Kryeministri i Katarit: Trump dëshiron ar’mëpushim në Ga’za përpara se të marrë detyrën

Kryeministri i Katarit tha sot se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron një armëpushim në Gaza përpara inaugurimit të tij më 20 janar, transmeton Anadolu.

Në një intervistë me Sky News, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani konfirmoi se Trump kishte deklaruar qartë qëllimin e tij për të parë zgjidhjen e luftës së Izraelit në enklavën palestineze përpara se të bënte betimin. “Po, ai e bëri të qartë këtë”, tha al-Thani.

“Ne e kishim dëgjuar këtë nga ekipi i tij, të paktën, ndërsa kujtoj bisedat që kisha bërë me ta, se ata duan që kjo të zgjidhet tani”, tha ai.

Si një figurë qendrore në negociatat, kryeministri i Katarit tha se nuk preferon të ndajë shumë detaje për të “mbrojtur sa më shumë këtë proces”.

“Po bëjmë më të mirën. Ne kemi bërë maksimumin”, tha ai.

“Të gjithë ne jemi dakord dhe shpresojmë që të kapërcejmë situatën përpara se presidenti (Trump) të vijë në zyrë, sepse kemi prioritete për të stabilizuar situatën. Ne kemi prioritete për të rivendosur sigurinë rajonale”, shtoi ai.

Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit të Netanyahut për të ndalur luftën.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 44.500 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 106.000.

Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr ragime ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullsinë palestineze.

Më 21 nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.

Gjatë mandatit të tij të parë si president, përpara se të pasohej nga presidenti aktual Joe Biden, Trump ndërmori hapa të tillë si zhvendosja e Ambasadës së SHBA-së në Izrael në Kuds, duke zemëruar palestinezët, të cilët e shohin Kudsin Lindor të pushtuar si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm palestinez.