Plagët e vjetra janë akoma të hapura dhe plot dhimbje në qytetin e vjetër të Homsit, aty ku kanë nisur protestat paqësore në vitin 2011 e të cilat janë shndërruar në luftë të shkallës së plotë. Tash, pas dekadash sundimi të Assadit, kjo dhimbje e dhembshme dhe lumturi emocionuese është e dukshme, veçanërisht për sirianët që tani janë në gjendje ta nisin rikthimin në Homs. Seksione të tëra janë ende peizazhe të thepisura të qytetit me rrënoja gri dhe gërmadha të shumta.
“Edhe tani, shikoj mbrapa dhe mendoj se si kemi arritur t’i mbijetonim këtij makthi”, ka thënë me qetësi Baraa.
Tani 20-vjeçare, studentja e universitetit iu është bashkuar festimeve plot gëzim që kanë përfshirë rrugët e Sirisë të dielën e kaluar, kur ka marrë fund sundimi i diktatorit, Bashar al-Assad.
Dy motrat e saj, Ala dhe Jana, kanë tundur kokën në pajtim, të ulura së bashku në këto ditë të ftohta të dimrit, në një divan të vjetër me gunga në shtëpinë e tyre të thjeshtë në Homs.
Babai i tyre me mjekër të bardhë, Farhan Abdul Ghani, i cili ishte i ulur këmbëkryq i është bashkuar bisedës. “Ne nuk duam luftë. Ne nuk duam një president të përhershëm që ndërton monumente për veten”.
Gati një dekadë më parë, reporterët e BBC-së ishin takuar me ta në ditët më të këqija të luftës, të zhvilluara në emër të presidentit të tyre.
Baraa, atëherë vajzë e vogël shumë e traumatizuar, sytë e së cilës shikonin egër gjithandej, kishte probleme me të folurin në atë kohë.
“Ndonjëherë njerëzit vrisnin mace për t’i ngrënë”, ka thënë ajo me turp, teksa rrinte ulur në një sallë banketi të papërdorur me zyrtarë të ndihmës, forca siriane të sigurisë dhe familje të shqetësuara.
Për muaj të tërë, shumë prej tyre nuk kishin ushqim për të ngrënë përveç barit, gjetheve të pemëve, të ziera në ujë me kripë dhe ndonjëherë kanellë.
“Në vend se të mësoja si të lexoja dhe shkruaja, mësova për armët”, ka thënë Baraa, duke shfaqur të vërtetën e zymtë të jetës nën regjimin e al-Assadit.
Homs njëherë është quajtur “kryeqyteti i revolucionit” nga protestuesit paqësorë, të cilët në fillim kanë dalë nëpër rrugë në pranverën e vitit 2011 për të bërë thirrje për ndryshim, para se kjo të kthehej në luftë në shkallë të plotë.
Baraa dhe familja e saj ishin në mesin e mijëra civilëve të shpëtuar nga qyteti i vjetër i Homsit gjatë një pauze të rrallë humanitare të mbikëqyrur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në shkurt të vitit 2014.
“Dorëzohu ose vdis urie”
Ata disi i kanë mbijetuar rrethimit dyvjeçar të lagjes së vjetër, ku trupat siriane kanë zbatuar kordonin e tyre të parë “dorëzohu ose vdis urie” gjatë kësaj lufte të pamëshirshme.
Taktika mesjetare e torturës ishte kthyer në një nga armët më mizore të ushtrisë, e përdorur kundër çdo fortese të rebelëve, njërës pas tjetrës.
Disa muaj më vonë, më shumë civilëve u është lejuar një kalim i sigurt jashtë qytetit të vjetër, si dhe luftëtarëve që janë zhvendosur për t’i vazhduar luftimet e tyre në pjesë të tjera të Sirisë.
Vitet që kaluan deri këtë javë kanë qenë të rënda për këtë familje, si dhe për shumë familje të tjera.
