Ballina Jeta Mamia Kujdes nga mjekimi me barna gjatë shtatzënisë

Kujdes nga mjekimi me barna gjatë shtatzënisë

Disa barna tjera janë të dëmshme në fazat e mëvonshme të shtatzënisë, prandaj të gjitha femrat, duhet të këshillohen që ta zvogëlojnë sa më shumë mundësinë e shfaqjes së anomalive kongjenitale.

Këshillat e përgjithshme përfshijnë shmangien e të gjitha barnave, alkoolit, duhan-pirjes, vitaminës A (për shkak të teratogjenitetit-defekteve të foshnjës), dhe nga ana tjetër rekomandohet marrja e acidit folik (400 mcg) për zvogëlimin e rrezikut nga defekti i tubave neurale.

Marrja e acidit folik fillon para mbetjes shtatzënë dhe vazhdon deri në fund të tremujorit të parë, ndërsa femrat të cilat marrin barna antikonvulzive- të sëmurat me epilepsi, ose ato të cilat kanë pasur defekt të tubave neurale te fëmijët tjerë, duhet ta rritin dozën e acidit folik deri në 4 mg ose 5 mg në ditë.Parimi i përgjithshëm është shmangia ose zvogëlimi i përdorimit të barnave (nëse është i mundshëm), sidomos në tremujorin e parë të shtatzënisë.

Femrave të cilat marrin barna për shkak të ndonjë sëmundjeje kronike duhet t’u ofrohet këshillim specialistik para ngeljes shtatzënë dhe të vlerësohet mundësia e zvogëlimit ose zëvendësimit të barit që përdorin me ndonjë lloj bari, përdorimi i të cilit konsiderohet i parrezikshëm në shtazani.

Ekspozimi i fetusit ndaj barit

Ekspozimi ndaj barnave gjatë stadit pre-embrional zhvillohet në bazë të parimit “krejt ose asgjë”, duke shkaktuar vdekjen ose rikuperimin e plotë dhe zhvillimin normal të fetusit.

Organogjeneza kryesisht ndodh në fazën embrionale të zhvillimit (përveç sistemit nervor qendror, syve, dhëmbëve, organeve gjenitale dhe veshëve) dhe përfundon në fund të javës së dhjetë të shtatzënisë.

Ekspozimi ndaj barnave në këtë periudhë paraqet rrezik të madh për defekte të rënda për shkak të ndikimit të barnave në formimin e organeve, këshillon Shegaime.

Parimi i përgjithshëm është që sa herë që është e mundshme të shmanget ose zvogëlohet dhënia e barnave në tremujorin e parë.

Dozimi gjatë shtatzënisë

Mjekimi me barna, përdorimi i të cilëve është i domosdoshëm edhe gjatë shtatzënisë, duhet të zvogëlohet në dozat më të vogël efikase para mbetjes shtatzënë dhe gjatë tremujorit të parë.

Doza e barit, për të cilin konsiderohet se mund të shkaktojë reaksion të abstenimit nëse ndërpritet përdorimi pas lindjes, siç ndodh me antidepresivët ose antipsikotikët, duhet të zvogëlohet dalëngadalë me afrimin e terminit të lindjes.

Ndryshimet fiziologjike të cilat ndodhin gjatë shtatzënisë dhe ndikimi i tyre mbi barin në organizëm.

Krahas rritjes së sasisë së progesteronit gjatë shtatzënisë, vjen deri te zvogëlimi i peristaltikës së sistemit gastrointestinal.

Këto ndryshime mund të ndikojnë në përqendrimin maksimal të barit dhe në kohën e arritjes së këtij përqendrimi (derisa ndryshimet në shkallën e thithjes në të shumtën e rasteve nuk kanë rëndësi klinike).

Rritja e vlerave të pH krahas zvogëlimit të prodhimit të acidit gastrik mund ta zvogëlojë reabsorbimin-thithjen e barnave lehtësisht acidike, megjithatë nuk dihet rëndësia klinike e këtij ndryshimi.

Vjellja mund të ndikojë dukshëm në shkallën e thithjes së barit.

