Kryeministri i Spanjës do të nisë turneun evropian, kërkon mbështetje për njohjen e Palestinës

Pedro Sanchez

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez do të nisë një turne evropian për t’u përpjekur të bindë më shumë vende që të njohin një shtet të pavarur palestinez, njoftoi të martën zëdhënësi i qeverisë.

Madridi është zotuar të njohë shtetin palestinez përpara muajit korrik, por shpreson që më shumë vende të ndjekin shembullin e tij. Duke filluar nga dita e premte, Sanchez do të fillojë një seri “udhëtimesh, takimesh dhe kontaktesh” me liderët evropianë dhe ndërkombëtarë për të “ndarë shqetësimin e tij rreth situatës në Gaza dhe nevojën për të shtyrë përpara njohjen e Palestinës si shtet”, zëdhënësja Pilar Alegria. tha në një konferencë për shtyp.

“Ne duam të ndalojmë katastrofën humanitare në Gaza dhe të kontribuojmë në fillimin e një procesi politik të paqes, i cili do të çojë në materializimin e një zgjidhjeje me dy shtete, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Udhëtimi i Sanchez do të fillojë në Oslo, ku do të takohet me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store.

“Siç e dini, ky vend ka një histori të gjatë të ndërmjetësimit dhe menaxhimit të konfliktit në rajon, me arritje të rëndësishme si Marrëveshja e Olso-s pas Konferencës së Madridit të vitit 1991,” tha Alegria.

Sanchez më pas do të udhëtojë në Irlandë për të takuar udhëheqësin e ri të vendit Simon Harris. /abcnews