Kthimi i Shaqirit në Basel vlerësohet fitore për gjithë qytetin

Xherdan Shaqiri

Fitorja 8:0 ishte bindëse të shtunën. Baseli fitoi me lehtësi ndeshjen për Kupë në ditën kur u prezantua Xherdan Shaqiri. Por shumë pak njerëz ishin të përqendruar në lojë dhe në rezultatin e ndeshjes. Ata ishin shumë të interesuar për lajmet rreth rikthimit të lojtarit të tyre të preferuar.

Ai nuk është paraqitur ende para publikut dhe nuk do të stërvitet deri të martën. Megjithatë, ndeshja kundër Subingenit tregoi se shumë gjëra te Baseli funksionojnë edhe pa Shaqirin. Por në cilin pozicion përshtatet Shaqiri në 11-shen e Baselit? Kjo ishte pyetja që gazetari i gazetës zvicerane “Blick” ia bëri trajnerit Fabio Celestini.

“Nuk duhet të shqetësoheni për këtë. Kjo është puna ime. Ju gjithmonë mund të gjeni një pozitë në fushë për lojtarë të mirë. Nëse luani vetëm me një sulmues përpara mund të keni probleme. Nëse luani me tre, nuk ka asnjë problem. Ai mund të luajë njëjtë si te Zvicra në Evropian. Pra si lojtar prapa sulmuesve. Ai mund të luajë edhe në anën e djathtë”, thotë Fabio Celesini për “Blick”. “Detyra ime është të gjej një zgjidhje të mirë për të gjithë lojtarët. Këto gjëra janë të mira për trajnerët, lëvizjet taktike”.

Celestini ende nuk e njeh realisht Shaqirin. “Unë nuk e njoh akoma. Kam folur njëherë pesë minuta. Kjo është e gjitha”, theksoi ai. Ai zbulon se biseda me Shaqirin ishte pas Kampionatit Evropian që u zhvillua në Gjermani.

Në atë kohë, 32-vjeçari i tha trajnerit të tij aktual se nuk ishte koha për të folur për të ardhmen.

“Atëherë ishte korriku, tani është gushti”.

Celestini u pyet edhe për formën e Shaqirit.

“Do të testohet edhe fizikisht kur të vijë. Atëherë do të shohim se ku qëndron, pastaj ne do të bëjmë një plan. Si çdo lojtar tjetër ai duhet të jetë 100 për qind i gatshëm”, është shprehur Celstini.

Celestini nuk është i vetmi që i gëzohet transferimi të Shaqirit. Edhe Albian Ajeti, i cili aktualisht është në formë të mirë, është i bindur se Shaqiri do të ketë rol të madh në skuadër.

“Do të na shërbejë me shumë topa”, ka theksuar Ajeti.

Shaqiri mirëpritet edhe nga Taulant Xhaka, me të cilin ka luajtur në kategorinë e juniorëve.

“Është mirë që ai u kthye. Për ne, për shikuesit, për qytetin. Nuk e mendoja se do të kthehej kaq shpejt. Ai e mbajti të fshehur edhe nga unë. Është mirë që ai tashmë është këtu”, ka thënë Xhaka.

Shaqiri karrierën si futbollist e filloi te Baseli në vitin 2007. Në vitin 2012, u largua nga Baseli për t’u transferuar te Bayern Muencheni. Karrierë bëri edhe tek Interi, ndërsa më vonë edhe në Stoke City, Liverpool, Lyon dhe së fundmi ishte pjesë e Chicago Fire.

Shaqiri të hënën do të paraqitet para publikut të Baselit. Në orën 18:30 ai do t’u drejtohet shikuesve, ndërsa të martën nga ora 13:00 do të ketë konferencë për media. Në stërvitje do të paraqitet të martën pasdite. Paraqitja e parë në fushë pritet të jetë më 25 gusht në shtëpi ndaj Yverdonit.