Kuba ka dorëzuar një deklaratë se do t’i bashkohet çështjes së gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, transmeton Anadolu.
“Duke iu referuar nenit 63 të Statutit të Gjykatës, Kuba dorëzoi në Regjistrin e Gjykatës një deklaratë të ndërhyrjes në çështjen lidhur me Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës”, njoftoi gjykata.
Në muajin dhjetor të vitit 2023, Afrika e Jugut ngriti procedime kundër Izraelit, duke pretenduar shkelje të Konventës së Gjenocidit në lidhje me palestinezët në Rripin e Gazës. Që atëherë, disa vende i janë bashkuar, duke përfshirë Nikaraguan, Kolumbinë, Libinë, Meksikën, Palestinën, Spanjën dhe Türkiyen.
Izraeli vazhdon me ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit në tetor të vitit 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 46.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe mbi 105 mijë të tjerë janë plagosur.
Sulmi izraelit ka çuar në zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka shkaktuar mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.