Kryetari i Parlamentit të Tunizisë dhe lideri i Lëvizjes Ennahda, Rached Ghannouchi, bëri thirrje për dialog gjithëpërfshirës që të përcaktojë të ardhmen e Tunizisë duke kapërcyer vështirësitë sociale, ekonomike dhe politike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të publikuar nga llogaria Facebook e Lëvizjes Ennahda, Ghannouchi vizitoi qytetarët që kanë filluar grevë urie më 23 dhjetor në kryeqytetin Tunis, duke treguar si arsye “vendimet e jashtëzakonshme të marra më 25 korrik nga presidenti Kais Saied, shtypjen e zërave opozitarë dhe autokracinë”.
“Tunizia është shumë e bukur me diversitetin e saj. Në të vërtetë bashkon islamistët, të majtët, nacionalistët dhe kushtetuesit. Të gjithë këto ashtu sikur bashkohen në demokraci, qëndrojnë edhe kundër mendimit autoritar”, tha Ghannouchi.
Ghannouchi përgëzoi luftën e atyre që vazhdojnë grevën e urisë kundër vendimeve të presidentit Saied dhe tha se pavarësisht revolucionit 10 vite më parë, ende disa po përpiqen të përjashtojnë dikë në vend duke “harruar se Tunizia është si një anije që lundron me të gjithë brenda saj”.
Askush nuk ka të drejtë të kthejë Tunizinë pas në ditët ku diktatura u përjetua për gjysmë shekulli, tha Ghannouchi, i cili tërhoqi vëmendjen se vendi në atë periudhë nuk ka përfituar asgjë tjetër veçse vuajtjes dhe urrejtjes së formuar mes shtresave të popullit.
Kriza politike në Tunizi
Presidenti tunizian, Saied, me vendimet e jashtëzakonshme që shpalli më 25 korrik ndaloi punimet e parlamentit dhe hoqi imunitetin e deputetëve.
Ndërsa më 22 shtator me dekrete të reja zgjeroi kompetencat e tij dhe mori në dorë plotësisht organin ekzekutues.
Së fundmi presidenti tunizian me “udhërrëfyesin për daljen nga kriza” që njoftoi disa ditë përpara përvjetorit të revolucionit njoftoi se më 17 dhjetor 2022 do të shkohet në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme dhe se deri atëherë parlamenti do të qëndrojë i mbyllur.
Të gjitha këto vendime të marra nga presidenti tunizian shkaktuan që në vend të formohet një “situatë e jashtëzakonshme”.
Grupi “Nisma qytetare kundër grushtit të shtetit” që përfshin në mesin e tyre edhe deputetë, në një deklaratë më 23 dhjetor njoftoi fillimin e grevës së urisë duke treguar si arsye “vendimet e jashtëzakonshme të marra më 25 korrik nga presidenti Kais Saied, shtypjen e zërave opozitarë dhe autokracinë”.
Edhe ish-presidenti i Tunizisë, Moncef Marzouki, kishte deklaruar se i bashkohet në mënyrë simbolike grevës së urisë për të “protestuar shtypjen e zërit të opozitarëve dhe pengimin protestave”. /aa