Kryeministrja e Zelandës së Re kërkon falje për “dështimet” në sulmet terroriste ndaj xhamive

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, kërkoi falje sot për dështimet gjatë sulmeve terroriste në qytetin Christchurch të vitit 2019, pasi komisioni mbretëror bëri rekomandime për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Brenton Tarrant, një supremacist i bardhë nga Australia, vrau 51 persona dhe plagosi 40 të tjerë në Xhaminë Al Noor dhe Qendrën Islame Linwood më 15 Mars 2019. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në muajin gusht të këtij viti, pa mundësinë e lirimit me kusht.

Zbulimet nga hetimi i komisionit mbretëror, i cili u formua për të zbuluar nëse sulmi mund të ishte parandaluar, u paraqitën në parlament.

Raporti prej 792 faqesh, i cili u përpilua për rreth 18 muaj, ka identifikuar mangësi në sistemin e licencimit të armëve të zjarrit, si dhe “përqendrim të papërshtatshëm të burimeve” nga ana e organeve të sigurisë.

Raporti gjithashtu ka përpiluar një listë të rekomandimeve, përfshirë ndryshimet në mënyrën e menaxhimit të armëve të zjarrit, krijimin e një agjencie të re kombëtare të inteligjencës dhe të sigurisë dhe një propozim për policinë për të identifikuar më mirë krimet e urrejtjes dhe për të reaguar ndaj tyre.

“Komisioni nuk bëri asnjë zbulim se këto çështje do të kishin ndaluar sulmin. Megjithatë, këto ishin dështime dhe për këtë kërkoj falje”, tha kryeministrja Ardern pas publikimit të raportit.

Ajo tha se në mënyrë që të sigurohet që të gjithë banorët e Zelandës së Re të jenë më të sigurt, qeveria ka rënë dakord në parim me të gjitha 44 rekomandimet e përfshira në raport, duke shtuar se të gjithë banorët, pa marrë parasysh racën, fenë, apo gjininë, duhet të jenë më të sigurt.

Kryeministrja njoftoi krijimin e një Ministrie të re për Komunitetet Etnike dhe fillimin e Programit të Komuniteteve Etnike “për të siguruar larmi më të madhe në aktivitetet politike dhe në vendimmarrje”.

Ardern gjithashtu njoftoi programin e Policisë së Zelandës së Re të quajtur “Te Raranga”, i cili ka për qëllim “të bëjë përmirësime në praktikën e vijës së parë të policisë për të identifikuar, regjistruar dhe menaxhuar krimin e urrejtjes dhe për të ofruar një shërbim që është më i përgjegjshëm ndaj viktimave”.

Ajo tha se qeveria do të rrisë kapacitetin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut duke rritur fondet e saj dhe do të vazhdojë të punojë për të përmirësuar legjislacionin aktual kundër gjuhës së urrejtjes si dhe Aktin e Shtypjes së Terrorizmit.

Ardern tha se është themeluar një grup drejtues i përbërë nga përfaqësues të më shumë organeve shtetërore për të siguruar një raport mbi zbatimin e rekomandimeve.

Më herët, qeveria reformoi ligjet për armët dhe ndaloi armët gjysmë-automatike të stilit ushtarak, si dhe pjesët që mund të përdoreshin për të ndërtuar armë zjarri të ndaluara.