Kryeministri palestinez thirrje Britanisë të kërkojë falje për deklaratën e Balfour-it

Kryeministri i Palestinës, Rami Hamdallah, kërkoi që Britania të kërkojë falje për deklaratën me të cilën premtohet një shtet hebre në Palestinën historike, në prag të 100 vjetorit të deklaratës që do të shënohet javën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Hamdallah tha se deklarata e Balfour-it, e bërë nga sekretari i jashtëm i Britanisë, Arthur Balfour, kur Palestina ishte një protektorat britanik, ishte një “padrejtësi historike” kundër popullit palestinez.

Ai gjithashtu tha se Britania nuk duhet të festojë 100 vjetorin e deklaratës, duke iu referuar një darke në Londër, ku do të marrin pjesë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ajo britanike, Theresa May, për të shënuar rëndësinë e deklaratës në krijimin e Izraelit në vitin 1948.

“Festimi është një sfidë për opinionin publik ndërkombëtar, i cili mbështet çështjen tonë kombëtare”, tha Hamdallah, gjatë adresimit të tij në hapjen e një shkolle publike në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor, Nablus.