Për shkak të rritjes së vëllimit minutor të zemrës gjatë shtatzënisë, rritet edhe thithja e barnave që merren në mënyrë inhalatore.

Reabsorbimi i barnave të cilat merren me rrugë intramuskulare mund të rritet për shkak të rritjes së perfuzionit të indeve gjatë shtatzënisë.

Gjatë shtatzënisë vjen deri te rritja e përgjithshme e lëngjeve trupore.

Pasojë e këtij ndryshimi është rritja e distribuimit-shpërndarjes së barnave hidrofile dhe zvogëlimi i përqendrimit të tyre.

Efekti klinik i këtyre ndryshimeve pjesërisht kompensohet me ndryshimet në lidhjet me proteinat e plazmës.

Për shkak të përqendrimit më të ulët të albuminave në shtatzëni vjen deri te rritja e fraksionit të lirë të barit.

Përveç kësaj, hormonet steroide dhe hormonet e placentës mund ta largojnë barin nga kompleksi me proteinën dhe në këtë mënyrë të rritin përqendrimin e fraksionit të lirë të barit.

Rëndësia klinike e këtyre ndryshimeve në të shumtën e rasteve nuk është e madhe, pasi që fraksioni i lirë i barit shpërndahet shpejtë dhe i nënshtrohet ndryshimeve metabolike dhe eliminimit.

Rritja e indit yndyror (mesatarisht për 4 kg) ndikon në rritjen e vëllimit të distribuimit të barnave lipofile (të tretshme në yndyra), mirëpo këto ndryshime kanë rëndësi të vogël klinike.

Metabolizmi i disa barnave (teofilina, fenitoina) në shtatzëni mund të ndryshohet nën ndikimin e hormoneve.

Qarkullimi i gjakut nëpër veshka gjatë shtatzënisë është i rritur për 60-80%. Derisa shpejtësia e filtrimit glomerular është e rritur për 50%.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve rritet edhe eliminimi i barnave, të cilat në radhë të parë eliminohen me anë të urinës (p.sh. penicilina, digoksina etj), mirëpo korrigjimi i dozave të tyre rrallëherë është i nevojshëm.

Kategorizimi i barnave në bazë të rrezikut të përdorimit në shtatzëni.

Kategoria A: Barnat për të cilët hulumtimet përkatëse nuk kanë treguar për ekzistimin rrezikut ndaj fetusit në tremujorin e parë dhe nuk ekzistojnë të dhëna për rreziqet në muajt pasues (tiroksina, klorur kaliumi, vitaminat në dozat e rekomanduara etj.).

Kategoria B: Hulumtimet në kafshët eksperimentale nuk kanë treguar rrezik për fetusin, mirëpo nuk ekzistojnë hulumtime përkatëse te shtatzënat, ose te kafshët janë vërejtur efekte të padëshirueshme, por hulumtimet përkatëse te shtatzënat nuk kanë treguar rrezik për fetusin në tremujorin e parë dhe nuk ka të dhëna për rrezikun e përdorimit të tyre në muajt pasues (prednizoni, klorfeniramina, cefoksini etj.).

Kategoria C: Hulumtimet në kafshë kanë treguar efekte të padëshirueshme mbi fetusin, ndërsa nuk ekzistojnë studime përkatëse te njerëzit.

Nëse dobia nga përdorimi i këtyre barnave është më e madhe sesa rreziku ndaj nënës dhe fetusit, atëherë përdorimi mund të jetë i pranueshëm (acikloviri, metildopa, teofilina, karbamazepina, betametazoni etj.).

Kategoria D: Ekzistojnë të dhëna mbi rreziqet për fetusin te njerëzit, mirëpo përdorimi i tyre te shtatzënat mund të jetë i pranueshëm vetëm në rast kur rreziku nga sëmundja që trajtohet është shumë i madh (tetraciklinat, tobramicini, fenitoina, acidi valproik, varfarina, kortizoni etj.).

Kategoria X: Studimet te njerëzit dhe te kafshët kanë treguar shfaqjen e anomalive te fetusi, ose të dhëna mbi reaksionet e padëshirueshme të cilat janë të rrezikshme për fetusin.

