i lidhur fuqishëm me personalitetin e Pejgambe- rit s.a.v.s., edukata e tij është pasqyrë e edukatës dhe hadithit të Pejgamberit s.a.v.s. Myslimani i tillë është i lidhur vazhdimisht me Pejgamberin s.a.v.s..
Ai, kur ngrihet në mëngjes, ngrihet me duatë e mësuara nga Pejgamberi
s.a.v.s., qoftë me përmbajtjen apo me renditjen nga ai s.a.v… Çdo veprim të tij ditor e bën duke vepruar sipas Synetit të të Dashurit të tij s.a.v.s… Myslimani i tillë nuk lexon pa i bërë duatë që ia ka mësuar miku i tij s.a.v… Ai nuk flet pa u kujtuar mirë ç’po thotë, se ashtu e ka
mësuar Mësuesi i njerëzimit s.a.v.s.. Ai jeton me Synetin e Pejgamberit s.a.v.s..
Kur fyhet Pejgamberi s.a.v.s., fyhet edhe ai vetë, sepse ai dhe Syneti i Pejgamberit s.a.v.s. po thuajse janë bërë një. Myslimani kurrë nuk ka mundësi ta dojë Pejgamberin s.a.v.s. pa pasuar Synetin e tij s.a.v.s., pa u kapur fortë për të. Myslimani do të arrijë dashuri të lartë ndaj
Pejgamberit s.a.v.s. vetëm atëherë kur ai dhe Pejgamberi i tij të jenë bërë të pandashëm në shpirt dhe në praktikë.
Ai ndien fuqinë dhe suksesin në jetën e tij duke zbatuar Synetin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe duke u mbushur fuqi për t’i kapërcyer vështirësitë e kësaj bote, nga mësimet e të Dashurit dhe të Mikut të tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të.

Njohja e jetës së Pejgamberit s.a.v.s.

Është një e vërtetë e pakontestueshme se njeriu e do më shumë atë që e njeh, sesa atë që nuk e njeh. Njeriu më shumë pikëllohet në rast fatkeqësie për atë që e njeh, sesa për atë që nuk e njeh. Njohja e jetës së Pejgamberit s.a.v.s. është detyrim, sepse e kemi obligim që atë ta marrim për model e për model nuk ke mundësi të marrësh dikë pa e njohur. Jeta e Pejgamberit s.a.v.s. është një deti i gjerë dhe mbi njohjen e saj rregullohet jeta e myslimanit, rregullohet familja, shteti edhe marrëdhëniet ndërkombëtare me një rregullim të suksesshëm, i cili garanton vetëm paqe dhe harmoni.
Dhuntitë dhe bereqetet e fesë së Allahut nuk kanë fund dhe kurrë nuk është e drejtë të shihen vetëm nga një këndvështrim. Edhe njohja e jetës së Pejgamberit s.a.v.s. është e tillë; aty mësojmë se si duhet të sillemi dhe të jetojmë nën hijen dhe Ligjin e Allahut s.t. dhe në të njëjtën kohë na shtohet dashuria më e madhe ndaj Pejgambarit s.a.v.s. Madje mendoj se kujtimi i disa pamjeve nga jeta e Pejgamberit s.a.v.s. na e shton dashurinë për të edhe shumë më tepër. Të veçojmë kësaj radhe dy raste:
– Mundimet dhe vuajtjet e tij për transmetimin dhe përcjelljen e mesazhit
dhe
– Dashurinë që tregoj ndaj nesh (Ymetit të tij), që të dyja janë imazhe që ndezin dashuri shumë të madhe ndaj Pejgamberit s.a.v.s..
Sigurisht që nuk është e lehtë të lexohen dhe të përshkruhen mundimet dhe vuajtjet që iu shkaktuan të Dashurit tonë s.a.v.s.. Ai është më i dashuri ynë dhe vuajtjet e tij i ndiejmë në shpirt. Kujtoni një gjë sikur t’jua përshkruajë prindi juaj mundimet që ka përjetuar ai, a thua do të keni zemrën pa dhembje dhe syrin pa lot. Po kur këto vuajtje i dëgjojmë për atë që e duam më shumë se veten tonë, a thua sa lot do të na rrjedhin dhe sa do të na dhembë zemra, – ky është një test për dashurinë tonë ndaj Pejgamberit s.a.v.s..
