Tërnava ka thënë se do të varet nga numri i të infektuarve për mundësinë e faljes së Bajramit në xhamia.
Kryemuftiu i Kosovës Naim Tërnava thotë se për të ruajtur shëndetin publik Bashkësia Islame vitin e kaluar kishte mbyllur xhamitë në Ramazan.
“Ishte vendim i dhimbshëm por tepër i nevojshëm mbyllja e xhamive”, deklaroi Tërnava në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini.
Por Tërnava thotë se edhe këtë vit situata është shumë e vështirë sa i përket pandemisë dhe ai u ka bërë thirrje besimtarëve të respektojnë masat e vendosura nga IKSHP.
“Edhe këtë vit siç po shihet do të jetë një Ramazan në kushte jonormale. Unë ftoj të gjithë besimtarët të respektojnë masat e vendosura nga institucionet shtetërore me të vetmin qëllim që të ruhet shëndeti publik”, tha ai.
I pari i muslimanëve të Kosovës thotë se të infektuarit me coronavirus nuk e kanë obligim agjërimin pasi sipas tij të sëmurëve u lejohet të abstenojnë nga agjërimi.
“Nëse bëjnë më mirë më vonë duhet ta kompensojnë me aq ditë sa nuk kanë mundur të agjërojnë”.
Sa i përket Bajramit, Tërnava thotë se do të presin si do të sillet numri i infektuarve deri atëherë.
“Ne do të bashkëpunojmë me institucionet e vendit, IKSHPK-në, Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të shohim si do të shkojë situata. Po shpresojmë se do të bie numri i të infektuarve”.
I pyetur nëse vaksina anti-Covid prishë agjërimin Tërnava është përgjigjur.
“Vaksina nuk e prishë agjërimin pasi nuk është ushqyese”, tha ndër të tjera Naim Tërnava.