Pas sulmit terrorist në kanalin kryesor të Iber-Lepencit në Varage të Zubin Potokut, situata në veri vazhdon të mbetet e brishtë.
Policia e Kosovës rriti masat e sigurisë duke shtuar numrin e pjesëtarëve policorë në katër komunat veriore.
Por sipas kryesuesit të Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut,Nexhat Ugljanin në veri vazhdon të ketë grupe nacionaliste serbe të cilët po tentojnë ngritjen e tensioneve.
“Siç e dini, Mitrovica e Veriut por edhe komunat tjera janë në gatishmëri faktikisht sepse ekzistojnë shumëlloj ultranacionaliste grupesh të cilët funksionojnë të cilët janë në terren por kanë ndikim nga Beogradi dhe sigurisht që në çdo moment mund të eskalojë situata. Sigurisht institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës janë aty për parandalimin e çdo eksesi eventual në pjesën veriore”, ka thënë ai.
Ngjashëm thonë edhe nga komuna e Zubin Potokut.
“Ngjarjet që kanë qenë, që janë dhe që mund të ketë por ne mund të konsiderojmë kësisoj se gjendja është nën kontroll, ka gjithçka nën kontroll nga mekanizmat e sigurisë dhe natyrisht siç e dini më përpara që në ndër sulmet që ishte shumë i rrezikshëm terrorist, siç ke në kanalin e Iber-Lepencit. Besoj se mekanizmat e sigurisë janë duke punuar dhe në vazhdimësi janë duke punuar eventualisht arrestimin e rrjetit” , ka thënë kryetari i kësaj komune Izmir Zeqiri.
Ditë më parë, nga KFOR-i kanë thënë për televizionin se po vazhdojnë patrullimet e rregullta dhe angazhimet me përfaqësues të komuniteteve lokale në Kosovë për parandalimin e tensioneve.