Kryeministri i Malit akuzon Francën për trajnimin e grupeve të armatosura në vendin e tij

Choguel Maiga

Kryeministri i Malit, Choguel Maiga ka akuzuar Francën për trajnimin e grupeve të armatosura duke formuar një zonë të ndarë në rajonin Kidal në veri të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti, Maiga tha se Franca ka formuar një zonë të ndarë në Kidal dhe se ajo atje trajnon grupet e armatosura.

“Franca erdhi në Kidal në vitin 2013 për të luftuar grupet terroriste në Niger. Franca e cila ndaloi hyrjen e ushtrisë së Malit në Kidal, formoi atje një zonë të ndarë. Pra, çfarë bëri atje? Mori 2 krerë nga organizata terroriste Ensaruddin (një degë e organizatës terroriste Al-Kaeda) për të formuar një tjetër organizatë terroriste. Qeveria e Malit nuk ka ende një autoritet në këtë zonë të kontrolluar nga Franca. Ka grupe të armatosura që trajnohen nga oficerët francezë. Ne kemi prova për këtë”, tha Maiga.

Kriza mes Francës dhe Malit

Kryeministri i Malit, Maiga akuzoi Francën e cila vendosi të tërhiqej nga Mali, se ajo kishte vepruar në mënyrë të njëanshme pas pretendimeve se kompania private ushtarake ruse “Wagner” do të vendoset në vend.

Komandanti i operacionit francez Barkhane në Sahel, Laurent Michon deklaroi se ka pasur bisedime me administratën e Bamakos për rreth 2 vjet në lidhje me vendimin për t’u tërhequr nga tre bazat në veri të Malit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se ishte i tronditur nga fjalët e Maiga-s. “Këto deklarata të turpshme nga një vend që ka përjetuar dy grusht shtete radhazi dhe që nuk ka as qeveri, janë të papranueshme. Ne jemi në Mali me kërkesën e shtetit të Malit. Pa Francën, Mali do të kishte rënë në duart e terroristëve”, ka thënë Macron.

Pas kësaj deklarate ambasadori i Francës në Bamako, M. Joel Meyer, u thirr më 6 tetor në Ministrinë e Jashtme të Malit. /aa