Kryeministrja italiane do të vizitojë Libanin mes rrezikut të përshkallëzimit në Lindjen e Mesme

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka njoftuar se do të vizitojë Libanin, ku Izraeli vazhdon sulmet ajrore dhe tokësore, pasi frika po rritet se përshkallëzimi i vazhdueshëm mund të çojë në një luftë të gjithanshme në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Në adresimin e saj në Senat, siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve ANSA, Meloni para ligjvënësve bëri të ditur se planifikon të vizitojë Libanin, por nuk dha detaje rreth kohës së vizitës.

Meloni po ashtu njoftoi se ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, po përgatitej të udhëtojë në Izrael dhe Palestinë javën e ardhshme.

Kryeministrja italiane qëndrimin e Izraelit e përshkroi “të pajustifikueshëm”, ndërsa sulmet ndaj oficerëve paqeruajtës të OKB-së si “të papranueshëm”.

Në disa sulme të ndara së fundmi, Izraeli ka plagosur anëtarët e misionit të OKB-së në Liban (UNIFIL), duke tërhequr kritika ndërkombëtare pasi sulmet e qëllimshme ndaj paqeruajtësve janë kundër ligjit ndërkombëtar.

UNIFIL u themelua në mars të vitit 1978 për të konfirmuar tërheqjen e Izraelit nga Libani dhe për të ndihmuar qeverinë libaneze në rivendosjen e autoritetit në zonë. Mandati i misionit UNIFIL është zgjeruar gjatë viteve, veçanërisht pas luftës izraelite të vitit 2006, me qëllim për të monitoruar armëpushimet dhe për të lehtësuar ndihmën humanitare.

Izraeli filloi një ofensivë brutale ndaj Rripit të Gazës pas sulmit të Hamasit në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 42.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Konflikti u përhap në Liban, me Izraelin që në fund të muajit të kaluar nisi sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, të cilat që atëherë kanë vrarë mbi 1.500 njerëz dhe kanë shkaktuar zhvendosjen e mbi 1 milion njerëzve. Më 1 tetor, Izraeli filloi një pushtim tokësor në Libanin jugor.