Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se presidenti i ardhshëm i SHBA-së Donald Trump nuk i ka tërhequr kërcënimet për vendosjen e tarifave ndëshkuese kundër Danimarkës, njoftoi media shtetërore DR, transmeton Anadolu.
“Është sugjeruar nga pala amerikane që për fat të keq mund të krijohet një situatë ku ne punojmë më pak së bashku me amerikanët në fushën ekonomike”, tha Frederiksen, duke nënvizuar peshën e situatës pasi informoi Komitetin e Politikës së Jashtme të Folketing nën konfidencialitet të ashpër.
“Ne nuk duam të kemi asnjë konflikt me amerikanët në fushën e tregtisë. Por, sigurisht, ne jemi në proces (përgatitje) së bashku me kompanitë, organizatat e biznesit dhe kolegët tanë evropianë”, shtoi ajo.
Frederiksen e quajti “serioze” telefonatën 45-minutëshe me Trumpin të mërkurën, në kontekstin e tensioneve të rritura rreth Grenlandës, një zonë kyç e interesit për SHBA-në.
Pavarësisht diskutimeve të tensionuara, Frederiksen i bëri një ftesë Trumpit për të vizituar Danimarkën për të lehtësuar marrëdhëniet diplomatike. Megjithatë, nuk janë përcaktuar plane konkrete për një vizitë.
Frederiksen tha në bisedën me Trumpin se vendimi për pavarësinë e Grenlandës i përket ishullit.
Një deklaratë e lëshuar nga zyra e kryeministres tha se Frederiksen theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë në Arktik dhe theksoi gatishmërinë e Danimarkës për të marrë më shumë përgjegjësi.
Duke iu referuar komenteve të kryeministrit të Grenlandës Mute Bourup Egede, i cili tha se ishulli “nuk është në shitje”, Frederiksen tha se “vendimi për pavarësinë i përket vetë Grenlandës”.