Republikën e Kosovës e presin shumë sfida në të ardhmen, kemi para vetes anëtarësimet në UNESCO, INTERPOL, NATO, KE e shumë organizata ekonomike e politike ndërkombëtare, andaj duhet maturi dhe diplomaci të matur. Së pari duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë, duke u koordinuar ngushtë me aleatet tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, BE-ja e organizatat e tjera të rëndësisë strategjike.
Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë
Diplomacia ekonomike trajton çështje që lidhen me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, në këtë rast ndërmjet Republikës së Kosovës dhe partnerëve strategjikë. Roli tjetër i diplomacisë ekonomike janë marrëveshjet gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit ekonomik bilateral dhe multilateral, që lehtësojnë shkëmbimet midis palëve kontraktuese. Diplomacia ekonomike duhet të jetë aktive edhe në shtetin tonë, duke ofruar informata lidhur me investimet, stabilitetin ekonomik. Në treg operojnë shumë media vendore e ndërkombëtare. Shpeshherë kam hasur në lajme se investitorë potencialë po largohen nga Kosova, se investitorët e huaj nuk investojnë në vende potencialisht në gjendje lufte etj. Prandaj duhet fokus më i madh dhe informim i drejtë e i saktë.
Diplomacia ekonomike ka për detyrë t’i harmonizojnë standardet në sektorë të ndryshëm ekonomikë, socialë, kulturorë. Prandaj ajo duhet të jetë shumë aktive. Kjo diplomaci, që fatkeqësisht shteti ynë nuk e ka të zhvilluar, nuk është duke e luajtur rolin e saj në prezantimin e shtetit drejt saktë dhe në kohë.
Për këtë qëllim angazhohen departamente të veçanta në kuadër të ministrive të jashtme, por edhe në vizita të liderëve shtetërorë pjesë e delegacionit janë shpesh edhe grupe të bizneseve të ndryshme dhe përfaqësues të odave ekonomike, të cilat përfaqësojnë bizneset e shteteve të tyre. Kosova vazhdon ta neglizhojë rolin e diplomacisë ekonomike, një rol i cili ka për qëllim promovimin e interesave kombëtare ekonomike, tërheqjen e investimeve të huaja dhe eliminimin e propagandës shoviniste serbe, e cila është shumë aktive në arenën ndërkombëtare. Shteti kriminal serb e përdor diplomacinë ekonomike për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si shtet i destabilizuar e jo i qëndrueshëm. Prandaj shteti ynë duhet ta aktivizojë këtë dikaster të rëndësishëm të promovimit të ekonomisë dhe realitetit që e ofron Kosova për investimet e huaja.
Republikën e Kosovës e presin shumë sfida në të ardhmen, kemi para vetes anëtarësimet në UNESCO, INTERPOL, NATO, KE e shumë organizata ekonomike e politike ndërkombëtare, andaj duhet maturi dhe diplomaci të matur. Së pari duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë, duke u koordinuar ngushtë me aleatet tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, BE-ja e organizatat e tjera të rëndësisë strategjike.
Si shtet i ri e me një demokraci të brishtë, ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj partnerëve strategjikë, sepse kemi nevojë për një ngritje dore në OKB. Madje, shteti ynë varet edhe nga mbështetja e shteteve mike lidhur me sigurinë tonë kombëtare, si edhe në shumë procese që na presin. Qeveritë e Kosovës duhet t’i kryejë detyrat e veta dhe të dëshmojnë miqësi të vazhdueshme ndaj shteteve mike, duhet koordinim i vazhdueshëm, sepse kemi në ballë një shtet kriminal, i cili qëllim kryesor ka ripushtimin e shtetit.
Kosova nuk e meriton këtë degradim politik, si rezultati i të cilit po rrezikohet edhe zhvillimi ekonomik i vendit, madje diplomacia ekonomike e vendit nuk shihet askund.
Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për investimet e huaja. Sektorët kryesorë për investime potenciale janë: Teknologjia Informative dhe Komunikimi – ICT, përpunimi dhe paketimi i ushqimit, miniera dhe përpunimi i metaleve, energjia, tekstili dhe përpunim i lëkurës, përpunimi i drurit, turizmi etj.
