Kujdes, të pasurit dhe të fortët mund t’ua marrin edhe atdheun!

Kim Mehmeti

Presidenti i porsazgjedhur amerikan ka paralajmëruar në fillim të kësaj jave zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës duke thënë se SHBA-të aty do ndërtojnë një resort ku komunitetet të ndryshme do të mund të jetojnë në mënyrë harmonike?!
Siç raportojnë mediat, Ministri izraelit i Mbrojtjes ka udhëzuar ushtrinë të përgatisë planin për largimin nga Gaza të palestinezëve.
Pra pasi atë e rrënoi dhe e bëri të pabanueshme, Izraeli paralajmëron përfundimin e gjenocidit në Gaza mbi palestinezët:
Jo që tani, por prej moti jetojmë në kohë të paparashikueshme, siç jetohet në xhungël ku vlen ligji i më të fortit. Pra jetojmë në kohë kur këtë planet e sundojnë një grusht njerëzish të pasur, të cilët kur të duan ta blejnë apo ta marrin shtetin ku jeton dhe të lënë të paatdhe.
Siç duket të vegjëlve dhe të varfërve u ka mbetur vetëm mëshira e Zotit si dhe e vërteta se kjo botë ka parë shumë perandori, të cilat nuk ka mundur t’i mposht askush, por që e kanë mposhtur vetveten.
Edhe atë atëherë kur janë ndje më të forta dhe kur e kanë humbur sundimin mbi vetveten. Apo atëherë kur kanë harruar se kjo botë nuk qëndron mbi themelet e forcës dhe pasurisë, por mbi ato të një rendi që garanton parashikueshmëri dhe njerzillëk.

Nga Kim Mehmeti