Për një përgjigje më specifike ai sugjeron që të pritet deri nesër kur do t’i mbledhë kryeprokurorët e prokurorive themelore në qendrat e Kosovës.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar për Kallxo.com marrjen e katër letrave të cilat Presidenti Hashim Thaci i kishte dërguar gjatë ditës së sotme në adresë të tij dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për të kërkuar nga organi i akuzës të veprojë në drejtim të zbardhjes së krimeve që luftës e të pasluftës në Kosovë.
“I kemi pranuar këto letra por i kemi pranuar dikur vonë, ka përfundimi i i orarit të punës diku rreth orës 16:00 edhe sigurisht që Prokurori i Shtetit ka me i shqyrtu këto letra të cilat kanë ardhur nga Presidenti dhe do të marrim veprime të duhura me kompetencë me autorizimet kushtetuese dhe ligjore”, tha Lumezi.
Ai tha se e ka parë përmbajtjen e letrave ndërsa shprehet se ato që i kërkon Presidenti në ato letra “janë prioritet i Prokurorisë”.
Por për një përgjigje më specifike ai sugjeron që të pritet deri nesër kur do t’i mbledhë kryeprokurorët e prokurorive themelore në qendrat e Kosovës.
“Sot menjëherë pas marrjes së këtyre katër letrave unë kam thirrë për nesër në takim të gjithë kryeprokurorët edhe të prokurorisë speciale edhe asaj themelore departamenteve të krimeve të rënda me bisedu në lidhje me këto raste dhe me ju dhënë prioritet në shqyrtime”, tha Lumezi.
Lumezi është zgjedhur në krye të Prokurorisë së Shtetit në prill të vitit të kaluar.
“Menjëherë pas ardhjes sime në krye të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës kemi ndërmarrë veprimet konkrete në themelimin e departamenteve për krime të luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale edhe për caktimin e prokurorëve në atë prokurori”, shtoi Lumezi.
Ai tha se deri së fundmi, hetimet në krimet për të cilat ka kërkuar zgjidhje Presidenti Thaçi kanë qenë kompetencë e misioneve ndërkombëtare- UNMIK deri në vitin 2008 dhe EULEX prej vitit 2008 deri në qershor të këtij viti.
“Ne tani jemi duke i pritur transferimin e këtyre lëndëve nga prokurorët e EULEX-it te prokurorët vendorë. Disa lëndë i kemi pranuar edhe kemi filluar procedurën penale për fillimin e hetimeve mirëpo në këtë kërkesë po e shoh që ka edhe raste ku procedurat gjyqësore veç janë përfundu edhe nga gjyqtarë ndërkombëtarë”, tha Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.