Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e lansimit kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka vlerësuar pozitivisht Kosovën në sektorin e qeverisjes dhe koordinimit të përpjekjeve të saj për mbrojtjen e fëmijëve. Sipas këtij Indeksi, Kosova renditet e katërta nga nëntë vende, në vlerësimin përfundimtar të veprimeve të saj për të mbrojtur fëmijët.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe shefja e Zyrës së BE-së Nataliya Apostolova, ambasadorja e Gjermanisë, Angelika Viets, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shefi i zyrës së UNICEF-it, James Mugaju dhe përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile.
Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për trajtimin me prioritet të mbrojtjes dhe avancimin e të drejtave të fëmijës.
Lidhur me lansimin e Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijëve, kryeministri Mustafa tha se ai është dokument që nxjerr në pah të arriturat e Qeverisë dhe institucioneve tjera për jetësimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe problemet dhe sfidat e hasura në këtë drejtim.
Ai, po ashtu, tha se ky Indeks do të ndikojë në lehtësimin e planifikimit të veprimeve dhe politikave të institucioneve qeveritare dhe akterëve tjerë për adresimin dhe tejkalimin e vështirësive. “Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkret për vendosjen e fëmijëve në qendër të prioriteteve. Kabineti Qeveritar në maj të këtij viti ka miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës, sigurimin e përgjegjësisë së prindërve, familjeve dhe shtetit dhe integrimin e tyre në sistemin e mbrojtjes. Ka siguruar një vështrim dhe një kompletim mjaft të gjerë. Ky Projektligj, pritet që të shqyrtohet këto ditë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione dhe së shpejti shpresoj që të kalojë edhe procedurat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, Strategjia Kombëtare për Zhvillim për periudhën 2016- 2021, në katër shtyllat tematike të saj në mënyrë direkte dhe indirekte orienton përpjekjet e Qeverisë drejt zhvillimit të gjithanshëm të shtetit, me synim që Kosova të bëhet një vend me standarde më të mira për fillim të shëndoshë të jetës së fëmijëve, për jetën e shëndoshë të tyre dhe për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë në të ardhmen”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa, tha se fëmijët e Kosovës kanë të drejtë të gëzojnë gamën e plotë të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutë, si dhe të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve dhe instrumentet tjera ndërkombëtare, të cilat ne i kemi bërë edhe pjesë të Kushtetutës sonë. “Prandaj, me kënaqësi mund të them se legjislacioni pozitiv i Kosovës është në përputhje të plotë me normat dhe parimet e instrumenteve dhe standardeve ndërkombëtare, e që njëherësh reflekton edhe zotimet e institucioneve të Kosovës për realizimin e të drejtave të fëmijëve karshi këtyre standardeve. Duke pas parasysh se 60% e popullsisë në Kosovë konsiderohet të jenë fëmijë dhe të rinj, Qeveria është e përkushtuar dhe po bën përpjekje në gjetjen e modaliteteve më të mira, që do të mundësojnë rritjen e investimeve financiare, në mënyrë që shërbimet që po ofrohen për fëmijët, të jenë të qëndrueshme. Qeveria është duke punuar intensivisht për të integruar dhe monitoruar edhe qëllimet e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në kuadër të punës së përditshme dhe të realizimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të fëmijëve, prandaj ka filluar edhe procesi i hartimit të treguesve nacional për të drejtat e fëmijëve si dhe krijimi i sistemit të harmonizuar dhe të mirëkoordinuar të menaxhimit të të dhënave për fëmijë në Kosovë”, tha kryeministri.
Sa i takon rezultatit të Indeksit për Kosovën, kryeministri Mustafa tha se ai tregon se Kosova po ecën relativisht mirë në sektorin e qeverisjes dhe koordinimit të përpjekjeve të saj për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa është e nevojshme të punohet për ndërtimin e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve. “Në këtë mënyrë, Kosova renditet e katërta nga nëntë vendet në vlerësimin total përfundimtar të veprimeve të saj për të mbrojtur fëmijët. Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijëve është lansuar në një moment të rëndësishëm për Kosovën pasi që përkon me intensifikimin e reformave që kanë për qëllim të afrojnë vendin me Bashkimin Evropian dhe vendet në kuadër të Bashkimit Evropian në rrugën e integrimit. Të dhënat nga Indeksi mund të ndihmojnë gjithashtu të identifikohen fushat ku mund të krijohet një sinergji mes përpjekjeve tona dhe ndihmës që BE-ja e jep për në arritjen e këtyre standardeve. Në këtë drejtim, ky Indeks është një mjet i dobishëm, që siguron një qasje avokuese të bazuar tek provat në diskutimet e politikave; identifikon nevojat dhe mangësitë në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve; krijon mundësi për krahasime brenda rajonit për qëllim avokimi dhe financimi; nxit përmbledhje të dhënash, si dhe për unifikimin e tyre midis sektorëve të ndryshëm në bazë të parimeve të përbashkëta dhe rritjen e bashkëpunimit”, tha kryeministri.
Krejt në fund, kryeministri Mustafa ka vlerësuar se investimi në fëmijë, duke përfshirë investimin në mbrojtjen e shëndetit, ushqyeshmërinë, zhvillimin e sistemit edukativ e arsimor është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen, në mirëqenien e shoqërisë dhe në zhvillimin ekonomik, social dhe të përgjithshëm shoqëror.
Duke theksuar se fëmijët janë prioriteti më i rëndësishëm i agjendës qeverisëse, kryeministri Mustafa, ka falënderuar edhe partnerët ndërkombëtar, UNICEF-in, Bashkimin Evropian, Gjermaninë, për përkrahjen e tyre dhe për bashkëpunimin në këtë fushë duke vlerësuar se rezultatet e arritura janë rezultate të përbashkëta.