Kryeministri Rama viziton kantierin e projektit të Turqisë për banesat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me zyrtarë të tjerë ka realizuar një vizitë në kantierin e ndërtimit në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, ku po zbatohet projekti i financuar nga Turqia për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë inspektimit të punimeve në kantier ishin të pranishëm edhe ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara dhe përfaqësuesi i kompanisë Albayrak që realizon punimet, Servet Birgören, të cilët kanë informuar kryeministrin Rama në lidhje me ecurinë e punimeve.

Në lidhje me vizitën në kantierin e ndërtimit në Laç, kryeministri Rama duke publikuar videon në rrjetet sociale ka shkruar: “Aty ku qendra e qytetit po rilind shumë më e bukur dhe më e fortë se natën e tmerrshme të 26 nëntorit, kur u godit fort duke lënë jashtë pa shtëpi qindra familje, të cilat së shpejti do të rikthehen jo vetëm në apartamente më të mira, por edhe në një lagje të pakrahasueshme në çdo aspekt me lagjen e rrënuar e të harruar me dekada”.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, gjatë inspektimit tha se po punohet për të bërë gati hedhjen e themeleve për pallatet. “Dita jonë fillon më këtë kantier dhe mbaron me këtë kantier. Angazhimi të gjithëve, edhe i palës turke është vërtetë për t’u përgëzuar. Cilësia e punimeve këtu është fantastike”, tha Cara.

Ndërkohë, përfaqësuesi i kompanisë Albayrak që realizon punimet, Servet Birgören, tha se po planifikojnë që 160 apartamente të përfundojnë në muajin mars.

Projekti që përfshin ndërtimin e 524 apartamenteve zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Laç po realizohen nga kompania Albayrak.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz.