Kujtimi për të kaluarën e frymëzon të ardhmen

Përkujtimi i Srebrenicës nuk është vetëm një akt i nderimit të viktimave, por edhe një kujtesë e rëndësishme e rrezikut të nacionalizmit, urrejtjes dhe intolerancës. Këto aktivitete kontribuojnë në përforcimin e ndërgjegjes për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe parandalimit të gjenocidit, jo vetëm në Ballkan, por edhe në mbarë botën.

Xhevad HOT, Shkup*

Dita e 11-të korrikut është një nga datat më të rëndësishme të cilën e shënojnë boshnjakët, por edhe popujt e tjerë, të cilët ndiejnë dhembje me rastin e gjenocidit të kryer ndaj tyre në enklavën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995. Me këtë rast organizohen përkujtime të ndryshme, tribuna dhe marshe në mbarë rajonin, përfshirë këtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Në çdo vit, më 11 korrik, organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut mblidhen me qëllim që t’i nderojnë viktimat dhe t’i përkujtojnë tmerret që ndodhën gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo ditë është një mundësi për komunitetin për t’i kujtuar viktimat e pafajshme, për të shprehur solidaritetin me të mbijetuarit dhe anëtarët e familjeve të tyre, si dhe për ta rritur ndër­gje­gjë­si­min për rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe bashkëjetesës.

Në Maqedoninë e Veriut, kujtimi për Srebrenicën zhvillohet përmes një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh të ndryshme. Këshilli Kombëtar Boshnjak luan një rol themelor në organizimin e këtyre manifestimeve, duke bashkëpunuar me autoritetet lokale dhe institucionet ndërkombëtare. Ngjarjet përkujtimore përfshijnë ekspozita artistike, panele e diskutime, shfaqje dokumentarësh dhe marshe paqeje. Qëllimi i të gjitha këtyre aktiviteteve është rikujtimi i së kaluarës, por edhe që të promovohen vlerat e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe fetare.

Një nga ngjarjet më domethënëse të organizuara në Shkup, në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, është ekspozita e veprave të artit që janë produkt i piktorëve dhe artistëve të shquar, të cilët përmes furçës dhe pëlhurës e shprehin fjalën e tyre për Srebrenicën. Kjo ekspozitë, e cila zakonisht mbahet në sheshin “Maqedonia” dhe më pas prezantohet në disa institucione të tjera kulturore, tërheq një numër të madh të vizitorëve, duke përfshirë të rinj, studentë, punëtorë akademikë dhe publikun e gjerë. Nëpërmjet këtyre imazheve, vizitorët kanë mundësi të njihen me shprehjen artistike të ngjarjes dhe të zhvillojnë një kuptim më të thellë për rëndësinë e ruajtjes së paqes.

Krahas ekspozitave, pjesë e rëndësishme e shënimit të kësaj date janë edhe panele e diskutimet. Në këto ngjarje, ekspertë nga fusha të ndryshme, përfshirë historianë, sociologë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, flasin për shkaqet dhe pasojat e gjenocidit në Srebrenicë. Nëpërmjet këtyre bisedave, pjesëmarrësit kanë mundësi të parashtrojnë pyetjet, të shkëmbejnë mendime dhe të mësojnë më shumë për proceset komplekse politike dhe shoqërore që e shkaktuan gjenocidin.

Shfaqjet e filmave dokumentarë janë një mënyrë tjetër për ta ruajtur kujtimin e Srebrenicës në Maqedoninë e Veriut. Dokumentarët të cilat shfaqen në këto ngjarje shpeshherë përmbajnë dëshmi nga të mbijetuarit, regjistrime arkivore dhe analiza ekspertësh. Këta filma ofrojnë një pasqyrë të thellë mbi ngjarjet që i paraprinë gjenocidit, vetë ngjarjet, si dhe pasojat që pasuan më vonë.

Marshi i paqes, i cili organizohet në qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, është edhe një tjetër ngjarje e rëndësishme e përkujtimit. Këto marshe grumbullojnë mijëra pjesëmarrës, të cilët përmes pankartave me mesazhe paqeje, parakalojnë nëpër rrugët e qytetit të Shkupit në kujtim të viktimave të gjenocidit. Në Shkup, marshi i paqes fillon nga parku i Çairit, nga vendi ku ndodhet monumenti “Lulet e Srebrenicës” dhe vazhdon deri në sheshin kryesor, ku me një program prej tridhjetë minutash pjesëmarrësit e marshit ndjekin fjalimet e organizatorëve dhe zyrtarëve. Marshet shpeshherë udhëhiqen nga të rinjtë, gjë që paraqet një rëndësi të veçantë, sepse këtu manifestohet angazhimi i brezit të ri për ruajtjen e kujtesës së të kaluarës dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë.

Përveç këtyre manifestimeve publike, edukimi për gjenocidin në Srebrenicë bëhet pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e programeve shkollore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në disa shkolla, gjatë orëve të historisë, edukimit qytetar dhe lëndëve të tjera, nxënësit kanë mundësi të mësojnë për ngjarjet në Srebrenicë. Mësuesit përdorin një sërë metodash, duke përfshirë leksione dhe projekte në grupe, me qëllim që nxënësve t’ua afrojnë temat komplekse dhe të dhimbshme të gjenocidit dhe të drejtave të njeriut. Edukimi i të rinjve është thelbësor për ta parandaluar përsëritjen e tragjedive të ngjashme në të ardhmen, si dhe për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në vlerat e paqes dhe tolerancës.

Përkujtimi i Srebrenicës në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm një akt i nderimit të viktimave, por edhe një kujtesë e rëndësishme e rrezikut të nacionalizmit, urrejtjes dhe intolerancës. Këto aktivitete kontribuojnë në përforcimin e ndërgjegjes për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe parandalimin e gjenocidit, jo vetëm në Ballkan, por edhe në mbarë botën.

Së fundi, kujtimi i Srebrenicës në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka një rëndësi të thellë emocionale dhe morale. Për shumë njerëz, kjo është një mundësi për ta shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre. Për shoqërinë në tërësi, kjo është një mundësi për ta riafirmuar përkushtimin ndaj vlerave të paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Përmes gjitha këtyre aktiviteteve, përkujtimi i Srebrenicës mbetet i gjallë në vetëdijen kolektive të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ky është një kujtim që jo vetëm na e kujton të kaluarën, por e frymëzon edhe të ardhmen – një e ardhme në të cilën paqja, toleranca dhe jeta e përbashkët paraqesin vlerat më të rëndësishme të cilat ne të gjithë i ndajmë.

*Autori është kryetar i Këshillit Kombëtar Boshnjak në RMV.
/revistashenja