Nuk lejohet përdorimi i tyre nga shtatzënat (kontraceptivët oralë, mizoprostol etj.)Trajtimi i dispesisë, mundimit vjelljes dhe hyperemesis gravidarum.

Dispepsia është shumë e shpeshtë në shtazani. Te këto raste është i sigurt përdorimi i antacideve (të aluminit dhe magnezit) dhe alginatëve.

Preparatet të cilat përmbajnë natrium-dihidrogjen-bikarbonat duhet të shmangen gjatë shtatzënisë, sepse mund të çojnë deri te alkaloza respiratore dhe mbajtja e lëngjeve nga fetusi.

Mundimi dhe vjellja shpesh (në 50% të rasteve) e shoqërojnë shtatzëninë e hershme (tremujorin e parë).

Numri më i madh i shtatzënave mund t’i kontrollojnë këto simptoma duke ndryshuar ushqimin dhe duke i përshtatur vaktet.

Të vjellat serioze mund të shkaktojnë ketozë, dehidrim dhe humbje të peshës trupore.

Trajtimi i hyperemesis gravidarum përfshin rehidrimin, korrigjimin e disbalansit të elektroliteve dhe mungesës së tiaminës.

Antiemetikët (barnat kundër vjelljes) e parrezikshëm janë antagonistë të dopaminës, fenotiazineve dhe antagonistë të H1 receptorëve.

Për mjekimin e hiperemezës serioze janë efikase kortikosteroidet dhe antagonistët e receptorëve 5HT3.

Depresioni
Për mjekimin e depresionit barnat e zgjedhjes së parë janë amitriptilina dhe imipramina.

Rekomandohet që fluokstina të përdoret vetëm në rastet kur amitriptilina dhe imipramina nuk kanë efekt ose në rast të rrezikut të lartë nga vetëvrasja e shtatzënës, këshillon Shegaime.

Inhibuesit e MAO-s nuk duhet përdorur gjatë shtatzënisë.Astma
Barnat të cilët më së shpeshti përdoren në terapinë e astmës janë β2-antagonistët me veprim të shkurtë dhe veprim të gjatë, kortikosteroidet inhaluese dhe metilksantinet.

Dobia nga përdorimi i këtyre barnave është më e madhe sesa rreziku ndaj nënës dhe fetusit.

Epilepsia
Shtatzëna e cila ka epilepsi është më e rrezikuar që të lindë fëmijë me malformacione të vogla ose të mëdha kongjenitale.

Nuk ekzistojnë teknika ideale epidemiologjike të cilat do të mund ta ndanin efektin e barit nga efekti i vetë sëmundjes mbi zhvillimin e fetusit, mirëpo mundësitë që foshnja të lindë e shëndoshë janë 90%.

Studimet e reja tregojnë se karbamazepina ka rrezik pak më të vogël sesa valproatet, fenitoina, fenobarbitoni dhe maisolina.

Megjithatë, është shumë më mirë nëse arrihet kontrollimi i sulmeve, të mos nderohet terapia dhe të përdoret një antiepileptik në dozën më të vogël të mundshme.Diabeti

Diabeti tip 1, si edhe diabeti gestacional dhe diabeti tip 2, është më së miri të trajtohen me insulinën humane gjatë shtatzënisë.

Insulina humane nuk e kalon barrierën e placentës dhe nuk ekziston asnjë indikacion që është i lidhur me shtimin rrezikut për toksicitet fetal ose neonatal.

Sindroma akute koronare
Në terapinë e sindromës akute koronare te shtatzënat, dozat e vogla të aspirinës janë të parrezikshme, agjentët trombolitikë nuk e kalojnë placentën, kështu që rreziku bazë i përdorimit të këtyre barnave është gjakderdhja te shtatzëna.

Bllokuesit β-adrenergjikë janë të parrezikshëm në shtazani, mirëpo duhet të kihet kujdes gjatë përdorimit të tyre intravenoz.

Verapamili është alternativë e beta bllokuesve. Statinet nuk duhet të përdoren gjatë shtatzënisë dhe laktacionit (kohës së dhënies gji)./Mesazhi/

Exit mobile version