Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri iz’raelit pranon përgjegjësinë për shpërthimet masive të pejxherëve në Liban

Kryeministri iz’raelit pranon përgjegjësinë për shpërthimet masive të pejxherëve në Liban

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi sot përgjegjësinë për herë të parë për shpërthimet masive të pejxherëve (pager) që tronditën Libanin gati dy muaj më parë, transmeton Anadolu.

Të paktën 26 njerëz u vranë dhe mbi 3.200 të tjerë u plagosën kur mijëra pajisje pejxher shpërthyen në disa zona në gjithë Libanin më 17 dhe 18 shtator.

“Kishte zyrtarë të lartë në institucionin e mbrojtjes dhe skuadrën politike të ngarkuar me ta, të cilët kundërshtuan operacionin e e pejxherëve, si dhe eliminimin e (udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan) Nasrallahut”, tha Netanyahu gjatë një takimi të kabinetit të dielën, siç citohet nga Kanali 12 izraelit.

“Para operacionit të pejxherëve, ata më thanë se SHBA-ja do të kundërshtonte, por unë nuk i dëgjova”, shtoi ai.

Kjo ishte hera e parë që një zyrtar i lartë izraelit pranoi publikisht përgjegjësinë për shpërthimet masive të pajisjeve të komunikimit me valë në Liban.

Nasrallah u vra në sulmet ajrore izraelite në Bejrutin jugor më 27 shtator.

Një fushatë masive ajrore izraelite në Liban ka vazhduar që nga fundi i shtatorit kundër atyre që Izraeli pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, përshkallëzim ky i luftës ndërkufitare njëvjeçare që nga fillimi i luftës së Gazës.

Më shumë se 3.100 njerëz janë vrarë dhe mbi 13.800 janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Libanin jugor më 1 tetor.

Exit mobile version