KS i OKB-së miraton unanimisht projekt-rezolutën për Halepin

Miratohet në mënyrë unanime projekt-rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që parasheh dërgimin e monitoruesve ndërkombëtarë për mbikëqyrjen e sigurisë dhe evakuimit të civilëve në Halepin lindor, raporton Anadolu Agency (AA).

KS i OKB-së ka miratuar projekt-rezolutën e përgatitur dhe e prezantuar nga Franca e cila dje nuk u diskutua për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Rezoluta e Francës e cila ndryshoi dokumentin origjinal pas kërkesës së Rusisë, u pranua me mbështetjen e 15 anëtarëve.

Në dokumentin e projekt-rezolutës parashihet që monitorues të OKB-së në rajon dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të monitorojnë objektivisht evakuimin e civilëve në Halep dhe sigurinë e civilëve të ngelur dhe të raportojnë, ndërsa në rast nevoje të shtohet numri i monitoruesve në rajon.

Në projekt-rezolutë bëhet thirrje për lejimin e hyrjes së monitoruesve në të gjitha rajonet pa pengesë dhe të mbrohen të gjithë civilët.

Për më tepër, në projekt-rezolutë është kërkuar mbrojtja e organizatave shëndetësore dhe të sigurohet dërgimi i pajisjeve mjekësore dhe personelit shëndetësor në të gjitha pikat ku është e nevojshme.

Projekt-rezoluta në fjalë pritej të miratohej dje në Këshill. Megjithatë, Rusia deklaroi se do të vendoste veto mbi version aktual, me çka palët shkëmbyen mendimet në kohëzgjatje prej tre orësh.

Pas ndryshimit të dokumentit origjinal nga Franca me kërkesë të Rusisë, palët shtynë votimin për sot për të diskutuar me kryeqytetet e tyre.

Në dokumentin origjinal të përgatitur nga Franca, nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkohej dërgimi i monitoruesve në zonat e nevojshme në Halepin lindor. Ndërkaq, Rusia për këtë kërkoi të merret miratimi i regjimit sirian, sepse në të kundërtën, sipas saj, jeta e monitoruesve do të ishte në rrezik.

Ndryshe, pas përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes në Halep dhe rritjes së sulmeve, me ndërmjetësimin e Turqisë, mes forcave të regjimit të kryesuara nga Rusia dhe opozitarëve më 13 dhjetor, ditë e martë, u arrit armëpushim dhe ndërprerje e sulmeve.

Sipas marrëveshjes së arritur që parashihte evakuimin e civilëve dhe opozitarëve të armatosur nga rajoni i rrethuar, në etapën e parë parashihej transferimi i sigurtë i të plagosurve dhe më pas i civlëve dhe grupeve të armatosura në qytetin e Idlibit që kontrollohet nga opozitarët.

Evakuimi filloi ditën e mërkurë në mëngjes, megjithatë, ai u ndërpre disa herë për shkak të grupeve terroriste mbështetëse të regjimit. Grupet terroriste mbështetëse të regjimit nën komandën e gjeneralit Iranian Sejid Xhevad, të enjten e kaluar dhe një ditë më parë sulmuan autokolonën që po shkonte në zonën e regjimit në Halep dhe vranë 18 civilë.

Aktivitetet e grupeve terroriste që shpërfillën jetërat e qindra mijëra civilëve që nga fillimi i armëpushimit dhe evakuimeve, nga në opinionin ndërkombëtar dhe zyrtarët e OKB-së shpesh cilësohen si krime të luftës.