Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) do të mblidhet nesër ku do të diskutojë për vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si “kryeqytet të Izraelit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të diplomatëve të OKB-së, të cilët kanë folur për mediat amerikane, takimi në fjalë do të mbahet ditën e premte, me kërkesën e 8 anëtarëve të Këshillit. Kërkesa për takim ka ardhur nga Franca, Bolivia, Egjipti, Italia, Senegali, Suedia, Britania e Madhe dhe Uruguai.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, në një deklaratë me shkrim shprehu mbështetje për vendimin e Trumpit, ku theksoi se “Presidenti bëri një hapë të guximshëm dhe historik për një vendim të vonuar”.
Reagimi vjen pasi presidenti amerikan Trump deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si “kryeqytet të Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen e tij si kryeqytet.