Dozat e treta të vaksinës, po tregojnë efikasitet në Izrael. Me këtë deklaratë kryevirologu amerikan Anthony Fauci kundërshton EMA-n Agjencinë Europiane të Barnave që tha një ditë më parë se nuk shihet me emergjencë vendosja për një dozë përforcuese vaksine anti-Covid.
Këshilltari kryesor mjekësor në Shtëpinë e Bardhë, doli mbrëmë në konferencë ku tha se pavarësisht shkallës së gjerë të vaksinimit me të dy dozat, testet e kryera kanë treguar për një shkallë të lartë infeksionesh si dhe rritje të rasteve me pacientë në gjendje të rëndë.
Duke marrë shembullin në Izrael ai tha se njerëzit plotësisht të vaksinuar gjatë valës Delta në Izrael nga 1 qershori deri më 1 gusht treguan për një variant më dominues dhe me shkaktimin e sëmundjes së Covid në shkallë më të rëndë.
Për shkak të rritjes së rasteve në Izrael u miratua përdorimi i një doze të tretë vaksine ( Pfizer) për personat mbi 60 vjeç. Një total prej 1.1 milion njerëzish kanë morrë dozën e tretë mes 30 korrikut dhe 22 gushtit.
Për këtë doktor Fauci thotë:
“Doza e tretë pati një ndikim mjaft thelbësor dhe pozitiv. Dymbëdhjetë ditë ose më shumë pas dozës përforcuese, pati një ulje më shumë se dhjetëfishi në rrezikun relativ të infeksionit të konfirmuar dhe sëmundjes në shkallë të rëndë. Nuk ka dyshim nga të dhënat nga studimi izraelit se rritjet e infeksionit që po ndodhin tani atje por edhe këtu në SHBA, mbështesin fuqishëm një qasje me një dozë të tretë përforcuese”.
Nëse do të vendoset edhe në SHBA, ky është një vendim që do e marrë FDA amerikane, tha doktori. Ndërsa ai u pyet edhe për variantin më të ri të virusit të quajtur Ma. OBSH e konsideroi atë si një variant shqetësues të vendosur në monitorim.
Doktor Fauci:
“Po e mbajmë një sy tek varianti i ri. Aktualisht nuk është as afër të qenit një variant dominues, edhe pse ky variant ka një plejadë mutacionesh që sugjerohet se do të shmangte antitrupa të caktuar- pra jo vetëm antitrupa monoklonalë, por edhe antitrupa të shkaktuar nga vaksina dhe serumet. Por fakti është se deri më tani nuk ka të dhëna të qarta. Duhet të kuptojmë se edhe kur kemi variante që zvogëlojnë disi efikasitetin e vaksinave si ky i përfolur, vaksinat vazhdojnë të jenë mjaft efektive kundër varianteve. Përfundimi është se ne po i kushtojmë vëmendje këtij varianti, ne e marrim gjithçka seriozisht, por ne nuk e konsiderojmë aktualisht një kërcënim”. /tiranapost