Kryeministri Yildirim thirrje Rusisë dhe SHBA-ve të evitojnë tensionet në Siri

Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim sot i bëri thirrje Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të evitojnë iniciativat të cilat do të komplikonin tashmë situatën jostabile në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

“Rajoni tashmë pagoi një çmim të madh për luftën civile dhe migracionin. Këshillojmë miqtë tanë që të distancohen nga iniciativat të cilat situatën do ta bënin akoma më të komplikuar”, tha Yildirim pas namazit të xhumasë në kryeqytetin turk Ankara.

Yildirim deklaratat i bëri pas përplasjes verbale mes SHBA dhe Rusisë, shkaktuar nga komentet e presidentit të SHBA-ve Donald Trump në Twitter.

Po ashtu, kryeministri turk theksoi se përdorimi i armëve kimike është i pafalshëm.

“Përdorimi i armëve kimike, vrasja e personave të pafajshëm, fëmijëve, asnjëherë nuk mund të falet, ajo është e turpshme”, tha Yildirim.

Forcat besnike të regjimit të Bashar al-Assad akuzohen për sulmin kimik gjatë të shtunës në qytetin Douma në Gutën Lindore, në të cilën humbën jetën 78 civilë dhe qindra të tjerë u plagosën.

Yildirim shtoi se ata që janë përgjegjës për sulmin kimik “do të paguajnë çmimin”, por pa cenuar përpjekjet e Turqisë, Rusisë dhe Iranit për të ndërtuar paqe të përhershme në rajon.

Në Turqi më 4 prill u mbajt samiti trilateral mbi Sirinë, në të cilin liderët rus, iranian dhe turk u dakorduan që të luftojnë kundër separatizmit në Siri, duke theksuar nevojën e dërgimit të ndihmës humanitare.