Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri Sanchez viktimë e një përgjimi telefonik

Kryeministri Sanchez viktimë e një përgjimi telefonik

Telefonat celularë të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez dhe ministres së tij të Mbrojtjes, Margarita Robles janë përgjuar në mënyrë të paligjshme dhe nga jashtë territorit spanjoll duke përdorur softuerin izraelit Pegasus, deklaroi sot qeveria spanjolle.

”Nuk bëhet fjalë për dyshime”, deklaroi gjatë një konference për shtyp të thirrur me urgjencë ministri i Presidencës, Felix Bolanos.

Ai foli për fakte të një rëndësie të madhe, të ndodhura gjatë vitit 2021.

”Ne jemi absolutisht të sigurt se ky është një sulm i jashtëm (…) sepse në Spanjë, në një demokraci si kjo e jona, të gjitha ndërhyrjet kryhen nga organet zyrtare dhe me autorizim gjyqësor”, tha ai.

“Në rastin konkret, asnjë nga këto dy rrethana nuk ndodhi”, vazhdoi Bolanos.

”Prandaj (…) nuk kemi dyshim se kjo është një ndërhyrje nga jashtë”, shtoi ai.

Ai nuk specifikoi nëse autoritetet spanjolle kishin një pistë për origjinën e kësaj ndërhyrjeje dhe veçanërisht nëse ajo vinte nga një vend i huaj.

”Kur flasim për ndërhyrje të jashtme, nënkuptojmë se nuk është punë e organeve shtetërore dhe se nuk është autorizuar nga drejtësia”, shpjegoi ministri.

Bolanos tha se kishte “dy ndërhyrje” në celularin e Sanchez, në maj 2021, dhe një në celularin e Robles, në qershor 2021. /atsh

Exit mobile version