“Jam ndier sikur isha në gjumë dhe më humbi shpresa”, ka thënë Baraa, teksa rregullonte shaminë e bardhë që e mbante ajo, sikurse edhe motrat e saj. “Ne kemi qenë gjithmonë të frikësuara se mos themi diçka të gabuar, madje edhe në universitet”.
Tani, si shumë sirianë të tjerë, ajo është e mbushur me gëzim dhe optimizëm në këto ditë të hershme të një fillimi të ri.
“Tani ëndërroj për shumë gjëra, ta përfundoj universitetin, ta kryej masterin, ta përmirësoj gjuhën angleze”. Zëri i saj ka jehuar në dhomë, teksa synimet e saj të mëdha mbushin dhomën e vogël modeste.
Një vajzë e vogël e frikësuar, emri i së cilës do të thotë “pafajësi” është shndërruar në një grua të re me vetëbesim mbresëlënës të veshur me xhinse të kaltra dhe një pulovër.
Babai i saj i dashur, emri i të cilit do të thotë “i lumtur”, shkëlqen nga krenaria. Ai ka arritur t’i rrisë vetë vajzat e tij, pasi nëna e tyre është vrarë nga një raketë e cila e ka goditur kuzhinën e tyre. Ishin fëmijët që e kanë gjetur atje, të rrëzuar mbi sobë.
Të ardhurat e tij të pakta nga karroca e frutave dhe perimeve, si dhe dashamirësia e miqve, i kanë shtyrë ata të përpiqen të krijojnë një jetë më të mirë.
“Gjithçka është më e lirë tani, duke përfshirë ushqimin dhe energjinë elektrike”, ka thënë ai plot entuziazëm për shkak të rënies së çmimeve në tregje, meqë rrugët tani janë të hapura dhe ushtarët në postblloqe nuk ndalojnë më mallrat apo kërkojnë ryshfet.
“Sot mund të përballoja të blija mish”
Kjo është mrekulli për një vend ku OKB-ja thotë se 90 për qind e banorëve janë duke jetuar nën linjën e varfërisë. “Sot mund të përballoja të blija mish”, ka thënë ai.
Plagët e vjetra janë akoma të hapura dhe plot dhimbje. Sikurse dhjetëra mijëra sirianë të tjerë, ai ka humbur dikë të dashur, një vëlla, në qelitë sekrete të torturës në burgun “Saydnaya”. Kur dyert e këtij burgu të Damaskut janë hapur javën e kaluar, ai nuk ka dalë që aty.
Kjo dhimbje dhe lumturi emocionuese është e dukshme, veçanërisht për sirianët që tani janë në gjendje ta nisin rikthimin e hidhur në Homs. Seksione të tëra janë ende peizazhe të thepisura të qytetit me rrënoja gri dhe gërmadha të shumta.
“Kisha nevojë ta shihja këtë përsëri, por sjell kujtime të dhimbshme”, ka thënë mjeku Hayan al-Abrash, teksa sytë e tij skanonin peizazhin e tmerrshëm të humbjes në lagjen “Khalidiyah”, të mbushur me pluhur nga fuqia e armëve siriane.
Ai ka vënë në dukje mbetjet skeletore të një ndërtese të lartë, fasada e së cilës ishte shembur nga një raketë “scud”. Dy ndërtesa të tjera ishin shembur komplet si shkak i sulmit.
Ai ishte detyruar të largohet nga qyteti i vjetër në vitin 2014, duke lënë prapa spitalin e tij të improvizuar nëntokësor atje dhe në Khalidiyah aty pranë.
Ai ka hasur në probleme për ta gjetur atë tani kur është kthyer, derisa një dyqanxhi është shfaqur për ta shkyçur dhe hapur një derë të hekurt. Ai ka zbuluar një magazinë të rrënuar me shkallë metalike të prishura, të cilat të çojnë në një bodrum të errët dhe të zymtë.