Rruga për përhapjen e Fjalës së Allahut s.t. ishte plot mundime dhe vuajtje që i shkaktonin njerëzit Pejgamberit s.a.v.s., dhe plot kënaqësi që në zemrën e tij zbriste Allahu s.t.. Persekutimet që bëheshin kundër tij s.a.v.s., ishin persekutime që bëheshin kundër atij që punonte me qëllim që Ymeti i tij të dilte në dritën e Allahut s.t..
Buhariu transmeton nga Abdullah bin Mes’udi, se një ditë Resulullahu po falej te Qabeja, kurse Ebu Lehebi dhe shokët e tij rrinin ulur atypari, e njëri prej tyre pyeti: “Cili prej nesh do të shkojë te kasapi e të sjellë zorrë për t’ia hedhur Muhamedit mbi supe, kur të bjerë në sexhde?” Shkoi më i guximshmi prej tyre, Ukbe b. Ebi Muiti. I solli zorrët, priti derisa Resulullahu ra në sexhde, pastaj ato ia hodhi mbi supe, e unë këtë po e shikoja dhe nuk munda të bëja asgjë”,- thotë Abdullah b. Mes’udi.
“Edhe sikur të përpiqesha, nuk do të kisha pasur sukses.” Pastaj tha: “Ata filluan të qeshnin aq shumë, saqë dridheshin. Resullullahu mbeti në sexhde dhe nuk e ngriti kokën, derisa erdhi e bija, Fatimja.. Ajo ia hoqi barrën nga supet, e ai ngriti kokën dhe tha: “O Allahu im, Ty po t’i lë kurejshët”. Këtë e përsëriti tri herë. E kjo u erdhi rëndë atyre, sepse mendonin se lutjet e bëra në këtë qytet, plotësoheshin. Pastaj filloi t’i emëronte: “O Zoti im, ty po ta lë Ebu Xhehlin, Utbete b. Rebian, Shejbeh b. Rebian, El- Velid b. Utben, Umejje b. Halefin, Ukbet b. Ebi Muitin.” – dhe e përmendi edhe të shtatin, po nuk ia mbajta në mend emrin. Por, pasha Krijuesin tim, të gjithë ata i kam parë të vdekur në varrin e përbashkët të mushrikëve pas luftës në Bedër.
O vëlla mysliman, si të mos të e duam Pejgamberin s.a.v.s., kur ai u mundua dhe persekutua aq shumë vetëm e vetëm që ne sot të jemi në fenë e Allahut s.t. Të mos harrojmë për as një çast Taifin, kur Pejgamberi s.a.v.s. shkoi për t’i thirrur në fenë e Allahut s.t., e ata ia kthyen me fyerje, sharje dhe sulm. Aq shumë e sulmuan trupin e tij te bekuar, saqë i rridhte gjak.
Buhariu transmeton gjerësisht këtë rrëfim me senedin (vargun e transmetuesve) e vet nga Urvete b. Zubejri, të cilit i ka treguar Aishja radij- Allahu anha, se i ka thënë Resulullahut: “A ke pasur ditë më të vështirë se ajo në Uhud (beteja në Uhud)?” Ai u përgjigj: “Gjithçka kam përjetuar nga ky popull yti, por më së keqi më kanë pritur në Taif, ku e kam vënë veten poshtë ndaj Ibni Abdi Jalilimit. Ai nuk iu përgjigj dëshirës dhe thirrjes sime, që të pranonte Shehadetin, e pasi nuk e bëri këtë, u largova prej tij i brengosur dhe i shqetësuar. Kam qenë në dremitje (kllapi) derisa arrita te vendi Karnul-Menazil. Aty ngrita kokën dhe pashë një re të vogël që më bënte hije; shikova më mirë dhe pashë se në të qëndronte Xhibrili, i cili m’u drejtua: “Allahu ka dëgjuar çfarë u ke thënë atyre dhe ç’përgjigje të kanë dhënë. Allahu të dërgon engjëllin e kodrave, të cilit mund t’i urdhërosh t’u bëjë ç’të duash atyre.” Pastaj dëgjova zërin e engjëllit, i cili më tha: “O Muhamed, ja ku jam, çfarë dëshiron të bëj? Nëse dëshiron t’i rrëzoj këto dy kodra – El-Ahsheban – mbi ta, vetëm thuaj.” Resulullahu tha: “Dëshiroj që Allahu t’i shpjerë në rrugë të drejtë ata që duan të besojnë Allahun e Lartësuar, Një të Vetmin, dhe nuk do të bëjnë shirk, d.m.th., nuk do t’i bëjnë atij shok në adhurim.
