Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, ka arritur për vizitë në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Kurtulmuş dhe delegacioni shoqërues u pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Maqedoni e Veriut-Türkiye, Bejcan Ilyas, dhe figura të tjera relevante.
Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, Kurtulmuş do të ketë takim kokë më kokë dhe midis delegacioneve me homologun e tij Afrim Gashi, ndërsa po ashtu do të pritet nga kryeministri Hristijan Micskoski dhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Më vonë gjatë ditës së sotme, ai do të marrë pjesë në programin e organizuar me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të vizitës së tij treditore, kryeparlamentari turk do t’u adresohet studentëve në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup dhe Universitetin e Tetovës. Ai po ashtu do të vizitojë monumente historike, si dhe do të ketë takime me liderët e partive politike turke.
Kurtulmuş gjithashtu do të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në Shkollën Maarif në Shkup me rastin e 21 Dhjetorit.
Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut sot shënon Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore “Tefeyyüz” në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.