“Po, po ky është”, ka thënë ai plot entuziazëm, teksa elektrikët e dorës kanë ndriçuar hapësirën e madhe, duke përfshirë një palë shkallë të tjera. “Ky është vendi ku janë futur pacientët e mi”, ka shpjeguar ai. “Ndonjëherë kam sjellë miq, fqinjë, kushërinjtë e mi, poshtë këtyre shkallëve, duke i mbajtur në supe”.
Është ngjitur me një mur të lagur me shigjeta që shfaqin “dhomën e emergjencës” si dhe “rrugën drejt vdekjes” – humor edhe më i errët se kjo dhomë.
Flamuri zi dhe gjelbër i opozitës, tani i kudondodhur, dukej qartë.
Paketimet e zbrazëta të ilaçeve dhe pako kartoni të pista mbushin një cep të largët të dhomës, aty ku muri ishte djegur.
“Regjimi ka nisur atë zjarr në shenjë hakmarrjeje”, ka thënë ai plot emocione. “Ata frikësoheshin nga mjekët, avokatët, figurat politike, më shumë sesa që frikësoheshin nga luftëtarët”.
“Më zemëron kur shoh një pamje të tillë”, ka shtuar ai.
“Është koha për të vazhduar përpara”
Kur është pyetur për hakmarrje, ai ka thënë: “Nuk është koha për hakmarrje. Është koha ta rindërtojmë Sirinë për të gjithë, por jo për ata që na kanë vrarë dhe kanë gjak në duart e tyre. Ata duhet të vendosen para gjyqit”.
“Ne nuk falim. Është e pamundur për ne”, ka shtuar ai.
Të gjithë të intervistuarit në Homs kanë thënë se banorët, si myslimanë ashtu edhe të krishterë, do ta rindërtojnë vendin së bashku – dhe historitë që janë dëgjuar duket ta konfirmojnë këtë.
Hayan ka vazhduar rrugën drejt një vendndodhjeje të një spitali nëntokësor në qytetin e vjetër – ishte bodrum i madh i kishës, ku muret tani janë të mbushura me karrige të vendosura një mbi një dhe tavolinë për mbledhje familjare.
Fahrani dhe vajzat e tij kanë insistuar të shfaqin vendin ku janë strehuar shumicën e kohës gjatë bastisjes – strehimore në manastirin jezuit të udhëhequr nga Ati karizmatik Frans der Lugt.
Prifti holandez, i vrarë në qytetin e vjetër pasi ka refuzuar t’i lërë pas banorët e bllokuar dhe të kequshqyer, tani është i varrosur në tokën e manastirit.
Prifti i tanishëm, Ati Tony Homsy është dukur i befasuar kur e ka vizituar Farhani, të rrethuar nga vajzat e tij, duke kërkuar plot emocion nëpër telefon për të gjetur fotografitë nga ajo kohë.
Prifti sirian e jezuit i ka dërguar ata poshtë shkallëve në një dhomë të ngushtë e cila tani përdoret për meshë ditore, që kohëve të fundit është transformuar në një dhomë Krishtlindjesh me një skenë të ndezur të Lindjes së Krishtit.
“Kjo është një histori shumë e bukur”, ka thënë ai teksa dhoma është mbushur. “Në këtë dhomë, e cila simbolizon si Jezusi dhe Familja e Shenjtë kanë gjetur strehim, është gjithashtu historia e kësaj familjeje myslimane”.
At Tony, i cili udhëheq kishën katolike në Homs, ka qenë gjithashtu në gjendje ta takojë familjen e tij në qytetin verior të Alepos për herë të parë në vite.
Edhe ai guxon të ëndërrojë gjëra të mëdha. “Është koha për të vazhduar përpara”, ka thënë ai, duke cituar At Fransin, i cili sipas tij, e ka frymëzuar të bashkohej me jezuitët.
Por ai ka një paralajmërim. “Do të duhet kohë për t’i shëruar plagët tona, për t’i shëruar kujtimet tona”.
/Përktheu: Latra Gashi/ koha.net