Pejgamberi s.a.v.s. shumë shpesh nuk kishte as bukë për ta shuar urinë. Aisheja r.a. thotë se tre muaj në shtëpinë e tyre nuk ndizej zjarri (nuk gatuhej) e kur ishte pyet me se ushqeheshin, ajo ishte përgjigjur – me ujë dhe hurma.
Lexues i nderuar i këtij shkrimi, nëse asgjë s’të mbetet në mend pas këtij leximi, të kisha lutur të mbash në mend veç një gjë: çdoherë, sa herë të ulesh në sofër për të ngrënë nga nimete të Allahut s.t., kujtoje me salavat Pejgamberin s.a.v.s. dhe kujto se ai që vuajti dhe sakrifikoi që ti sot të jetosh nën kënaqësinë e Allahut s.t., shpesh nuk kishte me se të shuante urinë. O Allah, mëshiroje Pejgamberin tënd s.a.v.s.!
Pejgamberi s.a.v.s na ka mësuar dashurinë e vërtetë, dhe ajo dashuri e vërtetë ndërtohet mbi parimin e reciprocitetit. Pejgamberi s.a.v.s. ka dëshmuar se sa shumë e do Ymetin e tij, e sot i mbetet Ymetit të tij ta dëshmojë se sa e do atë
s.a.v.s..
Në vazhdim do të sjellim disa shembuj të dashurisë së Pejgamberit s.a.v.s. ndaj nesh.
Një ditë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, lexoi Fjalën e Allahut:
“O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë gabuar e humbur shumë nga njerëzit. Por kushdo që më ndjek mua, vërtet që ai është prej meje, dhe kushdo që nuk më bindet e nuk më ndjek mua (rrugën time), atëherë Ti je vërtet gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë”. (Ibrahim, 36)
Gjithashtu lexoi:
“Në qoftë se Ti i ndëshkon ata, ata janë robët e Tu, dhe nëse Ti i fal, vërtet që Ti, Vetëm Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjyku- es”. (El-Maideh, 118) Pastaj i ngriti duart lart dhe tha: “O Zot, Ymetin tim, Ymetin tim, dhe qau. Në këtë çast thotë Allahu, subhanehu ve teala: “O Xhibril, shko tek Muhamedi dhe pyete pse po qan! E Zoti yt e di më mirë”. I erdh Xhibrili alejhi selam dhe e pyeti. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i tregoi se çfarë ka thënë, e Allahu e di më mirë. Allahu tha: “O Xhibril, shko tek

Muhamedi dhe thuaj: Ne do të të gëzojmë me Ymetin tënd dhe nuk do të të shqetësojmë”. (Muslimi)
Një ditë kaloi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, pranë xhamisë së Benu Muavijeh, hyri brenda dhe i fali dy rekate e ne u falëm me të. Bëri dua gjatë, pastaj u kthye nga ne dhe tha: “I jam lutur Zotit tim për tri gjëra, m’i pranoi dy prej tyre, kurse njërën ma refuzoi. I jam lutur Zotit që Ymetin tim të mos ma shkatërrojë me thatësira, dhe ma pranoi. I jam lutur që Ymetin tim të mos ma shkatërrojë me vërshim, dhe ma pranoi. I jam lutur Zotit që të mos i drejtojnë shigjetat ndërmjet veti, këtë ma refuzoi”. (Muslimi) Ai s.a.v.s. qante për ne e lutej për ne, të mos harrojmë edhe ne që të lutemi për të, ta zbatojmë Synetin e tij, ta bartim amanetin e tij, të qajmë për të dhe ta mbrojmë atë s.a.v.s..
