Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri kanadez Trudeau gjuhet me gurë

Kryeministri kanadez Trudeau gjuhet me gurë

Udhëheqësi liberal kanadez Justin Trudeau është gjuajtur me gurë, ndërsa autobusi i tij i fushatës u rrethua nga protestues të zemëruar gjatë fushatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri kanadez konfirmoi më vonë se nuk ishte lënduar në incident, i cili ndodhi në London të Ontarios, në jugperëndim të Torontos.

Trudeau, i cili sipas rregullave të zgjedhjeve kanadeze nuk quhet kryeministër nëse nuk vepron zyrtarisht në atë cilësi, është ndjekur nga protestuesit në disa ngjarje të fushatës, ndërsa po afron dita e zgjedhjeve federale, 20 shtator.

Një ngjarje u detyrua të anulohej javën e kaluar për shkak të shqetësimeve të sigurisë pasi Trudeau dhe mbështetësit e tij ishin të rrethuar nga protestuesit që brohorisnin sharje dhe poshtërime racore.

Protestuesit janë të zemëruar pasi Trudeau mbështet vaksinimet kundër koronavirusit dhe ka thënë se të gjithë punonjësit federalë duhet të vaksinohen kundër COVID-19 ose mund të pushohen nga puna. Ai është gjithashtu dakord me masat mbyllëse të pandemisë.

Të hënën në një ngjarje fushate të mbajtur para ndalesës në London, Trudeau tha se nuk do të frikësohej nga ato që ai i quajti “turma kundër vaksinimit”.

“Po, ekziston një element i vogël në këtë vend që është i zemëruar, që nuk beson në shkencë, që ka shpërthyer me sulme raciste dhe mizogjiniste”, tha ai.

“Por kanadezët, shumica dërrmuese e kanadezëve, nuk përfaqësohen prej tyre dhe unë e di se nuk do të lejojnë që këta zëra, këto grupe interesi të veçantë, këta protestues, as nuk dua t’i quaj protestues, këto turma kundër vaksinimit, të diktojnë mënyrën sesi ky vend do të kalojë këtë pandemi”, deklaroi Trudeau.

Drejtuesit e partive të tjera dënuan dhunën. Udhëheqësi i Partisë Konservatore Erin O’Toole e quajti aktin të “të neveritshëm”.

Protestat vazhdojnë ndërsa sondazhet tregojnë se Liberalët e Trudeau-s në pushtet dhe Konservatorët janë shumë afër dhe njëra prej tyre ka të ngjarë të formojë një qeveri të pakicës. /aa

Exit mobile version