Ballina Artikuj KUJTIMI I FUNDIT PËR BACIN ADEM

KUJTIMI I FUNDIT PËR BACIN ADEM

Shkruan: Adnan Ismaili

Mora vesh se dje (e hënë – 09.05.2016) qenka ndarë nga kjo botë Baca Adem Beqaj (Mulaj) nga fshati Sushicë e Epërme të Pejës. Më ra keq jo vetëm për të si njeri, si familjar dhe si plak të cilin e kam njohur, por m’u duk se kështu u shua edhe kujtimi i fundi i gjallë shqiptar për poetin e madh shqiptar, autorin e himnit të Turqisë, Mehmet Akif Ersoj (Pejani).

Me Bacën Adem jam takuar për herë të parë më 2005 – atëbotë e përgatisnim përkthimin shqip të veprës “Fletët” (në turqisht “Safahat”) dhe, për këtë arsye, vajtëm në Sushicë për t’i gjetur gjurmët e familjes së Poetit. Kanë kaluar disa vite, por kujtimet i kam ende të freskëta.

Baca Adem na priti si miq të moçëm. Na shpjegoi se ai dhe babai i Poetit, Tahir efendiu, kishin qenë kushërinj të parë. Na tregoi edhe se xhamia, e djegur nga forcat serbe në vitin 1999 e tash e rindërtuar nga donacione turke, ishte ngritur pikërisht më 1851-1853 – kur Tahiri kishte shkruar për shkollim në Stamboll dhe nuk ishte kthyer më. (Tash në fshat është edhe një xhami tjetër – e ndërtuar nga shteti turk pikërisht për shkak të kësaj lidhje, si edhe shkolla fillore, po ashtu e ndërtuar me donacion të këtillë dhe me emrin “Mehmet Akif Ersoj”).

Kur Baci Adem mori vesh se ne po e bënim shqip librin e kushëririt të tij, Mehmetit, i erdhi fort mirë. Na tregoi se babai i tij i kishte thënë se Poeti paska ardhur një herë në Pejë – kur qenkëshin takuar me familjarët e Sushicës, por nuk e dinte a ka ardhur në Sushicë. Por, prej atëherë i kishin humbur lidhjet më. Kështu na e dha një detyrim.

Takimi me Bacën Adem, sado i shkurtër, ishte mbresëlënës. Pas asaj vizite më mbetëm dy pengje: ta botojmë “Safahatin” shqip dhe t’ia sjellim Bacit Adem dhe, e dyta, t’ia gjejmë kushërinjtë në Turqi.

Dhe, ne në vitin 2006 – në 70-vjetorin e vdekjes së Poetit SHB “Logos-A” e  botoi shqip veprën e tij kolosale “Fletët”, ku i vendosëm edhe disa fotografi të realizuara me Bacin Adem gjatë vizitës sonë të parë. Kështu e përmbushëm pjesën e parë të detyrës.

Por, edhe pjesa e dytë ishte mjaft e vështirë. Duhej gjetur pasardhësit e Mehmet Akifit në Stamboll dhe duhej organizuar ardhja e tyre në Sushicë. Përmes miqve të mi rashë në gjurmë dhe e gjetëm znj. Selma Argon, një stërmbesë e Poetit, e cila u mrekullua nga lajmi se paska familjarë të saj në Kosovë. Pastaj në shtator të vitit 2013 bashkë me dy deputetë të Turqisë, pra edhe me znj. Argon, si edhe me mikun tonë – artistin pejan Edi Agagjyshi – vajtëm në Sushicë te baca Adem. Takimi mes Adem Beqajt dhe Selma Argonit ishte një takim që as regjisorët më të mirë nuk arrijnë ta përshkruajnë. Një orë përqafime e mallëngjim. Sado që u duhej një përkthyes, sepse as Baca Adem nuk dinte turqisht e as znj. Selma nuk dinte shqip, lotët e tyre flisnin shumë. Madje, edhe ne të tjerët u përmalluam. Gati një shekull pa u parë – krejt e natyrshme ishte kjo.

Mbresëlënës për znj. Selma dhe për ne ishte fakti se një nip i Bacit Adem tashmë quhej Mehmet, për ta ruajtur kështu kujtimin për Poetin. Në familjen Mulaj do të vazhdonte të jetonte Mehmeti.

Prandaj, kur sot e mora vesh se Adem Beqaj (Mulaj) qenka ndarë nga kjo botë, m’u rrokullisëm në mendje këto kujtime njësoj si lotët e Bacit Adem dhe të znj. Selma në atë ditë

Në këto ditë acari, kur gjithçka ka mbuluar bora dhe akulli, lajmi i vdekjes së Adem Beqajt më duket se e mbuloi edhe një hallkë që e lidhte Sushicën e Epërme me Stambollin ose hallkën e kushërinjve kosovarë të Poetit të madh Mehmet Akif.

Eh Bac, kur duhet ta shkruaj këtë kujtim të fundit për ty dhe kur nuk mund të përmbahem dot, më lejo të ta them se unë e përmbusha detyrën time ndaj teje. Prandaj sot po lutem: qoftë i bardhë shpirti jot andej dhe Zoti të pastë mëshiruar me të mirat e tij!

Exit mobile version