Kryetari i SBASHK-ut paralajmëron grevë në arsim: Mund të përsëritet janari i vitit të kaluar

Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar se do të ketë grevë të përgjithshme në arsim nëse Ministria e Financave nuk i përfshinë në Ligjin për buxhetin e këtij viti mjetet financiare për zbatimin e Ligjit të pagave dhe në rast se Gjykata Kushtetuese e vazhdon masën e pezullimit për këtë ligj

Jasharaj ka thënë se presin nga kjo gjykatë që të mos e vazhdojë masën e pezullimit të këtij ligji dhe që nga muaji i ardhshëm të nisë zbatimin e tij.

“Në bazë të komunikimeve me kolegët, situata aktuale në terren është e tensionuar pasi ne kemi disa informata që në Ligjin për buxhet nuk do të parashihet buxhet për implementimin e Ligjit të pagave. Po ndodhi kjo do të futemi në një situatë të tmerrshme, ku do të shtohen tensionet dhe në sistemin e arsimit mund të kthehet janari i vitit të kaluar me grevë të përgjithshme. Uroj që Qeveria Kurti dhe ministri i Financave t’i parashohin mjetet e të mos krijohet një situatë e tillë”, ka thënë Jasharaj.

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Ligjin e pagave deri më 30 mars të këtij viti. Përmes një përgjigje me shkrim, Kushtetuesja i ka thënë “Kohës”, se çështja e ligjit të pagave është ende në procedurë dhe se bazuar në normat kushtetuese e ligjore në fuqi, ky institucion nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje.

“Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha pretendimet e bëra në kërkesën e palës parashtruese, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e Punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, Ministria e Financave theksoi se cilido që të jetë vendimi i Kushtetueses për Ligjin e pagave, janë të gatshëm t’i përgjigjen.

“Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, bashkë me stafin e Ministrisë është duke punuar intensivisht për harmonizimin e buxhetit në mënyrë që sa më shpejt të dërgohet në Qeveri për miratim dhe pastaj për aprovim në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Më 5 dhjetor të vitit të kaluar, Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin e pagave, ngase kishte pranuar 35 ankesa të subjekteve të ndryshme ndaj këtij ligji.