Sipas Agjencisë së Statistikave, BPV norma reale e rritjes 2021 është 10.7 % kurse BPV për kokë banori 2021: € 4,486.
Sipas ASK-së, BPV-ja në tremujorin e katërt të vitit 2022 shënon rritje reale për 3,55% krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.
Aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor janë: industria përpunuese – 12,52%; aktivitetet financiare dhe të sigurimit – 11,53%, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse – 8,71%, industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, si dhe rehabilitimit – 7,93%, tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor – 6,16%, informacioni dhe komunikimi – 5,94%; artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera – 5,41%; bujqësia, pyjet dhe peshkimi – 3,35%, aktivitetet e pasurive të paluajtshme – 1,76%; administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia – 0,53%.
Mjedisi afarist në Republikën e Kosovës është duke u bërë ndër më konkurruesit në rajon. Përparësitë e krijuara sikurse janë sistemi i shkëlqyer tatimor, burimet e bollshme natyrore, regjistrimi i shpejtë dhe i lehtë i bizneseve, ligjet transparente mbi investimet e huaja dhe përparësitë tjera, që e bëjnë Kosovën një mjedis atraktiv dhe të favorshëm për investitorët e huaj.
Republika e Kosovës shquhet si vendi me mundësi të mëdha për investime në Ballkan, pra një arsye e fortë tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë si një vend primar për investimet e tyre.
Sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), zhvillimi real i ekonomisë, i matur me prodhimin e brendshëm bruto (PBB), ka qenë i favorshëm viteve të fundit, duke treguar një trend pozitiv dhe në rritje të vazhdueshme, pavarësisht efekteve të krizës financiare ndërkombëtare.
Investimet dhe konsumi i sektorit privat po bëhen faktorët kryesorë në ngritjen e ekonomisë. Këto investime po udhëhiqen kryesisht nga zgjerimi i shpejtë i sektorit financiar. Për më tepër, Qeveria Kosovare po zbaton një politikë fiskale të qëndrueshme dhe largpamëse. Baza e të ardhurave në tatim është zgjeruar, ashtu që ka bërë që shpenzimet e qeverisë të rriten, kurse nga ana tjetër ka mbështetur ngritjen e ekonomisë.
Kosova udhëheq një politikë monetare shumë të qëndrueshme. Kosova është një prej vendeve të pakta jashtë zonës së BE-së që e ka paraqitur euron si valutë zyrtare të saj. Duke e eliminuar rrezikun e shkallës së shkëmbimit, janë ulur shpenzimet e transaksioneve dhe është mundësuar promovimi i tregtisë dhe investimeve. Për shkak të mungesës së instrumenteve monetare që rrjedhin nga përdorimi i euros, Republika e Kosovës nuk zbaton asnjë politikë të rrezikut monetar.
Në bazë të nenit 15 të Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatës (nr.03/L- 162), shuma e lejuar për zbritje të zhvlerësimit për periudhën tatimore do të përcaktohet me aplikimin e përqindjeve të poshtëshënuara për llogaritë kapitale përmes metodës së balancimit të zbritjes:
Kategoria 1: Ndërtesat – pesë për qind (5%)
Kategoria 2: Automjetet dhe pajisjet për zyre – njëzet për qind (20%)
Kategoria 3: Makineritë dhe automjetet për transport të rëndë – pesëmbëdhjetë për qind (15%)
Republika e Kosovës, nëpërmjet diplomacisë ekonomike, duhet t’i paraqesë në arenën ndërkombëtare përparësitë që i ofron shteti lidhur me investimet e huaja.
Ditë më parë u kontaktova nga një investitor grek, i cili kishte dyshime lidhur me sigurinë e investimit të tij, duke u bazuar edhe në situatën e krijuar nga bandat kriminale serbe në veri. Prandaj diplomacia duhet ta luajë rolin e saj ligjor lidhur me informimin e drejtë rreth potencialit që e ofron Kosova dhe sigurisë që investimi i tyre nuk do të varet nga trazira të orkestruara nga mbështetës të Rusisë dhe Serbisë. /revistashenja