Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeministri izraelit kërcënon se do të vrasë liderët e lartë të Hamasit...

Kryeministri izraelit kërcënon se do të vrasë liderët e lartë të Hamasit në Gaza

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar se do të vrasë tre liderët kryesor të grupit palestinez Hamas në mes të ofensivës së vazhdueshme të Tel Avivit në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.

“Ne jemi në rrugën e fitores totale. Në rrugën drejt kësaj fitoreje, ne tashmë eliminuam numrin katër në Hamas. Tre, dy dhe një janë rrugës”, tha Netanyahu në një video-deklaratë.

Megjithëse Netanyahu nuk e përmendi numrin katër të Hamasit, me sa duket Netanyahu po i referohej Saleh Al-Arourit, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në Liban në muajin janar.

Mediat izraelite përmendën Yahya Sinwarin, Mohammad Deifin dhe Marwan Isan si tre liderët e Hamasit të klasifikuar si më të kërkuarit nga Izraeli.

Sot, radioja e ushtrisë izraelite tha se Isa ishte shënjestruar në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin e Gazës qendrore.

Izraeli nuk e konfirmoi vdekjen e tij dhe po ashtu nuk ka pasur asnjë koment nga Hamasi.

Izraeli ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët në pjesën veriore.

Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, mbi 31.100 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në luftën izraelite në Gaza, si dhe mbi 72.700 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas OKB-së, sulmet izraelite kanë çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Exit mobile version