Salavatet për Pejgamberin s.a.v.s.
Transmetohet nga Omeri, radijallahu anhu, se ka thënë: E kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, duke thënë: “Kur ta dëgjoni myezinin (duke thirrur ezanin) përcilleni duke thënë atë që thotë, dhe thuani salavate për mua. Kush thotë një herë salavate për mua, Allahu i përcjell atij dhjetë salavate. Pastaj kërkoni për mua që të jem ndërmjetësues, sepse kjo është një gradë në Xhenet, e cila i jepet vetëm njërit prej robëve të Allahut, dhe kam shpresë që ai të jem unë. Kush kërkon për mua (tek Allahu) ndërmjetësim, i mundësohet atij shefati (ndërmjetësimi tek Allahu nëpërmjet Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem)”. (Transmeton Muslimi)
Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Kush thotë për mua salavate në mëngjes dhjetë herë, dhe në mbrëmje dhjetë herë, atë do ta përfshijë shefati im”. (Taberani. Imam Albani thotë Hadithi është hasen).
Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Kush thotë një herë salavate për mua, Allahu i përcjell atij dhjetë salavate”. (Muslimi, Ahmed).
Transmetohet nga Abdurrahman bin Auvfi se ka thënë: “Shkova njëherë tek Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-l- em, dhe e gjeta në sexhde e ai qëndroi shumë ashtu. Pastaj tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: Kush përcjell salavate për ty, unë do t’i përcjell salavate atij. Kush përcjell selame për ty, unë do t’i përcjell selame atij. Për këtë arsye qëndrova në sexhde, për ta falënderuar Allahun”. (Transmetojnë Hakimi dhe Ahmedi. Dijetari i nderuar El-Albani thotë se është hadith sahih).
Transmetohet nga Jakub bin Zejd bin Talha Et-Tejmij se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Më erdhi një ardhës nga Zoti im dhe më tha: Secili që të përcjellë salavate për ty, Allahu i përcjell atij dhjetë salavate”. Ndërkohë u çua një person dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, a të ndaj gjysmën e duave të mia për ty? Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: “Nëse do.” Njeriu pyeti: A të ndaj një të tretën e duave të mia për ty? Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: “Nëse do.” Njeriu përsëri pyeti: A t’i bëj të gjitha duatë e mia për ty? Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: “Nëse e bën këtë, Allahu t’i largon brengat e dynjasë dhe të Ahiretit.” (Tra- nsmeton El-Xhehdemij. Dijetari i nderuar El-Albani thotë se hadithi është mursel, me zinxhir të mirë)
Transmeton Abdullah ibn Mes’udi nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, se ka thënë: “Allahu i ka veçuar disa melekë, të cilët shëtisin për të m’i përcjellë selamet nga Ymeti im”. (Transmetojnë En-Nesaiu, Hakimi. Dijetari i nderuar El-Albani thotë se është hadith sahih.)
Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Kush thotë një herë salavate për mua, Allahu i përcjell atij dhjetë salavate, ia fshin dhjetë mëkate dhe e ngre atë për dhjetë gradë”. (Transmeton Buhariu)
Transmeton Abdullah ibn Mes’udi se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Njeriu më i afërt tek unë në Ditën e Gjykimit do të jetë ai që më së shumti më ka dërguar salavate”. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se është i konsiderueshëm/hasen.)
Ebu Davudi dhe Nesa’iu transmetojnë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka deklaruar: “Dita më e zgjedhur e javës është e premtja. Përpiquni që këtë ditë të më përcillni sa më shumë salavate, ngase ato salavate do të më prezantohen.” Të pranishmit e pyetën: “Si do të të prezantohen, kurse trupi yt atëherë do të jetë shpërbërë dhe shndërruar në pluhur, o Pejgamber i Allahut”? “Allahu ia ka ndaluar tokës t’i dëmtojë trupat e Pejgamberëve të Allahut”, – u përgjigj Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Mr. Abdullah Klinaku
Dituria Islame 224

Exit mobile version