Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë bërë të ditur se mostra e pacientit të dyshuar në Linë e majmunëve, e dërguar për testim në Laboratorët e Holandës ka rezultuar negative.
“Siç dihet nga njoftimet paraprake të MSh-së, me datë 3 qershor 2022 në ora 17:41, IKShPK ka pranuar nga Klinika Infektive-QKUK një raportim për një rast të dyshimtë me Linë e majmunëve (Monkeypox), për një pacient mashkull (1953) nga komuna e Dragashit, i hospitalizuar në këtë klinikë, dhe të cilit i ishte marrë mostra nga ndryshimi lëkuror për t’u dërguar për analiza laboratorike në Holandë.”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Po ashtu u tha se IKShPK është njoftuar sot nga laboratorët respektiv të këtij shteti, që kjo mostër ka rezultuar negative dhe rasti në fjalë nuk ka rezultuar të jetë i prekur nga Lia e majmunëve, transmeton lajmi.net.
MSh dhe IKSHPK, rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19./