Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri Sanchez: Spanja është gati të njohë shtetin palestinez

Kryeministri Sanchez: Spanja është gati të njohë shtetin palestinez

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka deklaruar se Spanja është “gati të njohë shtetin palestinez”, transmeton Anadolu.

Qeveria e kryeministrit spanjoll ka thënë se njohja zyrtare do të ndodhë para muajit korrik dhe Sanchez është gati të nisë një turne evropian për t’u përpjekur të bindë bashkëpunëtorët e tij të bëjnë të njëjtën gjë.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta ndihmojë shtetin palestinez nëse ai nuk e njeh ekzistencën e tij”, tha kryeministri Sanchez gjatë një debati parlamentar.

Ai gjithashtu tha se njohja e Palestinës është “ajo që është e drejtë, ajo që kërkohet nga shumica sociale dhe është në interesin gjeopolitik të Evropës”.

Derisa propozimi i qeverisë së pakicës për të njohur Palestinën duket se do të fitojë mbështetjen e shumicës në parlament, partia kryesore opozitare e vendit me gjasë nuk do të mbështesë propozimin.

Sot, kreu i Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, tha se ai mbështet zgjidhjen me dy shtete, por ai nuk u pajtua me qasjen e kryeministrit Sanchez.

Duke mbështetur pikëpamjet e liderëve të tjerë konservatorë evropianë, Feijoo tha se njohja duhet të jetë “rezultat i një procesi të negociuar” dhe gjithashtu duhet të vijë njëzëri me një “masë kritike të vendeve më me ndikim”.

Për momentin, Spanja është bashkuar me Irlandën, Maltën dhe Slloveninë duke shprehur gatishmërinë e tyre për të njohur Palestinën.

Të premten, Sanchez do të fillojë një raund kontaktesh me krerët e Norvegjisë, Irlandës, Portugalisë, Sllovenisë dhe Belgjikës për të diskutuar planin dhe përpjekjen për të bindur më shumë vende që t’i bashkohen atij.

Javën e kaluar, kryeministri socialist udhëtoi gjithashtu në Lindjen e Mesme, duke u takuar me liderët e Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Katarit për të diskutuar mënyrat për të arritur paqen e qëndrueshme në Palestinë dhe Izrael.

Exit mobile version