Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se ata duhet të forcojnë më tej marrëdhëniet me Türkiyen si pjesë e politikave të tyre në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Duke folur në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve Spanjollë e cila po vazhdon prej dy ditësh në Madrid dhe do të përfundojë sot, Sanchez deklaroi se Spanja vepron në bazë të paqes, stabilitetit, ligjit ndërkombëtar dhe respektimit të të drejtave të njeriut si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Ukrainë.
Duke deklaruar se duhet të rrisin dialogun me vendet e rajonit, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Sanchez u shpreh se “Ne duhet të forcojmë më tej marrëdhëniet me Türkiyen”.
Sanchez kritikoi të djathtën ekstreme dhe vuri në dukje se ka forca ndërkombëtare të prapambetura që duan të shkatërrojnë projektin evropian dhe përpiqen të dobësojnë dhe përçajnë Evropën.
Bashkimi Evropian (BE) duhet të forcohet në politikën e jashtme, tha Sanchez, duke theksuar se “Është koha të qëndrojmë kundër atyre që po përpiqen të përçajnë Evropën”.
“Ne nuk do të heqim dorë nga vlerat që ndodhen në Kushtetutën tonë dhe do t’i mbrojmë dhe promovojmë ato me më shumë vendosmëri. Edhe nëse bota bëhet gjithnjë e më armiqësore, ajo nuk do të ndryshojë drejtimin tonë”, tha ai.
Kryeministri spanjoll tha se një nga synimet e politikës së jashtme të Spanjës është të mbështesë marrëdhëniet e forta dhe efektive shumëpalëshe me SHBA-në dhe Kinën, ndërsa më tej deklaroi se Spanja është një nga mbështetësit më të mëdhenj të BE-së.
Sanchez deklaroi se ata do të punojnë për të forcuar industrinë e sigurisë dhe të mbrojtjes, por kurrë nuk do të hyjnë në një garë të re armësh me një qasje militariste.