Kryeministri izraelit Netanyahu premton sulme të mëtejshme kundër Libanit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se sulmet kundër Libanit do të vazhdojnë. Në një postim në platformën sociale X, ai theksoi se ata që nuk e kanë kuptuar situatën e re në Liban u rikujtuan përmes vendosmërisë së Izraelit.

Netanyahu tha se “ekuacioni ka ndryshuar”. Ky ekuacion, sipas ministrit izraelit të mbrojtjes, është “Kiryat Shmona për Bejrutin”, që do të thotë se çdo sulm ndaj një komuniteti izraelit do të pasohet me një sulm ndaj kryeqytetit libanez.

Nga ana tjetër, Izraeli e interpreton armëpushimin e arritur në nëntor 2024 me Hezbollahun si një marrëveshje që kërkon çarmatosjen e grupit dhe tërheqjen e tij në veri të lumit Litani, rreth 40 kilometra larg kufirit izraelit. Për më tepër, Izraeli pretendon se ka të drejtën të godasë objektivat dhe personelin e Hezbollahut sipas dëshirës, duke pasur mbështetjen e administratës amerikane për ta bërë këtë.

Kjo qasje shpjegon edhe premtimin e Netanyahut dhe zyrtarëve izraelitë për të vazhduar goditjet ndaj Libanit.